Si në ëndërr. ime bijë…

Dje.
Nënlëkurave të barkut mu mboll fara.
Lindi nga  unë. Hija ime. Virgjëria. Pafajësia.

Bukuria.
Zemra ende e paprekur. Gjendja e krejt të mundshmeve.
Frika prej së keqes. Përkeqja nga nënshtrimi
prej qenieve më të forta, e më të mëdha se ajo.
E,m’u bë shpresa. Agimi. E ardhmja..
Premtimi i së mirës
Sot.
Dita shtriqet me naze, hap sytë, kridhet
si pranverë e parakohshme.

Shtrirë blertë e me lule kotet në ty.
Në flokët tua vjeshtë e dendur ngjyrash.
Në sytë  e tu si sheqer i djegur.

As e egër, as e butë është.
Kafsha ime e vogël shtëpiake. Zogë.
Si zogë të ndrojtur e rrita në supet e mia.

Vetë e vetëm.
Krahët kurrë s’ia preva që të mos rrëzohet
kur të marrë fluturimin drejt majave, të thepisura
me lule,ferra e gurë. Çdo natë sikur nesërmbrëma,
mbrëmja si dorëz e zezë me unaza
floriri hapet. Nata perde e mërzitshme,
e qulltë, e mbyllur bie. Si grusht i rëndë në mua.
Përditë me këto pak fjalë. Në poemat e mia.
Në prozë.

Vetminë e bëra lëkurë të dytë.
Qyshkur s’të kam pranë.
O shpirt!

Fakete Rexha

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button