Koalicionet parazgjedhore, thashethemet dhe qartësimi i pozitave

Thashethemet se RDK do të kyçet në ndonjë koalicion me BDI-në intriga që dalin nga vet BDI. Kështu thonë nga Rilindja Demokratike Kombëtare duke theksuar se për momentin nuk ka bisedime me BDI-në për koalicion të mundshëm.

“Këto thashetheme që po dalin nëpër media për gjoja koalicion mes BDI-së dhe RDK-së mendoj se janë thashetheme që lëshon nga vetë BDI nëpër çajtore, edhe atë në mënyrë mjaft mirë të koordinuar. Ne nuk kemi kurrfarë kontakte me BDI-në për ndonjë koalicion. Mbetemi në qëndrimin të cilin e dha kryetari në konferencën për shtyp” – thotë Artan Dika, zëdhënës i RDK-së.

Rufi Osmani pati paralajmëruar se nuk do të bëjë koalicion as me BDI-në e as me PDSH-në.

“RDK konfirmon qëndrimin e saj se është për bashkëpunimin e partive parlamentare shqiptare për të shtruar dhe zgjidhur një herë e përgjithmonë statusin juridiko-kushtetues te kombit shqiptar në Maqedoni. Kjo zgjidhje varet nga ky bashkëpunim që është larg për tu bërë realitet përderisa BDI dhe PDSH nuk janë vetëm konkurentë politik, por janë tranformuar në armiq politikë dhe vazalë të VMRO-së, gjegjësisht LSDM-së.

Në zgjedhjet lokale të marsit të vitit 2013, RDK do të garojë si pjesë e koalicionit me DR-në, BDSH-në dhe subjekte të tjera politike dhe jopolitike në bllokun shqiptar, me të cilat do të arrijë marrëveshje elektorale” – patë deklaruar Osmani në konferencë për shtyp.

Ndërkohë Artan Dika shton se RDK do të mbetet në koalicion me partitë e vogla opozitare, Bashkimin Demokratik Shqiptar dhe Demokracinë e Re, dhe se këtij koalicioni do ti shtohet edhe një parti e re.

“Rilindja Demokratike Kombëtare do të mbetet në koalicion me BDSH dhe DR. Këtij koalicioni do ti bashkëngjitet edhe BDK” – thotë Dika.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim përsërisin qëndrimin se partner koalicioni në këto zgjedhje për BDI-në mbetet populli.

“Qëndrimi i Bashkimit Demokratik për Integrim është se edhe në këto zgjedhje do të jemi në koalicion me popullin shqiptar. Koalicione parazgjedhore nuk do të ketë as me partitë shqiptare as me ato maqedonase” – thonë nga BDI.

Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, e cila arriti marrëveshje bashkëpunimi me LSDM-në, i bëri thirrje RDK-së që ti bashkëngjitet bllokut opozitar, por nuk pati përgjigje pozitive nga Osmani. Nga kjo parti paralajmëruan bisedime me përfaqësuesit e lëvizjes qytetare PYKA, për bashkëpunim të mundshëm, sidomos për në Shkup.

Për shkak të keqësimit të situatës shëndetësore të Arben Xhaferit, nga kjo partia nuk ishin në gjendje të komentojnë lëvizjet e ardhshme rreth koalicioneve./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button