Shekerinska: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të sjellë rritjen e stabilitetit në rajon

Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, dhe ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, sot morën pjesë në takimin e ministrave të SHBA-Kartës së Adriatikut (Grupi A5) që mbahet në Budvë. Në takim morën pjesë edhe ministrat e Mbrojtjes të Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi, si dhe zëvendës-ndihmësja e sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-ve, Laura Cooper, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë, para fillimit të takimit ministrja Shekerinska pati drekë pune me zëvendësndihmësen e sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-ve, Cooper, me ç’rast u theksua mbështetja e fuqishme për Maqedoninë nga partneri strategjik i SHBA-ve dhe bindjen se me anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO, Maqedonia do të bëhet faktor shtesë për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Përfaqësuesja e SHBA-ve u informua se Maqedonia ka hartuar dhe së shpejti do ta prezantojë para NATO-s Programin për vazhdimin e reformave dhe se vizita e javës së kaluar e Komitetit ushtarak të NATO-s është sinjal se integrimi i Maqedonisë në Aleancë fiton dukshmëri gjithnjë më të qarta në kornizat ndërkombëtare.

Xhaçka: Duhet forcuar bashkëpunimi dhe dialogu politik

Ministrja Xhaçka, në cilësinë e mikpritëses së takimit të ardhshëm në Tiranë, i ftoi homologët e vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, që të mbështesin nismën e Shqipërisë, për t’i hapur dyert edhe për vende të tjera që aspirojnë të jenë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë

“Ka ardhur koha që përpara se t’i kërkojmë NATO-s të hapë dyert e veta, duhet të tregojmë se jemi të gatshëm të hapim dyert për njeri – tjetrin, pikërisht këtu në shtëpinë tonë. A-5 duhet të bëhet A-6 dhe vitin e ardhshëm, gjatë të cilit Shqipëria do të kryesojë A-5, të gjithë duhet të mirëpresim Kosovën për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative, pararendëse për integrimin e rajonit në NATO”,- deklaroi ministrja Xhaçka gjatë takimit, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se ajo nënvizoi se duhet forcuar bashkëpunimi dhe dialogu politik dhe se ka ardhur koha për më shumë qartësi dhe vizion afatgjatë për objektivat e përbashkëta.

Ministrat e Mbrojtjes e Grupit A5 dhe zëvendësndihmësja Cooper në emër të sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-ve, James Mattis, nënshkruan deklaratë të përbashkët në të cilën mes tjerash veçmas theksohet përfundimi i bisedimeve aderuese dhe përshëndetet anëtarësimi i ardhshëm i Maqedonisë në NATO.

“Fuqishëm besojmë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të sjellë rritje të mëtejshme të stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Prej këtu fuqishëm mbështesim Maqedoninë që sa më parë të fitojë statusin e anëtares së plotëfuqishme”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Tema e takimit ministror ishte bashkëpunimi rajonal dhe përkushtimi i vendeve anëtare të Grupit A5 (Maqedonia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi), në integrimin e vendeve të Evropës Juglindore në strukturat euroatlantike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button