Çavuşoğlu: Ministri i jashtëm francez i kaloi kufijtë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se homologu i tij francez Jean-Yves Le Drian ka kaluar kufijtë me deklaratën që ka bërë në lidhje me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e Çavuşoğlut vijnë pas deklaratave të ministrit të Jashtëm francez Le Drian, i cili duke folur sot mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, tha se vendi i tij nuk ka pranuar regjistrime mbi vrasjen dhe akuzoi presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan për “luajtje të lojërave politike”.

“Para së gjithash, ministri i Jashtëm francez kaloi kufijtë. Ai duhet ta dijë si të flasë me një president. Së dyti, të mos e përziejë liderin e tij me Recep Tayyip Erdoğan”, tha kryediplomati turk për AA.

Çavuşoğlu tha se me ministrin francez kanë biseduar gjithnjë si homologë, duke theksuar se ai nuk e ka thënë të vërtetën.

Ai tha se sistemi i ndarjes së informacioneve të inteligjencës me ministrinë mund të jetë i ndryshëm në vende të ndryshme, dhe shtoi se ministri francez mund të mos ketë qenë në dijeni mbi çështjen.

“Mund të thotë se nuk është në dijeni për këtë, por unë e di se më 24 tetor inteligjenca jonë i ka dhënë inteligjencës franceze, me kërkesën e tyre, të gjitha të dhënat, përfshirë dokumentet, regjistrimin dhe shiritat”, tha Çavuşoğlu, i cili theksoi se të dhënat e njëjtë janëndarë në mënyrë transparente edhe me inteligjencat e vendeve të tjera dhe palët relevante.

“Mund të thotë se nuk është në dijeni, por është mungesë maksimale e edukatës ta akuzojë presidentin tonë për luajtje të lojërave politike. Kjo nuk i ngjan seriozitetit të një ministri të jashtëm. Por dua të them se ky nuk është problemi. Dua të nënvizoj se nuk do të habitesha sikur këta ta mohonin vrasjen e Khashoggit, të cilën e ka pranuar madje edhe Arabia Saudite. Qoftë mallkuar paraja. Le të ndiqen mirë se kush çfarë marrëveshje është duke bërë kohëve të fundit. Së shpejti këto lloj politikanësh dhe shtetesh mund ta mohojnë këtë vrasje. Fatkeqësisht, gjendja është kjo”, deklaroi Çavuşoğlu.

Megjithatë, shefi i diplomacisë turke potencoi se Turqia do të bëjë gjithçka që nevojitet për zbardhjen e vrasjes së Khashoggit me të gjitha aspektet e saj.

“Do të shkojmë deri në fund. Po bashkëpunojmë me secilin në arenën ndërkombëtare dhe gjersa ky qëndrim i Turqisë vlerësohet nga e gjithë bota, është tejet e habitshme akuza e tillë e ministrit të jashtëm francez dhe mungesa e edukatës. Çfarë qëndron pas kësaj. Vallë po mundohen të mbulojnë këtë vrasje? Do ta ndjekim edhe këtë çështje. Sepse ka gjëra të tjera që dimë. Ne ndjekim nga afër se për çfarë mirren vesh dhe çfarë bëjnë”, theksoi ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button