Kur shkollimi është e drejtë themelore e njeriut

Një kërkim i thjeshtë në Google do t’ju shpalosë faktet kryesore rreth Universitetit Ludwig Maximilian në Mynih: i themeluar në vitin 1472, sot ka mbi 50.000 studentë nga të cilët 16% janë student ndërkombëtarë. Nga ky universitet kanë dalë mbi 40 laureatë të Çmimit Nobel mes të cilëve edhe Wilhem Röntgen, Thomas Mann dhe Maks Plank. Në këtë universitet kanë studiuar edhe Konrad Adenauer e Bertolt Breht. Ky universitet konsiderohet si njëri ndër universitetet më prestigjioze në Evropë dhe rregullisht rangohet si njëri ndër unversitetet më të mira botërore. Kur në SHBA shtrohet pyetja cili është universiteti më i mirë atje, zgjedhjet janë mes Harvard-it dhe Yale-it, kur Britanezët pyeten për këtë, zgjedhja është mes Oksfordit dhe Kembrixhit, por kur në Gjermani parashtrohet e njëjta pyetje, përgjigja merret poashtu me pyetje: “Çfarë mendoni me shprehjen ‘universiteti më i mirë’? Për çfarë sfere të ‘më të mirës’ e keni fjalën? Ne kemi universitete të shkëlqyera gjithandej në vendin tonë, ndonjëri nga ato është më i miri në fizikë, tjetri në mjekësi, i treti në ekonomi, i katërti në drejtësi…” Kështu, në Gjermani nuk do të merrni një përgjigje definitive për këtë pyetje. LMU i Mynihut është i dyti universitet nga madhësia dhe numri i studentëve, ndërsa sa i përket kualitetit, karakterizohet si njëri ndër më prestigjiozët në Evropë. Dhe derisa në universitetet e Ivy ligës amerikane kualitetin e përcaktojnë çmimet e larta të pagesave të shkollimit, sa i përket kësaj çështjeje, Gjermania, por edhe shtetet tjera evropiane habisin me faktin kryesor lidhur me arsimimin e lartë: tek ata, studimet në të gjitha ciklet: deridiplomikë, magjistraturë dhe doktoraturë, janë pa pagesë.

Po pra, studentët që kanë fatin të studiojnë në universitete evropiane këtë e bëjnë pa paguar asnjë lek nga xhepi i tyre ose prindërve të tyre. Sepse pagesën e tyre të shkollimit e mbulon shteti, nga paratë që i mbledh pikërisht nga taksat dhe të hyrat tjera publike. Pra nga buxheti federal i Gjermanisë, dhe në veçanti nga buxheti i njësisë federale (Landit) financohet shkollimi i të gjithë studentëve që ndjekin mësim në këto universitete prestigjioze. Pra në LMU në Mynih, ku kanë studjuar Bertrolt Breht e Thomas Mann, dhe ku ka ligjëruar për shembull, Max Veber, studentët nuk paguajnë pagesa shkollimi, ndërsa kualiteti i mësimdhënies që ata e marrin dhe i hulumtimit që ata e bëjnë është kualitet i universiteteve të Ivy ligës në SHBA, ku pagesat e shkollimit janë afër 50.000 dollarë në vit. Si është kjo e mundur do të pyesni? Është e mundur në shtete të cilat kur e shpallin në kushtetutën e tyre se janë shtete sociale, këtë vërtet e mendojnë dhe e realizojnë. Edhe në kushtetutën e Maqedonisë shkruan se ajo është shtet social, por një studenti në Maqedoni, për të ndjekur arsimim kualitativ i duhen 16.000 euro për të mbaruar të tri ciklet e studimit, ndërsa studentit të Mynihut i duhen as më pak e as më shumë por vetëm zero euro për të studiuar në universitetin alumni i të cilit është edhe Konrad Adenauer. I bie që qytetarët e Maqedonisë të trajtohen nga shteti i tyre sikur të ishin me të ardhurat e Katarit, ku meqë ra fjala, poashtu nuk paguhet asnjë cent për shkollim nga qytetarët katarezë. I bie që qytetarët e Maqedonisë të jenë më të pasur edhe se katarezët edhe se mynhenasit, meqë mund t’ia ofrojnë vehtes luksin të paguajnë shuma të majme për shkollimin e fëmijëve të tyre!

