Fuqia magjike e interpretimit briliant të autores Zamira Kita

Arti është prodhimi i njeriut për të mbizotëruar mbi fatin e qenies njeri. Arti skenik është i madh kur e shijojmë nga artistë me vlera sublime. Edhe pas realizimit të suksesshëm të karaktereve të grupit të aktorëve në shfaqjen “Vetëvrasësi” nga Nikolai Erdman, me regjinë e Sulejman Rushitit, ky shkrim është një vëzhgim i vëmendshëm vetëm për finesat e lojës të një individi aktor. Në këtë rast do të veçoja aktoren e mirënjohur Zamira Kita që përmes humorit dhe ironisë realizoi me sukses rolin e vjehrrës, rolin e nënës që përgjëron të bijën dhe nxjerr në pah karakterin e personazhit.

Në shfaqje shohim aktoren që ecën hijshëm, flet hijshëm, buzëqesh hijshëm dhe në skenë lartësohet hijshëm. Gjatë aktit të të folurit, zëri i saj i qetë dhe i ngrohtë, shndërrohet në një fllad vere, në gurgullimë të ëmbël e të shkurtër aq sa e kërkojnë fonemat e tërë fjalisë që shpërthen si puhizë dhe josh spektatorin. Loja magjike skenike e Zamira Kitës është si hoje i mbushur me mjaltë që sa më shumë e shijon, aq më shumë të fton. Talenti dhe profesionalizmi i aktores Zamira Kita, sigurisht që ka lehtësuar edhe drejtimin regjisorial. Nga shikimi i saj, nga lëvizja e kokës, e duarve, nga ecja, nga figura prej artisteje deshifrohej gjithçka. Veprimet e aktores arrinin të qarta tek shija e hollë e spektatorit. Në shfaqjen “Vetëvrasësi” ajo luante rolin e një nëne të përkushtuar. E veshur me petkun e rolit, Zamira Kita përcolli imazhin e një gruaje urtare që i duhej shfaqjes. Brenda magjisë së skenës, ajo dukej si një fotografi e vjetër me shumë histori, si tërësia e vlerave të mëdha, si thesar. Unë, si adhuruese e flaktë e artit skenik, por edhe si shkrimtare e të gjitha zhanreve, në mbrëmjen e 8-nëntorit e ndoqa me vëmendje lojën e aktorëve, fabulën, dramatizmin e tekstit, por përqendrova vëmendjen te metamorfoza e shpirtit artistik të aktores, te forca e saj morale, te fuqia magjike që shpërthente kur Zamira hynte dhe dilte në skenë. Dashuria për teatrin dhe talenti që posedon ajo, rrit admirimin për ta parë më shpesh në skenë këtë aktore që jeton larg në qytetin e bukur të serenadave, në Korçën time të dashur. Me pak fjalë aktorja luan rolin e nënës që jeton në kushte të pamjaftueshme, nën një kulm bashkë me të bijën dhe dhëndrin e papunë.

Puntorie Ziba dhe Zamira Kita

Edhe pse në rol dytësor ajo shkëlqeu që në paraqitjen e parë në skenë. Gjatë lojës, kur aktorja shpreh gjendjen shpirtërore të caktuar, sytë e spektatorit mbeteshin tek gjestikulacionet, tek mimikat e fytyrës, tek mënyra si ecën, si fajësohet ose si shfajësohet brenda në rol, si e rrëfen inatin për dhëndrin që ndjell bezdinë, si nxjerr në pah pakënaqësinë, si mban fshesën, si shfaq kuriozitet, si e nxjerr në shesh lidhjen vjehërr-dhëndër etj. Në çastin kur ajo hedh ironinë, të duket sikur gjendesh afër saj, sikur të pëshpërit, sikur është duke biseduar edhe me aktorin edhe me spektatorin, sikur ankohet nën zë për atë që ndodh rreth saj. Gjatë aktrimit, Zamira krijon marrëdhënie dhe është në një harmoni magjike me të gjithë ata që janë prezent mbi dërrasat e Talias dhe në sallën e gjerë. Fytyra e saj krijuese nuk të duket e huaj, e dikujt që ka jetuar shumë më herët. Spektatori mendon se ngjarja ndodh në ato çaste kur flet Zamira, kur ajo ndihet me faj që pa dashje e ka dëgjuar se si komunikon dhëndri me të bijën, pasi që dhoma nuk është e ndarë me mur. Zamira Kita është mjeshtre e të shprehurit të ndjenjave me anë të lëvizjeve të figurës së saj elegante. Ajo me shumë finesë i shoqëron lëvizjet e gjymtyrëve dhe mimikën me të folurit. Aktores nuk i duhen shumë fjalë për ta realizuar, për ta paraqitur ndjenjën, qëndrimin, ose monologun e brendshëm që të arrijë në nivele të përkryera artistike. Talenti i saj shumëfishon vlerat e realizimit të dramës. Është e natyrshme të thuhet se në realizimin e cilësisë së shfaqjes, ndikim të rëndësishëm përveç një teksti të mirëfilltë, regjisë dhe Zamira Kitës, është edhe loja e aktorëve të talentuar dhe me përvojë. Në këtë shfaqje, aktrimi i përsosur e bëri Zamira Kitën njërën nga aktoret më të dashura për mua.

Kur Frans thotë se arti është vetë njeriu, unë do të thoja se në shfaqjen “Vetëvrasësi” arti është kokë e thembër Zamira Kita. Pa bërë elozhe mund të them se aktorja nga Shqipëria amë, ka forcë kolosale për të qenë ndër më të mirat e skenës. Ajo është dhe do të mbetet heroinë e artit skenik kombëtar, por pse, jo edhe më gjerë. Thënia e Fransit se artin e kanë kërcënuar dy përbindësh: artisti që nuk është mjeshtër dhe mjeshtri që nuk është artist, më frymëzoi ta përkëdhel sadopak sedrën e një aktoreje modeste korçare që nuk lëvdohet se është e madhe, që luan për t’u dukur e madhe, sepse ajo është dhe do të mbetet e madhe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button