Kosovë, roli i medias i rëndësishëm në luftën kundër dhunës gjinore

Në botë ende ekziston pabarazia e madhe mes gjinive dhe statistika e dhunës mbi gratë është shqetësuese, ndërsa roli i medias në vetëdijësimin e shoqërive është shumë i rëndësishëm, u tha në diskutimin mbi barazinë gjinore, si një nga qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Debati mbi barazinë gjinore, me theks të veçantë në rolin e medias, u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Kosovës dhe Ekipi i OKB-së në Kosovë, së bashku me UNWOMEN.

Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Ulrike Richardson tha se takimi i sotëm synon të forcojë luftën kundër dhunës mes gjinive. Ajo deklaroi se statistikat e dhunës gjinore dhe dhunës në familje janë tronditëse.

“Në botë, një në tre gra, kudo që ato jetojnë në vendet e zhvilluara ose të pazhvilluara, domethënë 35 për qind e grave përjetojnë diskriminime dhe shkelje të të drejtave të tyre si dhe dhunë seksuale në veçanti”, tha Richardson.

Ajo tha se fushata e 16 ditëve të aktivizmit, e cila do të fillojë në fund të muajit, dëshiron të forcojë shoqërinë në mënyrë që të krijojë kushte më të mira për gratë. Në të gjitha këto, tha ajo, përgjegjësia e medias është e madhe, sepse ajo mund të jetë e dobishme, por mund të jetë edhe keqpërdorim.

Zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës dhe Koordinatori Kombëtar kundër Dhunës në Familje, Naim Çelaj vlerësoi se ekziston një kornizë e mirë ligjore në Kosovë dhe se ka një qasje të publikut për këtë temë, por që dhuna ende është e pranishme.

Ai tha se në Kosovë në 10 vitet e fundit ka pasur 36 raste të vrasjeve në të cilat gratë janë viktima të dhunës në familje.

Çelaj beson se roli i medias në ngritjen e vetëdijes së shoqërisë është i veçantë dhe se mediat duhet të realizojnë partneritet jo vetëm me shoqërinë civile, por edhe me institucionet.

“Ne e dimë se në të kaluarën dhuna në familje ka qenë e mbyllur brenda familjes. Nuk është trajtuar për shkak se konsiderohej e turpshme ose e paragjykuar kundër vetë viktimës. Por, tani jemi në fazë tjetër të zhvillimit shoqëror, vendi ynë ka bërë përparim në shumë zona dhe fusha, mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe roli i mediave në këtë rast është i jashtëzakonshëm”, tha Çelaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button