Maqedoni, këto janë arsyet se pse mediat janë të varura nga politika (FOTO)

Besimi i ulët i qytetarëve në gazetarë dhe varshmëria e mediave nga politika, vjen si rezulat se kryeredaktorët janë të ndikuar nga politika, dhe nga mosrealizimi i reformave mediale të cilat assesi nuk po gjejnë dritë në Maqedoni. Që të përmirësohet gjendja, mediat duhet të privatizohen dhe të bëhen të pavarura financiarisht, u tha sot në Shkup në debatin “Mediat dhe politika në Maqedoni”, transmeton Portalb.mk.

“Definicion për varshmëri nuk ka, dhe as për pavarësi, dhe mendoj se më së shumti në varshmërinë e mediave kanë ndikuar redaktorët e mediave dhe kryeredaktorët. Ata vendosin se deri ku do të jetë media e varur, dhe e pavarur. Ka pasur një hulumtim kur duhet të bëheshin reformat në transmetuesin publik. Bëhej fjalë për mediat lokale. A duhej të bëheshin pjesë e transmetuesit publik, apo duhet të jenë të pavarura? Në atë analizë u tha se ato duan të jenë të pavarur edhe në redaktim, edhe në financa. Dhe nëse doni të jeni të pavarur edhe në redaktim dhe financa, atëherë duhet të privatizoheni. E për t’u privatizuar, ju duhet të jeni të aftë. E pastaj çfarë ndodhi? Ata që u privatizuan dështuan”, tha kryetari i Komisionit për ankesa në kuadër të Këshillit për Etikë të Mediave në Maqedoni (KEMM), Mirçe Adamçevski.

Sipas udhëheqësit të Programit Medial i Evropës Juglindore të Fondacionit Konrad Adenauer, Hendrih Zitih, në Maqedoni ka hapësirë të madhe për pavarësim të mediave.

“Rezultatet janë dëshpëruese për gazetarinë në Maqedoni. Tregon se ka hapësirë të madhe për përmirësim të gjendjes që mediat të pavarësohen. Liria e shprehjes e mediave dhe e gazetarëve është qendra e zhvillimit të demokracisë”, tha Zitih.

Sipas pjesëtarit të Qendrës për Hulumtime “Ipsos”, Ivica Sukullovski, varshmëria e mediave nga politika duhet të jetë sinjal edhe për institucionet shtetërore, qeverinë dhe qytetarët.

Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Dragan Sekullovski vlerësoi se varshmëria e mediave nga politika ka ardhur si rezultat i mosrealizimit të reformave mediale në Maqedoni, të cilat janë paralajmëruar nga Qeveria e Maqedonisë, por assesi të hynë në fuqi.

“E nevojshme është që të realizohen sistemi i reformave mediale në Maqedoni, si parakusht për krijimin e një hapësirë adekuate për punë të gazetarëve dhe mediave. Që të krijohet një pasqyrë më e mirë, duhet të përmirësohen standardet profesionale të gazetarëve dhe të informimit të pavarur”, tha Sekullovski.

Sipas Mirçe Adamçevskit, një tjetër hapësirë që ka dëmtuar pavarësinë mediale janë edhe rrjetet sociale, pasi që siç u shpreh: “Tek ne, 80 për qind e ankesave janë nga rrjetet sociale. Kjo vjen si rezultat se nuk kemi vetërregullim të rrjeteve sociale, e kurse ato përdoren më së shumti nga qytetarët”, tha Adamçevski.

LEXO: Maqedoni, gjysma e qytetarëve vlerësojnë se mediat janë të varura nga politika (FOTO)

Përndryshe, në debatin “Mediat dhe politika në Maqedoni” u prezantuan edhe rezultatet e hulumtimit “Perceptimi i qytetarëve për mediat dhe politikën e jashtme”, në të cilin u tha se gjysma e qytetarëve vlerësojnë se mediat janë të varura nga politika dhe nuk u besojnë gazetarëve. U tha gjithashtu se qytetarët e Maqedonisë më shumë i besojnë Bashkimit Evropian e NATO-s, kurse më pak Rusisë. Tjetër element i rëndësishëm është se rrejtet sociale janë kanali i dytë nëpërmjet të cilave informohen qytetarët, edhe pse në këtë hulutim pjesë e këtij kanali nuk parashihen portalet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button