Bie importi nga Serbia e Bosnja, në Kosovë rriten të hyrat për 300 mijë euro

Qeveria e Kosovës një javë më parë ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore prej 10 për qind në të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja. Përjashtim nga kjo masë bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende

Që nga aplikimi i taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Dogana e Kosovës ka arritur të grumbullojë rreth 300 mijë euro më shumë. Këto të dhëna i bëjnë të ditura për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Doganave të Kosovës.

“Krahasimi është bërë një javë para vendimi dhe një javë pas vendimit. Dhe kjo tregon se një javë para vendimit kemi pasur rreth 7 milionë euro produkte të importuara nga këto dy vende,Serbia dhe Bosnja, ndërsa në 6 ditët tjera, pra pas hyrjes në fuqi të vendimit, kemi pasur 3.5 milionë euro importe nga të dy vendet. Derisa nga taksa mbrojtjese prej 10 per qind kemi mbledhur 300 mije euro”, theksoi drejtori i Doganave të Kosovës Bahri Berisha Berisha.

Megjithatë, ai shton se të dhëna më të sakta rreth luhatjes së importeve nga këto dy shtete, autoritetet e Kosovës do të kenë pas një periudhe tri javore.

Importet nga Serbia “lehtë zëvendësohen”

Në anën tjetër, një pjesë e madhe e kompanive prodhuese në Kosovë lëndën e parë e importojnë nga Serbia, në raste edhe nga Bosnja e Hercegovina.

Lidhur me këtë, përfaqësues të kompanive prodhuese në Kosovë thonë se ky import mund të zëvendësohet nga shtetet tjera, por që se janë në pritje që Serbia që të reflektojë.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha thotë për Radion Evropa e Lirë se si organizatë e prodhuesve kanë pasur parasysh se kjo taksë mund të ketë pasoja edhe për sektorin e prodhimit.

Por, që siç thotë ai, prodhuesit janë njoftuar dhe se janë duke punuar në atë drejtim që të gjejnë alternativa të tjera për importin e lëndës së parë.

A do të ketë rritje të çmimeve?

Sa i përket rritjes eventuale të çmimeve nga taksa 10 për qind e produkteve, Panxha thekson se nuk vërehet ndonjë lëvizje e çmimeve në treg.

Megjithatë, për të parë më saktë ndikimin e taksës në lëvizjen e çmimeve mund të shihet pas publikimit të indeksimit të çmimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat për muajin nëntor publikohen në dhjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button