Në Mars “kanë arritur” edhe 454 shqiptarë

Tashmë emri i Ilir Bajrit dhe ai i Artea Bajrit janë në Mars, në mesin e më shumë se 1 milion të regjistruarish, prej të cilëve 454 janë emra shqiptarë.

Në ditën e lindjes së Ilir Bajrit, më 4 shkurt të vitit 1969, përgatitjet për të dërguar njeriun e parë në Hënë ishin në kulmin e punës.

Neil Armstrong u nis për në këtë planet, kur jazz-muzikanti ishte vetëm katër muajsh. Dyzet vjet më vonë, Bajri është njëri prej më shumë se 1 milion njerëzve në botë, emrat e të cilëve janë shkruar në një kartë-memorie dhe janë dërguar në një planet krejt tjetër, ku po pretendohet se ka kushte jete, transmeton ‘Koha ditore’ në Kosovë.

Bajri, drejtor i festivalit “Prishtina Jazz Festival”, madje ka edhe një certifikatë për këtë nga NASA. Por ai nuk është i vetmi shqiptar, emri i të cilit ka mbërritur në planetin Mars. Edhe 452 emra të tjerë dërguar nga Shqipëria (meqenëse Kosova nuk njihet si shtet) e kanë mbërritur në planetin Mars të hënën në orën 07:33.

Rover-roboti, i quajtur “Curiosity” (Kureshtja), zbriti në sipërfaqen e planetit Mars, që është larg nga Toka në distancë prej 250 milionë kilometrash. Me peshën e vet mbi 900 kilogramë, që përmban reaktorin nuklear për të prodhuar për vite me radhë energji elektrike për kamerat e shumta dhe për laboratorin e sofistikuar automatik të ‘Kureshtjes’, me sekuencë zbritjeje të kontrolluar në mënyrë autonome përmes kompjuterit të instaluar në të, e që u orkestrua automatikisht dhe pa ndihmën e njeriut me përpikëri marramendëse, për Bajrin, “Curiosity” është fitore e madhe dhe e rëndësishme e dijes dhe e bashkëpunimit njerëzor.

“Po ashtu nismë e një kapitulli të ri të eksplorimit jashtëtokësor në emër të njerëzimit e përparimit”, ka thënë Bajri. Bajri ka thënë se ideja për të dërguar emrin e tij dhe të vajzës si pjesë e një programi të NASA-s ka qenë e hershme.

“Kur lexova në ueb faqen e NASA-s, në vitin 2010, lajmin për hulumtime në planetin Mars fillova ta parafytyroja momentin që ndodhi sot (e hënë v.j.), që të shikoj një foto të shkrepur nga një botë tjetër, nga një planet tjetër”, thotë Bajri. Madje ai shpreson edhe në ndonjë video, që do të sillte peizazhin nga planeti që Bajri e quan simotër e tokës. Por Bajri do të emocionohej edhe më shumë kur do t’i ofrohej mundësia që së paku emri i tij të shkonte në Mars.

“Mornicat më kapluan kur e gjeta faqen që ofronte mundësinë, që simbolikisht të merrja edhe unë udhën për në Planetin e Kuq, duke e regjistruar emrin tim në kartë-memorien që ‘Kureshtja’ do ta mbajë me vete përgjatë hulumtimeve të saj”, kujton Bajri. Ai këtë mundësi do t’ua tregonte edhe shokëve të tij virtual në “Facebook”, duke postuar linkun, ku mund të shkruhej emri.

“Tashmë emri i Ilir Bajrit dhe ai i Artea Bajrit janë në Mars, në mesin e më shumë se 1 milion të regjistruarish, prej të cilëve 454 janë emra shqiptarë”, ka thënë ai. Si një person, i cili profilin e vet në rrjetin social “Facebook” e ka të mbushur me video e shkrime që kanë të bëjnë me hulumtimet shkencore, Bajri thotë se pret shumë nga “Kureshtja”. Sipas tij, ky rover-robot ka garanci funksionimi njëvjeçar, që është më i rëndësishëm se robotët e tjerë “Spirit” dhe “Oportunity”, të dizajnuar të punojnë jo më tepër se 90 ditë, por që kanë funksionuar për 8 vite të plota. Kësisoj, sipas Bajrit, “Kureshtja”, premton shumë.

“Mezi po pres të shoh ndryshimin që në vitet në vijim ky robot shkencëtar do t’i sjellë jetës sonë, këtu, në planetin amë”, ka thënë Bajri. Ai pret ndryshime në teknologji e shkencë, por po ashtu në botëkuptime, kulturë shoqërore e globale./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button