Si u themelua dhe veproi në Tetovë organizata ilegale “Besa” (1936)

Në saje të punës së madhe patriotike, kombëtare dhe intelektuale të mësuesit, ndër të parët në Tetovë, Shefqet Sulejmani, tashmë i ndjerë, i cili me pedanteri kishte shënuar në notesin e vet ngjarjet historike të periudhës 1936-1944, ku përfshihet edhe periudha e Tetovës nën administrimin e Shtetit Shqiptar, që konsiderohet si një epokë e Rilindjes kombëtare të tetovarëve, kur për herë të parë ngrihet zyrtarisht flamuri shqiptar në Tetovë, shfaqet drama e parë shqiptare, mbahen lirshëm plisat e bardhë, hapen shkollat e para në gjuhën shqipe, themelohen shoqata dhe grupe të ndryshme me aktivitete shoqërore-politike, arsimore dhe kulturore. Gjithë këtë tablo të jetës pra, e kemi trashëgim për brezat e ardhshëm dhe jemi mirënjohës për mësuesin Shefqet, i cili na la të shkruara në letër këto zhvillime të së kaluarës, për kujtesë të përhershme.

Sipas shënimeve të tij, që i pati në disponim autori i këtij shkrimi, në vitin 1936, viset veri-perëndimore të Maqedonisë së sotme të banuara me shqiptarë, që ishin nën regjimin monarkist sllav, ishin nën një trysni të egër të gjenocidit. Atyre u ndalohej arsimimi shqip, tokat e tyre u jepeshin kolonizatorëve serbë dhe malazezë, ndalohej deklarimi zyrtar i kombësisë shqiptare, ndërkohë që u bëhej presion për shpërngulje në Turqi.

Ismail Arsllani
Shkruan: Ismail Arsllani

Mësuesi Shefqet shkruante në “Ditarin” e tij se asokohe në Tetovë, nuk kishte ndonjë kapacitet industrial, pos Monopolit të duhanit, ndaj dhe popullata ka qenë e papunë dhe e varfër. Një numër zejtarësh kishin hapur dyqane, të cilët angazhonin edhe punëtorë, për zhvillimin e zejes së tyre. Kështu ishte edhe Punëtoria e rrobaqepësisë në Tetovë, që drejtohej nga Naxhi dhe Kadër Sulejmani. Në të punonte si çirak, edhe mësuesi i ardhshëm, Shefqet Sulejmani, i cili kishte vetëm 12 vjeç, ndaj dhe me vëmendje dëgjonte “debatet” politike që zhvilloheshin në këtë punëtori, ku ishin edhe Hysein Xhaferi (babai i Arbën Xhaferit) dhe Idriz Ibrahimi-Cërcëri,  rrobaqepës.

“Një ditë, në këtë punëtori vijnë Selim Shehapi dhe Idriz Cërcëri, të cilët, duke debatuar për atë se është koha që populli të organizohet kundër këtij regjimi shtypës, propozuan që të formohet një organizatë politike kombëtare në Tetovë, e cila do të vepronte në ilegalitet. Dhe, nuk kalon shumë kohë, në verë të vitit 1936, me nismën e tyre formohet në shtëpinë e Xheladin Efendiut, mësues i fesë islame, që gjendej në rrugën  “Beogradska” në Tetovë, një organizatë politike me taban kombëtar, me emrin “Besa”, – ka shkruar në “Ditarin” e tij, derisa ishte gjallë, mësuesi Shefqet Sulejmani.

Në mbledhjen e parë themeluese të organizatës politike kombëtare “Besa” kanë marrë pjesë Selim ef. Shehapi, filozof, Idriz Ibrahimi-Cërcëri, Hysein Xhaferi, Naxhi Sulejmani, Ismail Xhaferi (të gjithë rrobaqepës), Mahmut Zeqiri (Ahmeti) dhe Shefqet Sulejmani, në cilësinë e korrierit. Ky i fundit, me një strajcë shkollore i kishte bartur të gjitha dokumentet e nevojshme në shtëpinë ku mbahej mbledhja themeluese. Në të ishte zgjedhur kryetar i organizatës Selim Shehapi, ndërsa nënkryetar Idriz Ibrahimi-Cërcëri, si dhe ishte hartuar një program pune, që duhej të përpunohej dhe të zgjerohej.

