Spanja i kërkon Britanisë referendum të dytë për Brexitin

Kryeministri spanjoll i ka bërë thirrje qeverisë së Londrës që të shqyrtojë mundësinë e zhvillimit të një referendumi të dytë për Brexit. Nga ana tjetër, ministri në hije për të Brexit thotë se procesi mund të ndalohet. Megjithatë, qeveria e Londrës sqaron se po punohet për të arritur një marrëveshje me BE-në, shkruan Koha.net.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez i ka bërë thirrje homologes britanike Theresa May që të nxisë një referendum të dytë për Brexit, duke e paralajmëruar se vendi ka përqafuar rrugën e “egocentrizmit”. Mbretëria e Bashkuar “është një vend i mrekullueshëm që ka pasur një ndikim pozitiv në BE”, është shprehur shefi i qeverisë së Madridit në një intervistë për Politiko, dhe duhet të qëndrojnë në Bashkimin Evropian ose të rifutet në të ardhmen. Ndërsa më pas Sanchez shton: “Nëse unë do të isha në vend të Theresa May do të nxisja një referendum të dytë. Pa dyshim”. Ai e konsideron divorcin, një humbje të madhe për të dy palët.

“Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE mund të ndalohet”: kështu është shprehur për Sky Neës vetë ministri britanik në hije për Brexit, Keir Starmer, duke kundërshtuar kështu liderin e partisë së tij, Laburistin Jeremy Corbyn. “Brexit mund të ndalohet – konfirmon Starmer -. Por pyetja e vërtetë është se cilat janë vendimet që duhet të marrim në javët apo muajt e ardhshëm?”. Ai më tej nënvizon se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje, megjithatë thekson se në rast të dështimit, duhet të mbahen zgjedhje dhe në to mund të përfshihet edhe opsioni i votës për Brexit.

Ndërkohë, vijojnë përpjekjet e qeverisë së Londrës për t’u dakordësuar me Brukselin. “Lejoni që negociatat për Brexit të ecin përpara. Ne po punojmë shumë për një marrëveshje, por nuk jemi të nxituar, transmeton abcnews raportimet. Duhet të gjejmë një marrëveshje që na përshtatet ne, 27 vendeve të BE-së dhe që Parlamenti britanik mund të ratifikojë”. Kjo ishte deklarata e bërë nga zëvendësministri britanik për Brexit, duke mbërritur në Këshillin e Punëve të Përgjithshme në Bruksel. Lidhur me këtë temë ka pasur komente edhe nga vende të tjera anëtare. Gjermania, Franca dhe Belgjika thonë se tashmë topi është në fushën britanike. Megjithatë pohojnë rëndësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare. Mbretëria e Bashkuar do të largohet përfundimisht nga BE në fund të marsit të 2019-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button