Pse Nikolla Gruevski zgjodhi të ikë pikërisht te Viktor Orbani?

Pas kërkimeve të pasuksesshme nga ana e Policisë për ta dërguar në burg ish kryeministrin Nikolla Gruevski, sot ai vetë u lajmërua, por jo për të shkuar mbrapa grilave, por që të tregojë se ai ndodhet në Hungari dhe se ka shkuar të kërkojë azil politik, pasi që siç ka deklaruar po i rrezikohet jeta, shkruan Portalb.mk.

Pse Gruevski zgjodhi pikërisht shtetin e Hungarisë që t’i ikë burgut prej dy vjetëve dhe ndjekjes penale për një sërë lëndësh ku akuzohet në Maqedoni, që sipas përllogaritjeve rrezikon që të dënohet mbi 10-15 vjet burg? 

Gruevski - Orban
Gruevski – Orban

Portalb.mk, ju sjellë analizën e mëposhtme të lidhjes Orban Gruevski dhe politikës hungareze.

Politika Orban – Gruevski

Gjatë kohës kur Gruevski ka qenë kryeministër i Maqedonisë, Hungaria me shtetin tonë ka qenë shtet mik dhe shumë i afërt, dhe kjo për shkak të lidhjeve miqësore mes dy kryeministrave konservator, të cilët shpesh janë quajtur dhe autokrat.

Për këtë dëshmon fakti se, Orban në vitin 2013 nga presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, i cili cilësohet si dorë e zgjatur e Nikolla Gruevskit, u dekorua me çmim “8 Shtatori” për “përpjekjet e tija të shumta për forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit shumë miqësorë ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë, si dhe për afirmimin dhe forcimin e reputacionit të Maqedonisë”.

Orban – Ivanov, gjatë dekorimit “8 Shtatori”
Stop Soros – Hungari

Politikat e Gruevskit kanë qenë të ngjashme me të Orbanit, madje ka pasur raste kur të dy kryeministrat kanë pasur aksione identike për ndjekje të atyre që nuk kanë menduar njëjtë si ata, transmeton Portalb.mk.

Për shembull, rasti me organizatat civile. Në viti 2014,  Orban ka dhënë urdhër që agjencitë shtetërore të auditimit të hetonin fondacione të financuara nga Norvegjia dhe tha se grupet e shoqërisë civile të financuara nga jashtë shtetit ishin mbulesa për “aktivistë politikë të paguar”, e njëjta u intensifikua edhe më tej duke i shpallur luftë të hapur miliarderit Xhorxh Soros.

SOS - Stop Soros
“Stop Soros” – Organizatë e afërt me VMRO-DPMNE-nër për luftimin e OJQ-ve

Të njëjtin aksion e realizoi edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, në vitin 2017-të i cili u shpalli gjithashtu luftë hapur organizatave civile, duke akuzuar se janë dorë e zgjatur e interesave të huaja dhe se ata financohen nga miliarderi Xhorxh Soros. Bashkëpunëtorët e Gruevskit, madje hapën dhe një organizatë të titulluar “Stop Soros”, por e cila nuk pati sukses, pasi që Gruevski u rrëzua nga Qeveria dhe ky plan i tij dështoi. Por për dallim nga ai, Orban e çoi deri në fund planin “Stop Soros” dhe arriti që ta përzë Fondacionin e Shoqërisë së Hapur të Sorosit nga Hungaria.

Në lidhje me këtë, portali hungarez “444.hu”, sot ka publikuar një analizë në lidhje me ikjen e Gruevskit, duke vlerësuar se ky i fundit ka qenë ndër politikanët e parë që e ndjek Orbanin në fushatën e tij kundër Sorosit dhe zyrtarisht e ka promovuar operacionin “Stop Soros” në Maqedoni.