Në programin e kësaj organizate ishin shtruar këto detyra: anëtarët e saj duhej të punonin në ngritjen e ndjenjës kombëtare të popullit, të zgjerohej organizata me njerëz të besueshëm, të propagandohej mos shkuarja në Turqi, të shkruheshin pamflete të ndryshme kundër regjimit, të cilat duhej të shpërndaheshin në mesin e popullit, për t’u  sqaruar gjendja e rëndë në të cilën gjendet, ndërsa një nga vendimet ishte edhe mbyllja e çajtoreve. Ndërkohë, duhej të organizohej rinia në qytet, sipas mundësive edhe nëpër fshatra,  ku do të formoheshin celulat e organizatës.

Shefqet Sulejmani
Shefqet Sulejmani

Për një kohë të shkurtër, organizata ishte vënë në funksion: në rajonin e “qendrës” angazhohet Kadër Sulejmani, rrobaqepës nga Tetova, Hilmi Rashiti, punëtor në “Monopol” të Tetovës, Harun Dehari  nga fshati Gjermë, i cili duhej të formonte një seksion në fshat, Veli Rexhepi nga Tetova do të punonte me bujq, Gani Luma nga Tetova ishte i angazhuar për punë me rininë e Lagjes së Sahatit, Mulla Ferik Hoxha dhe Hysni Abdullahu, që të dy nga Sllatina, duhej të aktivizonin rininë e fshatrave Sllatinë, Tearcë, Neproshten etj. Shumë shpejt, në aktivitetet e organizatës “BESA”, në “qendër”, u kyçën edhe Hafëz Muhamed Xhelili dhe Mulla Jahja nga fshati Shipkovicë, Xhevahir Zylbehari­ dhe Neim Aliu nga Strimnica, të cilët duhej të propagandonin dhe të formonin celula në fshatrat Strimnicë, Zhelinë e Leshnicë. Në fshatin Pirok angazhohet Garip Ademi-Dema, i cili duhej të formonte celula në rajonin e vet. Me celulat e formuara, ishte angazhuar të mbante kontakte Hysein Xhaferi, i cili duhej të jepte instruksione për veprimtarinë e mëtutjeshme.

Sipas Shefqet Sulejmanit, kjo organizatë shumë shpejt vendos “lidhjet” e veta me konsullatën e Shqipërisë, nga e cila kërkon ndihmë. Konsullata merr përsipër që të dërgojë mjete financiare, libra dhe materiale të ndryshme propaganduese, por kishte kërkuar që të gjendet një vend konspirativ, prej nga do të transportoheshin materialet për në Tetovë. Kreu i kësaj organizate kishte gjetur një “jatak” në Shkup, në objektin “Bojali-Han”, pronar i të cilit ishte Hasan ef. Shukriu, prej nga materialet në konspiracion të plotë i merrte njeriu i besueshëm i organizatës, karrocieri tetovar Byrhanedin Pupunca.

Këto aktivitete, përkundër ilegalitetit,  shumë shpejt i kishte “nuhatur”  pushteti i atëhershëm monarkist, ndaj dhe kishte nisur një hakmarrje të hapur represive ndaj shqiptarëve. Në vitin 1938, disa struktura serbo-bullgare kishin  bërë një strategji të përbashkët për provokimin e masave shqiptare, duke shkaktuar situata të tensionuara me sulme dhe rrahje përmasash të gjera ndaj shqiptarëve në pjesë të ndryshme qendrore të Tetovës. Kjo situatë i kishte detyruar shqiptarët që përkohësisht të  tërhiqeshin nëpër shtëpitë e tyre sapo lëshohej muzgu, por torturat edhe më tej vazhdonin. “Në këto rrahje kundër shqiptarëve dallohej një person, i njohur me nofkën “Çfarka”, i cili njihej si zullumqar. Ai sa herë që shihte shqiptarë, të cilët në atë kohë mbanin në kokë qeleshet e bardha, apo fesat, me strukturat e veta të organizuara vërsuleshin edhe në praninë e xhandarmerisë, e cila shtirej sikur nuk ndodhte asgjë. Një nga qëllimet e këtyre rrahjeve, pos shfryrjes së tyre shoviniste, ka qenë edhe trysnia e planifikuar ndaj shqiptarëve, që ata të detyroheshin që të shpërnguleshin në Turqi”, ka shkruar Shefqet Sulejmani.

Nga shkrimet paraprake të Ismail Arsllanit:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button