Eshtrat e Mid’hat Frashërit u kthyen në Shqipëri

Në Tiranë është organizuar ceremonia zyrtare me rastin e kthimit në Shqipëri nga SHBA-të të eshtrave të Mid’hat Frashërit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas vendimit të korrikut të këtij viti të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për kthimin e eshtrave të Frashërit në vend, filluan përgatitjet për organizimin e ceremonisë zyrtare, që është mbajtur në kuadër të aktiviteteve për 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit.

Në ceremoninë e organizuar nga Zyra e Protokollit e Republikës së Shqipërisë, fillimisht në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për të nderuar figurën e tij morën pjesë zyrtarë të lartë të vendit, politikanë, studiues, personalitete nga fusha të ndryshme, si dhe qytetarë.

Pas homazheve, eshtrat e Mid’hat Frashërtit janë varrosur me një ceremoni me nderime shtetërore në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë, aty ku përfundimisht do të prehet.

Në ceremoninë e organizuar për nder të Frashërit, mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Kthimi i këtyre eshtrave në fakt është një borxh. Mid’hati i dha Shqipërisë gjithçka kishte dhe gjithçka mundi. Ëndërroi dhe punoi pa u lodhur për këtë vend. Gaboi. Patjetër që edhe gaboi”, u shpreh Rama në fjalën e tij në ceremoninë zyrtare.

Mid’hat Frashëri njihet si veprimtar politik, shkrimtar dhe publicist, i njohur edhe me pseudonimin Lumo Skëndo. Ai ka lindur në vitin 1880 në Janinë, ndërsa ka ndërruar jetë në SHBA në vitin 1949.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit ku u zgjodh kryetar i tij, si dhe ishte pjesë e komisionit për alfabetin e gjuhës shqipe. Gjithashtu ka nënshkruar edhe aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button