Portali shkruan edhe për një takim të fshehtë në Ohër, në të cilën Orban hapur ka kërkuar nga Gruevski që ta kundërshtojë politikën evropiane, për çka krahu i djathtë në Maqedoni ka shprehur rezervë. Megjithatë, në vitin 2015, gjatë kohës së krizës së emigrantëve, Hungaria e ka lënë Maqedoninë në listën e “vendeve të sigurta”, nëpërmjet të cilës nuk pritet që të ketë transit të emigrantëve.

Rastësisht ose jo, edhe dy ish agjentët e fshehtë Goran Grujoski dhe Nikolla Boshkoski të cilët akuzohen për përgjimet e paligjshme pasi u arratisën në Maqedoni, janë kapur në Greqi duke tentuar të ikin për në Hungari.

Gruevski, derisa ka qenë në krye të ekzekutivit gjithashtu ka qenë i ngjashëm me Orbanin në planin e mediave, gjegjësisht trajtimin e lirisë së mediave. Derisa në vitin 2010 Orban miratoi ligj të ashpër për mediat, me të cilat u kundërshtuan politikat evropiane, duke vendosur dhjetëra mijëra euro gjoba për mediat të cilat prekin “dinjitetin njerëzor” apo raportojnë në mënyrë të “pabalancuar”, në vitin 2011, pushteti në krye me Gruevskin, mbylli një ndër televizionet më prestigjioze në vend A1.

Në vitet në vijim, Maqedonia ka qenë vazhdimisht në shënjestër të faktorit ndërkombëtar, ashtu siç vazhdon të jetë Hungaria, për lirinë e mediave pasi që gazetarët dhe shtëpitë mediatike janë kërcënuar dhe janë ndëshkuar për shkak se kanë shkruajtur kundër pushtetit.

Gruevski media
Fotografi gjatë një proteste në Shkup

Pos kësaj, Gruevski me Orbanin ka të ngjashëm edhe nacionalizmin, të cilin e ka ngritur me vite të tëra derisa ka qenë kryeministër, e cila shpesh ka kulmuar me raste fatale, siç ishte rasti i Kumanovës, ngjarje e cila sot e kësaj dite është e pazbardhur dhe nuk dihen kryerësit e kësaj ngjarje.

Gruevski dhe Orban, kanë qenë të njëjtë edhe në politikën e jashtme, gjegjësisht të dy kanë pasur fushatën kundër shteteve që “përzihen në punët e brendshme të shtetit”, duke i hedhur poshtë kritikat e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të lartë shtetëror të vendeve të BE-së.

Pas rrëzimit nga pushteti, Orban vazhdoi ta përkrahë Gruevskin

Orbani ngeli mik me Gruevskin edhe pse ky i fundit u rrëzua nga Qeveria dhe më së shumti me gazetarët takohej në seanca gjyqësore.  Në një rast, Gruevski nga Gjykata e kërkoi pasaportën e konfiskuar që të takohet me mikun e tij në Hungari, por kjo e fundit e refuzoi këtë kërkesë.

Ndihma e Orbanit për Gruevskit ka qenë edhe në aspektin e propagandës, duke tentuar t’i mbajë gjallë financiarisht mediat e afërta me VMRO-DPMNE-në, përcjellë Portalb.mk.

Në maj të këtij viti, BIRN ka kryer hulumtim në lidhje me hyrjen e kapitalit hungarez në Maqedoni dhe motivet e hungarezëve të cilët lidhen me kryeministrin Viktor Orban që të investojnë në mediat siç janë televizioni “Alfa” dhe ueb-portalet “Republika” dhe “Kurir”.

Hulumtimi tregoi se shoqata avokatore “Çukiq dhe Markov”, të cilat janë të lidhura me Orbanin, paraqiten si autorizues të dy ndërmarrjeve hungareze të cilët para ca kohësh kanë hyrë në skenën mediatike. Bëhet fjalë për ndërmarrjet “Target Media” pronar i së cilës është Petar Shac nga Budapesti, i cili vitin e kaluar hyri në strukturën pronësore të televizionit “Alfa” dhe “Adinamik Media” e cila është në pronësi të portaleve “Kurir” dhe  “Republika”.

