FJALËT FATKËQIJA

Janë shumë fjalë shqipe që na duhen si buka, por që nuk janë përfshirë në fjalorin e gjuhës shqipe, madje mund të themi se janë dëbuar, ose, nëse janë përfshirë përpiluesit u kanë vënë vulën e zezë duke i quajtur o krahinorizma o të vjetra, (që do të thotë se janë me vulë, me vulën e zezë, dhe se nuk duhet të përdoren!) e vendi i tyre më së shpeshti ka lënë zbrazëtirë të madhe në pasurinë tonë leksikore ose janë zëvendësuar me fjalë joadekuate të huaja ja vendore.

Ia nisim me fjalën VEJ. E ka fjalori. Për çudi e kanë futur brenda kopertinave të fjalorit dhe e mbajnë “si për gjynah”, të prridhur. Me vulën e zezë- krahinore. Ja çfarë shpjegimi i japin: VEJ jokal. krahin.: Vegjoj, end. Një shpjegim i gjymtë dhe edhe më keq:  i pasaktë. Tash ta shohim si e shpjegojnë foljen VEGJOJ. VEGJOJ jokal.1. Punoj në vegjë, bëj vegjë.  2. kal. I vë vegjën një ene prej balte, vegjoj. I vegjojnë shtambat. Pra u vë vegët shtambave. Lëre që shpjegimi është i mjegulluar, por kjo fjalë nuk e jep kuptimin e foljes që na duhet, në rastin tonë të foljes ME VEJTË që në kroatisht është: [TKATI – izrađivati platno ili tkaninu na razboju (ukrštanjem i sabijanjem niti)] [bërja a përpunimi i pëlhurës në vek (me ndërthurjen dhe të shtyrët e perit për ta puqur mirë me fijet tjera në pëlhurë) ], kurse në frengjisht TISSER,  me po këtë kuptim. Kurse fjala vegjoj do të thotë bëj një vek, ose siç u tha më lartë u vë vegë shtambave. Madje e thekson këtë fjalori si shpjegim të dytë. Në Kosovë, ndërkaq, përdoret shpesh: baj vek, për VEJ! Ja që folja VEJ është e pazëvendësueshme.

Në fjalorin e gjuhës shqipe për kuptimin e vërtetë të foljes  VEJ,  jepet një folje që është krejtësisht tjetër, folja END. Ja shpjegimi në fjalorin e vockël e të vetëm të gjuhës shqipe, të trashëguar nga koha e diktaturës: END I kal.1. Bashkoj kryq, gërshetoj fijet e perit që janë për së gjati me ato për së gjeri duke i rrahur fort për të bërë pëlhurë, stof, qilim etj. Shpjegimi në fjalor i mirë, por po të ishte për foljen VEJ e jo për foljen END. Shpjegimet tjera të fjalorit të kësaj foljeje janë të panevojshme fare. Folja END në kuptimin e saj të parë duhet shpjeguar si vijon: drejtoj dhe përgatis fijen (ose fijet)  për të vejtur, duke e mbajtur fijen nga një shkop te tjetri. Pra kuptimi i parë i foljes END lidhet me punët që duhen bërë para se të vehet pëlhura, stofi, a qilimi. Vejtëset (zakonisht te ne kanë vejtë gratë) i ngulin dy kunjë  nja disa metra larg njëri-tjetrit dhe nga njëri kunj te tjetri shkojnë bashkë me fijen duke e shkatërruar e duke e sjellë rreth kunjëve të paluar mirë. Kështu e bëjnë gati për punë në vek. Folja END e ka marrë edhe kuptimin e figurshëm mu për shkak se gratë vazhdimisht bashkë me fijen enden nga njëri kunj te tjetri. Prandaj themi: endet poshtë e përpjetë. Pastaj si si mund të lidhet fjala endacak me vekun kur s’ka të bëjë fare me vekun dhe me të vejtmen. (jo vejtjen!). Por le ta shohim si e shpjegon fjalori fjalën  endacak. ENDACAK m.1. Njeri i varfër që s’ka vendbanim të caktuar a të përhershëm, që s’ka plëng e shtëpi dhe sillet andej-këtej për të gjetur ndonjë punë a mjet jetese, (pra endet andej këndej!); ai që e ndërron shpesh vendin e banimit.  2. Ai që bredh poshtë e lart pa punë a pa ndonjë qëllim të caktuar. Shtrohet pyetja: çfarë të bredhuri që domethënë çfarë të endmjeje paska në vek që ne t’i themi punës në këtë vegël me endë (ose end) e mos t’i themi me vejtë. E endmja ndodh para punës në vek, u tha. Ajo është punë përgatitore, nuk është punë që bëhet në vek. Në vek VEHET! Dhe, veku nuk është as tezgjah, as avlëmend, as razboj! Por është vetëm vek, makinë e thjeshtë popullore ku vehet, por edhe makinë e ndërlikuar nëpër fabrika ku vehen pëlhura e stofra!

vek ka të vejtme, nuk ka të endme! (le të themi se fjalët vejtje dhe  endje që nuk janë ndërtime me prapashtesë shqipe… Çështjen e prapashtesës sllave JE: lodhje, vdekje, pjekje e kemi trajtuar një herë. Le ta theksojmë: ta kemi parasysh Lek Matrëngën që thotë E MBËSUAR E KËRSHTERË, jo MËSUARJE E KRISHTERË.). Vërejtje: paskajorja dhe emrat e nyjshëm këtu janë  përdorur për ta lehtësuar sqarimin (ose qartësimin).

Le të theksojmë se fjala vek është fjalë e prejardhur, e bërë me prapashtesën k. Për këtë prapashtesë dhe për emrat e nyjshëm mund të flasim më vonë, njësoj siç do t’i trajtojmë parashtesat dhe prapashtesat e lëna pas dore.

Kuptimin e parë të foljes me endë e dhamë më lartë. Në kuptimin e dytë, të figurshëm të saj, folja me endë është thuajse  identike me foljen kroate [SKITATI – ići od jednog mjesta do drugog bez stalnog posla i boravišta – me shkue nga nji vend në tjetrin pa punë e vendbanim të përhershëm] dhe me frëngjishten POLISSONNER, me po këtë kuptim.

Nuk janë vetëm fjalët vek dhe me vejtë që janë përjashtuar nga fjalori dhe standardi. Ka mjaft të tjera që janë shumë të bukura e që janë lënë në mëshirën dhe pamëshirën e linguistëve e qarqeve të larta të institucioneve gjuhësore të cilët jetojnë me rroga minimale dhe janë të detyruar ta lënë në plan të dytë profesionin që të merren me punë të tjera për ta mbrojtur ekzistencën dhe dinjitetin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button