Pacolli: Nuk ka asnjë tërhqeje të njohjeve, Kosova njihet nga 116 shtete

Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli i ka quajtur gënjeshtra deklaratat e homologut të tij serb Ivica Daçiq për tërheqjen e njohjeve që i kanë bërë Kosovës nga disa shtete.

Daçiq në një seri deklaratash për shtyp ditët e fundit ka thënë se Grenada, Republika Dominikane dhe Unioni i Komoreve, e më herët edhe Liberia, e kanë tërhequr njohjen që i kanë bërë Republikës së Kosovës.

Këtë fushatë dhe vendimin e këtyre shteteve për tërheqjen e njohjeve, siç e quan ai, e ka përshëndetur edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov. Para mediave ai ka thënë se kjo seri e tërheqjeve të njohjeve tregon qartë dhe pa ekuivoke se bota akoma e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë, transmeton Telegrafi.

Por kategorik kundër këtyre pretendimeve është ministri i Jashtëm Pacolli, i cili për Klan Kosovën ka thënë se nuk ka asnjë tërheqje të njohjeve dhe se Kosova zyrtarisht njihet nga 116 vende të botës.

Ai thekson se nuk kanë marrë kurrfarë letre, nga asnjë prej shtetve të cilat i përmendin Daçiq e Lavrov, ndaj deklaratat e të dyve i cilëson si të pavërteta, pra të gënjeshtërta. Pacolli këtë e quan fushatë mediatike të Serbisë, të pabazuar në asnjë fakt apo të vërtetë.

Njohjen e fundit këtë vit Kosova e ka marrë nga Barbadosi, ndërsa paraprakisht kah fundi i vitit të shkuar është njohur nga Madagaskari.

Mirëpo, jo vetëm ministrat e jashtëm serb e rus, kanë thënë se disa shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Këtë e ka thënë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili gjatë bashkëbisedimit me qytetarë përmes Facebook-ut, është pyetur edhe rreth lajmeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga disa shtete.

Në përgjigjen e tij, O’Connell ka thënë se fatkeqësisht kjo gjë ka ndodhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button