Media VMRO-DPMNE
Mediat e afërta me VMRO-DPMNE

Se vazhdon me ndihmën Orbani për Gruevskin alarmoi para një viti edhe partia hungareze duke theksuar se kryeministri hungarez po e mbron “dështakun pro-rus”.

“Viktor Orban jo vetëm që është kyçur në fushatën e të përkrahurit nga Rusia, ish kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, por edhe do që atij dhe krerëve të partisë së tij t’u mundësojë strehë në Hungari, që është plotësisht kundër vlerave jo vetëm të Bashkimit Evropian, por edhe të Hungarisë”, ka alarmuar përpara një viti, Viktor Sigetvari, kryetari i Këshillit Nacional Politik të “Egjit” (Bashkë), Partia Politike Pro-Evropiane, e cila ka deputet në Parlamentin Evropian, ndërkaq në zgjedhjet e fundit lokale në Hungari fitoi qindra vende këshilltarësh në komuna.

Politika e Orbanit

Orban e drejton vendin e tij drejt një kursi konfrontimi me BE-në. Pikat kryesore të grindjes janë politika e azilit, kufizimi i lirisë së mediave, pavarësia e drejtësisë dhe të drejtat qytetare si edhe keqpërdorimi i fondeve të BE-së. Orban e bojkotoi vendimin e BE-së për të pranuar emigrantët në bazë të kuotave.

Victor Orban
Victor Orban

Në fushatën elektorale, Viktor Orban bëri një politikë kundër migrantëve duke e kthyer atë në temë qendrore. Sipas tij BE, OKB, dhe miliarderi Soros ndjekin një plan për të futur dhjetëra mijëra emigrantë në Hungari e për ta bërë atë vend imigrimi. Vetëm nëse ai qeveris më tej, kjo mund të ndalet, ashtu si edhe islamizimi i Europës. Opozita e  akuzon kryeministrin Orban për minim të demokracisë dhe shpërndarje të burimeve të BE tek oligarkët e afërt me të. OSBE në raportin e përpiluar shkroi se zgjedhjet janë mbajtur me një retorikë të ksenofobisë dhe mbjelljes së frikës në popullatë, transmeton Portalb.mk.

Për shkak të politikave të tij, në një intervistë për gazetën franceze “Le Mond”, presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker i cili vjen nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (PPE) konsideron se kryeministri hungarez Viktor Orban dhe partia e tij nuk e kanë vendin më në këtë grupacion politik.

“Orban nuk e ka vendin më në PPE. Atë e thash në samitin e familjes sonë politike në Salzburg (më 20 shator). Edhe pse e respektoj njeriun, shoh shumë jokompatibilitet mes fjalëve të tij dhe vlerave demokristiane në të cilën është themeluar familja e PPE-së. Vetëm nëse na garanton se i respekton vlerat bazike dhe programin zgjedhor të PPE-së”, ka thënë Junker për “Le Mond”, përpara më 12 tetor të këtij viti.

Orban është lideri i parë evropian që përveç kritikave të Komisionit Evropian, ka shpërfillur edhe ato të administratës së ish-presidentit amerikan Barack Obama për ndërtimin e një “shteti joliberal”.

Rast interesant në Samitin e Partneritetit Lindor të BE-­së në Riga të Letonisë në vitin 2015, presidenti i Komisionit Evropian, Jean­Claude Juncker, ka përshëndetur kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, me fjalët “Përshëndetje diktator’’, ndërsa Orban është përgjigjur: “Përshëndetje Duka i Madh”, duke iu referuar Luksemburgut, vendlindjes së Junckerit.

Pas këtyre fjalëve, Juncker i ka zgajtur dorën dhe i ka dhënë një shuplakë fytyrës, duke lënë të nënkuptohet se po bënte shaka, edhe pse shuplaka nuk ishte edhe aq e lehtë. Orbani ka zemëruar kolegët e tij në BE me kryerjen e reformave të mëdha kushtetuese dhe institucionale, të cilat sipas kritikëve frenojnë lirinë e shtypit dhe autoritetin gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button