Reforma të reja në Maqedoni: Ndotësit do të etiketohen, veturat ekologjike do të subvencionohen

Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Shoqatën e taksistëve, me qëllim të uljes së nivelit të ndotjes së ajrit në vend, kanë propozuar ligj me të cilin përmes etiketave tre-ngjyrëshe do ti kategorizojnë veturat e taksive, varësisht nga standardet ekologjike që i plotësojnë, njofton Portalb.mk. Më tej, sipas ndryshimit të Ligjit për automjete, do të subvencionohen veturat ekologjike.

Dy ministrat, ai i ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe i punëve të brendshme Oliver Spasovski sot në Shkup u takuan me vozitësit e taksive. Ata i njoftuan këto të fundit se etiketë të kuqe do të bartin veturat të cilat lëshojnë gazra të dëmshme, etiketë të verdhë ato që lëshojnë më pak gazra të dëmshme ndërkaq etiketë të gjelbër do të bartin veturat që i plotësojnë të gjitha standardet ekologjike.

Bekteshi theksoi se me këtë ligj përveç etiketës, do të rregullohet dhe statusi i tyre si taksistë të licencuar. Ai gjithashtu njoftoi se më tej do të propozohet edhe ligj me të cilin do të rregullohet dhe përdorimi i tabelave speciale për veturat e taksive.

“Në kuadër të këtij ligji, të gjitha veturat do të kategorizohen në bazë të asaj se cilat kushte ekologjike i plotësojnë ndërkaq është paraparë etiketë me ngjyrë të gjelbër, ngjyrë të verdhë, njëkohësisht dhe me ngjyrë të kuqe. Ministria e ekonomisë gjithashtu ka përgatitur një planprogram që do ta miratojë vitin e ardhshëm me të cilin do t’i mbështesim financiarisht të gjithë të interesuarit të blejnë vetura elektrike. Njëkohësisht, mbështetje do të ketë edhe për të gjithë qytetarët që do të blejnë vetura të reja dhe në këtë mënyrë do t’i largojnë nga përdorimi veturat e vjetra”, tha Bekteshi.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski përmes etiketave do të identifikohen veturat të cilat lëshojnë gazra të dëmshme gjatë qarkullimit. Ai gjithashtu njoftoi se me miratimin e ligjit veturat e taksive do të lirohen nga obligimi për vendosjen e etiketës në dritaren e përparme të veturës gjatë regjistrimit vjetor të veturës, për të cilën kanë paguar 60 denarë.

“Duke u bazuar në atë se çdo automjet do të ketë etiketë, automjetet që lëshojnë gazra të dëmshme do të kenë etiketë të kuqe, ata që lëshojnë gazra që janë më pak të rrezikshme do të kenë etiketë të verdhë, kurse ata që janë në korniza të rregullta do të kenë etiketë të gjelbër. Kjo nuk do të thotë që definitivit veturat e vjetra do të kenë etiketa të kuqe, kurse të rinjtë të gjelbër pasi që ekziston dallim varësisht nga automjetet,” tha Spasosvski.

Propozim ligji për kategorizimin e taksi veturave u mirëprit edhe nga kryetari i Shoqatës së Taksive, Abdulla Rushiti. Sipas tij, me këtë propozim do të rriten shpenzimet e kompanive të taksive megjithatë ai thotë se e rëndësishme është që veturat do të kenë shenjë dalluese e cila do të ndikoj në shërbimin e qytetarëve por dhe në mbrojtjen e ambientit jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button