Komuna e Tetovës duhet t’i rrënojë shtëpizat turistike të ndërtuara në fshatin Shipkovicë

Komuna e Tetovës duhet t’i prishë shtëpizat e ndërtuara në fshatin Shipkovicë të Tetovës nga ana e një shtetasi kroat me pretekstin se janë stane, njofton Portalb.mk. Kështu ka vendosur Komisioni shtetëror i shkallës së dytë për mbikëqyrjen e inspektimit dhe procedurës për kundërvajtje.

Komisioni shtetëror i shkallës së dytë për mbikëqyrjen e inspektimit dhe procedurës për kundërvajtje ka vendosur të mos pranojë ankesën e shtetasit kroat Tomisllav Tishka i cili ndërtoi shtëpiza turistike në fshatin Shipkovicë apo në vendin e quajtur “Jellak” në malësinë e Tetovës.

Tani duhet Komuna e Tetovës të zbatojë procedurën dhe të rrënojë këto ndërtime që sipas planit primar, duhej të ishin stane dhe jo ndërtime të forta.

Nga Komuna për Portalb.mk pranuan se në inspektoratin komunal ka ardhur vendimi i Komisionit shtetëror duke thënë se ndërtimet do të largohen, por duke mos precizuar se kur.

“Hapat të cilat do t’i ndjekë komuna ne vijimësi janë: Pala do të njoftohet dhe të njëjtës do t’i dërgohet kopje e vendimit të Komisionit të shkallës se dytë. Inspektorati ndërtimor do të sjellë përfundim për leje të ekzekutimit te aktvendimit, pas përfundimit do të merren masa për mënjanim gjegjësisht për realizim të aktvendimit.” thanë nga Inspektorati komunal.

Stanet në Jellak, foto: Zoran Andonov, sdk.mk
Stanet në Jellak, foto: Zoran Andonov, sdk.mk

Lejen ia ka dhënë Drejtoria e Kullotave, më pas e ka tërhequr

Drejtori i Kullotave të Maqedonisë, Lulzim Fejzullahu për Portalb.mk thotë se vendimi për ndërtimin e staneve i është dhënë fillimisht, por i është shfuqizuar pas reagimit të banorëve dhe i kanë dorëzuar dokumentacionet te Komuna për rrëzimin e të njëjtave.

“Vendimi për ndërtim është marrë nga kjo Drejtori dhe për këtë i kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionet e nevojshme Komunës së Tetovës për të rrënuar këta objekte“, tha Fejzullahi.

Pronari i vikend shtizave në Kodrën e Diellit, Tomisllav Tishka për Portalb.mk tha se nuk i është dashur leje nga Komuna, pasi që ai ka pasur leje nga Drejtoria për Menaxhimin e Kullotave të Maqedonisë.

“Kemi vendim të plotfuqishëm nga Drejtoria për Menaxhimin e Kullotave të Maqedonisë, ndërsa parcela i takon Republikës së Maqedonisë që menaxhohet nga drejtoria në fjalë. Ne nuk kemi asnjë problem me banorët e Shipkovicës dhe problemet që u shfaqën janë individuale të disa personave“, tha Tomisllav Tishka.

Ai u ankua në Komisionin shtetëror të shkallës së dytë për mbikëqyrjen e inspektimit dhe procedurës për kundërvajtje, dhe ky i fundit ia refuzoi ankesën dhe tani Komuna e Tetovës ka dritë jeshile për t’i rrënuar shtëpizat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button