Tragjedia në Gostivar, Taravari thotë se e vërteta është ndryshe, por nuk e tregoi të plotë (VIDEO)

“Rasti i tragjedisë është vetëm një fatkeqësi që nuk është shkaktuar nga asnjë pakujdesi, por vetëm nga fati që luan lojëra të tilla tragjike”, kështu deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në konferencë të shtyp për rastin e të hënës, ku ashtu siç u njoftua në media, duke ikur nga qentë endacakë, një 17 vjeçare ka rënë në lumin Vardar dhe e ka humbur jetën, njofton Portalb.mk.

“Në raportin e Policisë qartë dhe saktë shihet se si ka ndodhur fatkeqësia, çdo gjë burojnë nga thashethemet të cilat u shpërndanë më shpejtë se lajmi për vdekjen e 17 vjeçares. E vërteta është më e rënda është më e rënda, ajo është humbja e kësaj vajze. Kjo familje ashtu si edhe ne e kemi të qartë se si ka ndodhur ky rast. Sot duhej të ishte me mua në konferencë për shtyp edhe babai i vajzës, por shpresoj që të mos e kenë ndaluar qëllimisht për 3 orë organet e hetuesisë”, tha Taravari.

Kreu i Gostivarit dërgoi kritika për mediat, të cilat sipas tij, kanë qenë nxitëse që ai të “gozhdohet nga opinioni”, por nuk e tregoi të vërtetën e plotë për të cilën tha, duke u rekomanduar të gjithëve që të njëjtën ta mësojnë nga Policia dhe organet e hetuesisë.

“Lajmi i parë që doli në Gostivar, doli nga mediat lokale i cili vendosi dhjetë qenë duke hëngër mish se vajza qenka sulmuar nga një tufë qensh, ndërkaq në raportin e parë policor, prej një dëshmitarit të vetëm që ka, është se ka qenë një qen dhe ka qenë shumë larg vajzës dhe vajza ka vrapuar, por nuk dua të hyjë në këto detaje, nuk dua ta hapë plagën e familjes. Çdo gazetar, qytetar, politikan, analist politik apo kriminel që e quan veten ndryshe është i lirë të shkojë dhe të informohet në Polici apo të informohet nga organet tjera hetimor. Unë nuk jap asnjë detaj që e gërmon plagën e shkaktuar humbjen e rëndë nga kjo familje. Para se të del një lajm duhet verifikuar, pasi që ka pasur në opinion që se për një ditë më gjykuan, më varën dhe më pushkatuan me ofendime dhe fyerje. U krijua atmosferë gjoja Arben Taravari e ka mbytur vajzën, por fatmirësisht që njerëzit e kuptojnë dhe nuk u besojnë intrigantëve që e kanë humbur kredibilitetin. Do ju lutesha të tregoni respekt për këto orë të vështira për familjen Mexhiti dhe sidomos këtë kërkesë e drejtoj tek ata individë që  janë të verbëruar dhe janë të gatshëm të shkelin mbi varre për të ardhur në pushtet”, theksoi Taravari, transmeton Portalb.mk.

Portalb.mk, ka kërkuar nga Policia raportin policor, por ata thonë se kanë dhënë informata në opinion për rastin në fjalë.

Ky është versioni i policisë për ngjarjen:

Më 05.11.2018, rreth orës 19:15, është paraqitur se në Gostivar, një 17 vjeçare nga fshati Zdunjë i Gostivarit, duke ikur nga qentë endacakë, është rrëzuar në ujërat e lumit Vardar në afërsi të urës. Menjëherë pas paraqitjes, janë marrë masa për gjetjen e vajzës. Në ora 22:30, vajza është gjendur pa shenja jete në afërsi të urës në fshatin Balindoll të Gostivarit. Është kryer ekspertizë dhe me urdhër të prokurorit, trupi është dorëzuar për autopsi.

Në pyetje gazetareske, Taravari tha se ata prej përpara 5 muajve e kanë ndërtuar strehimoren për qentë, por Qeveria nuk ua jep lejen.

“Komuna e Gostivarit prej kur udhëheq unë me ekipin tim, jemi komuna e vetme në Maqedoni, përveç Shkupit që kemi strehimore, e cila përpara 5 muajve ka qenë e gatshme, por e cila nuk mund të vihet në funksion për shkak se e njëjta është e bllokuar në labirintet burokratike të Qeverisë”, tha Taravari.

Siç theksoi ai, objekti ku është strehimorja, ka qenë i Qeveri, por për shkak gabimit të autoriteteve komunale e njëjta është rinovuar, duke menduar se është i Komunës.

LEXO: Pas tragjedisë me vajzën në Gostivar, shqetësimi për problemin me qentë endacak është i vonuar
LEXO: Pas tragjedisë në Gostivar, Qeveria premton zgjidhjen e problemit me qentë endacakë nëpërmjet ndryshimeve ligjore

LEXO: “Anima Mundi” për tragjedinë në Gostivar: Ndodhi ajo që më së shumti i frikësoheshim

Taravari tha se në Gostivar ka 400 qenë endacakë, ndërkaq 100 prej tyre i kanë vaksinuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button