Weber u zgjodh në krye të PPE-së
Partitë europiane të djathta kanë zgjedhur këtë të enjte europarlamentarin gjerman, Manfred Weber, për t’i udhëhequr drejt fushatës së re elektorale të vitit të ardhshëm në Europë, e sigurisht duke i dhënë atij një shtysë për postin më të fuqishëm në BE, transmeton Top Channel.
Nëse PPE-ja ruan pozicionin e saj si grupi më i madh në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve të majit 2019, Weber do të ishte në rolin e pretendentit për të garuar për postin e kreut të Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të bllokut të kryesuar aktualisht nga Jean-Claude Juncker.
Megjithatë, disa sondazhe parashikojnë se PPE-ja do të humbasë shumicën, nën presionin e populistëve nga të dyja krahet, e majta dhe e djathta, ose udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së, të cilët do të kenë fjalën e fundit, mund të vendosin të mos emërojnë një kandidat partiak në fund të fundit.
Gjithsesi, kandidatura është një çmim i lartë që do të pasojë zgjedhjet europiane të 26 majit të vitit të ardhshëm. Gjithashtu në lojë janë edhe vendet për të udhëhequr Këshillin Europian, që përfaqëson qeveritë kombëtare; Parlamentin Europian; Bankën Qendrore Europiane; si dhe politikën e jashtme të bllokut, post që mbahet aktualisht nga Federica Mogherini.