Kërkesë e vonshme për amendamentet që kanë të bëjnë me shqiptarët

Kushtetuta është dokumenti më autoritar apo tërësi rregullash që kodifikon dhe organizon mënyrën e jetesë dhe hapësirës në një vendi që konsiderohet demokratik, definon mënyrën e qeverisjes si dhe përcakton detyrimet e pushtetit dhe parimet bazë për funksionimin e institucioneve shtetërore.  Kushtetuta nuk duhet të shkëputet nga realiteti politik dhe tradita e një vendi, që do të thotë duhet të jetë e përshtatshme për kohën, të reflektojë pozitivisht për qytetarët e sajë dhe të ketë pajtueshmëri stimuluese!

Për shkak që Republika e Maqedonia është shtet konstitucional, pas marrëveshjes së arrirë me qeverinë Greke për parimet e shtet-ndërtimit dhe njohjeve reciproke mes tyre, është detyruar që kushtetutën ta përshtat në frymën e marrëveshjes së Prespës, duke filluar nga ndryshimi i emrit, duke shtuar formën “e Veriut” në përbërjen e emrit apo Republika e Maqedonisë së Veriut.

Shkak që u hap debat në shoqëri si dhe në organizimin politik në vend rreth plotësimit dhe shtesave të amendamenteve në Kushtetutë. Pas inicimit për ndryshime Kushtetuese dhe votimit të parlamentit, mes të tjerëve, blloku opozitar shqiptar në Maqedoni kërkon hapësirë për shqyrtimin e amendamenteve që kanë të bëjnë me popullatën shqiptare, për sundimin më praktik të ligjit. Por a mund të shqyrtohen këta kërkesa në realitet duke pasur për bazë Kushtetutën dhe Rregulloren e  Parlamentit!?

Ndryshimet Kushtetuese në Maqedoni realizohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë (neni 129, 130, 131) dhe Rregulloren e Parlamentit (neni 193-204), edhe atë sipas ndryshimeve Kushtetuese me vendim nga referendumi dhe ndryshimeve Kushtetuese me vendim nga parlamenti. Si verifikues i jashtëm për këshillim mund të kyçet edhe Komisioni i Venecias.

Për ndryshime kushtetuese në Maqedoni, duhet vënë në funksion:

  1. Propozuesi – Presidenti i Republikës, Qeveria, së paku 30 deputetë ose 150.000 qytetarë – neni 130 i Kushtetutës
  2. Parlamenti i Republikës së Maqedonisë dhe
  3. Komisioni për Çështje Kushtetuese

Fazat për ndryshimet e amendamenteve Kushtetuese janë:

Faza Nr. 1 – Propozuesi i propozon institucionit të parlamentit për ndryshimin dhe plotësimin kushtetues për amendamente që shihen si dobësi për rendin kushtetues apo për realitetin e kohës që veprohet, dhe arsyeton shkaqet për të cilat propozohet ndryshimi dhe plotësimi i Kushtetutës (neni 194 i rregullores së parlamentit).

Faza Nr. 2 – Institucioni i parlamentit thërret deputetët për inicim të ndryshimeve Kushtetuese në bazë të thirrjes paraprake nga propozuesi dhe miratohet propozimi për inicimin e ndryshimit të Kushtetutës në Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve (neni 131 i Kushtetutës të R. Maqedonisë). “Vendimi merret në bazë të propozimit nga propozuesi”, për shkak se nuk mund të bëhen ndryshime Kushtetuese pa pasur një arsye bindëse. Gjithashtu përcaktohet afati për dorëzim të amendamenteve të propozuara.

Faza Nr. 3 – Parlamenti vërteton skicën për ndryshimin e Kushtetutës me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe e vë në diskutim publik (hartimi i amendamenteve, aktivizimi i Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe institucioneve relevante, diskutim publik për plotësimin e amendamenteve dhe amendamentet shtesë, inkuadrim shtesë dhe korrektim i tekstit të amendamenteve dhe votim i tyre me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve në parlament, veç më veç, duke renditur procedurat më saktësisht sipas nenit 197 – 201 të Rregullores së Parlamentit.

Faza Nr. 4 – Parlamenti i Maqedonisë merr vendim për ndryshimin e Kushtetutës me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe shpall ndryshimet e Kushtetutës, sipas nenit 131 të Kushtetutës dhe nenit 202 dhe 203 të Rregullores së Parlamentit.

Sa i përket mundësisë për shqyrtim dhe avancim të amendamenteve që kanë të bëjnë me shqiptarët, në këtë fazë, vërejmë se kërkesa është e vonshme duke u bazuar në Rregulloren e Parlamentit, ku neni 194 qartë thotë: “Propozimi për qasje në ndryshimin e Kushtetutës, përmban kahe konkrete për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës, dhe arsyetimin e shkaqeve për të cilat propozohet ndryshimi dhe plotësimi i Kushtetutës”, që do të thotë se hartimi dhe plotësimi i amendamenteve duhet të jetë konkret dhe në bazë të arsyetimit nga propozuesi apo (më qartë) sipas asaj që interpretohet nga marrëveshja e Prespës.

Që kërkesa e partive opozitare shqiptare apo “çështja shqiptare” të integrohet në kushtetutë duhej paraprakisht të ishte pjesë e marrëveshjes së Prespës ose  të ishte koherente me propozimin nga propozuesi, para se që të miratohet propozimi për inicimin e ndryshimit të Kushtetutës në Kuvend me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Për të adaptuar qëndrimin e partive opozitare shqiptare në Kushtet duhet që të ndryshohet Rregullorja e Parlamentit ose të iniciohet procedura nga fillimi, edhe atë me propozim nga Presidenti i Republikës, Qeveria, së paku 30 deputetë ose 150.000 qytetarë. Njëkohësisht të jeni të vetëdijshëm se duhet të kenë dy të tretat e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Veçmas pamundësisë duke pasur për bazë Rregulloren e Parlamentit, kërkesa do të ishte e papranuar në këtë moment edhe nga tutorët ndërkombëtar që duan të shohin Maqedoninë në NATO dhe Bashkimin Evropian e që janë aleat të shqiptarëve, për arsye të afateve tepër të shkurta dhe mundësisë pothuajse të vetme që i ofrohet Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button