Nuk është se qytetarët e Maqedonisë janë shumë të pasur dhe me shumë dëshirë investojnë tërë këto para me shpresë se fëmijët e tyre do të marrin një shkollim për të qenë. Dallimi është tek shumat që këto dy shtete i investojnë në universitetet e veta.

Kështu, Landi i Bavarisë investon vetëm në LMU (njëri nga shumë universitetet në Bavari) afro 500.000.000 (pesëqind millionë) Euro duke mos llogaritur këtu investimet në klinikën universitare të fakultetit të mjeksisë (bashkë me klinikën, investimet buxhetore të Bavarisë në LMU kapin shumën maramendase prej 1,7 MILIARDË Euro!). Krahasuar me Maqedoninë, universiteti ku unë punoj (UEJL), e që është njëri ndër më prestigjiozët në Maqedoni dhe sipas listës së Shangait është i ranguar i dyti në shtet në sferën e hulumtimit, nga shteti mer plot 500.000 (pesëqind mijë) Euro të mirëseardhura për një vit me shpresën e përhershme se kjo shumë do të rritet. Është e njëjta shumë sa merr edhe LMU nga Bavaria, vetëm ka tri zero më pak. Tri zero shumë domethënëse, sepse edhe buxheti i tërë shtetit tonë nuk arrin më shumë se 3.5 miliard Euro, sa buxheti i LMU-së për 2 vite rradhazi. Me një buxhet të tillë vështirë se mund të bëhemi shtet social, duke marrë parasysh se shkollimin kualitativ, shëndetësinë kualitative dhe kujdesin social kualitativ e paguajmë privatisht nga xhepi krahas taksave që i paguajmë për shtetin. Kur kësaj t’i shtohen edhe çmenduritë e viteve të kaluara kur nga paratë e buxhetit u financuan projekte si Shkupi 2014, dhe kur të drejtat bazë të njeriut u thyen përmes procesit të përgjimeve për të cilin, si që e shohim, ideatori dhe realizuesi kryesor, Mijalkov, në mënyrë të sofistikuar arrin të vazhdojë t’i shmanget dënimit, e kemi tërësisht të qartë gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhemi si shoqëri. Sepse për të parë nivelin e zhvillimit të një shoqërie duhet parë niveli i zhvillimit të arsimit të saj. Profesorët e LMU ku për momentin gjendem në një udhëtim studimor, treguan se edhe në kohërat e krizës më të madhe ekonomike të viteve të kaluara, për asnjë moment nuk u zvogëlua buxheti për arsimim dhe shkencë. Pjesë tjera të buxhetit janë zvogëluar por assesi pjesa e arsimit dhe shkencës, sepse ato janë motori i shoqërisë, janë ato që e mbajnë gjallë dhe e përparojnë shoqërinë, janë ato që sigurojnë të ardhmen e asaj shoqërie. Nëse shteti vërtet konsideron që e drejta e shkollimit është e drejtë themelore e njeriut, atëherë duhet që me investimet e veta qartazi ta tregojë këtë orientim.

Ndoshta kur të afrohemi edhe pak drejt Evropës, kur të hapim negociatat për aderim, do të detyrohemi ta ndryshojmë këtë qasje që e kemi drejt arsimimit. Ndoshta atëherë do të jemi më afërt të qenit shtet social, ashtu si që i shohim të jenë vendet evropiane. Por në mënyrë që të afrohemi tek ato vende dhe për të qenë në gjendje të jetojmë Ëndrën Evropiane, duhet së pari të dëshmojmë se kemi kapacitet për të vendosur drejtësi dhe përgjegjësi. Sepse Franca dhe Holanda e bënë të qartë që nuk do e heqin ndalesën e tyre që Maqedonia të hapë negociatat me BE pa pasur rezultate të dukshme në sferën e sundimit të ligjit. Ndërsa sundimi i ligjit nuk mund të vijë me amnisti të hapur ose të fshehur, ku njerëz si Mijalkov e të tjerë kanë qoftë edhe shansin më të vogël t’i ikin përgjegjësisë për krimet e bëra.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button