Dy të rinj nga Turqia përmes Ballkanit zgjodhën udhëtimin për “të gjetur veten

 Dy të rinj nga Turqia, të cilët këndojnë muzikë etnike në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, thonë se janë në ndjekje të njohurive në një rrugë në të cilën janë nisur për t’i arritur idealet e tyre.

Burak Yıldız (26) dhe Mehmet Gür (21), kanë vendosur një “tezgë” në gurët e çarshisë historike të Shkupit, ku në njërën anë performojnë muzikën e tyre, ndërsa nga ana tjetër, siç thonë, përpiqen “të gjejnë veten” në këtë rrugë.

Dy shokët, të cilët rrugëtimet e tyre i kanë bërë zakonisht me autostop, pasi kanë shëtitur gjerësisht Turqinë, kanë vendosur të bëjnë një “mini-turne ballkanik” me ftesë të miqve të tyre në Maqedoni.

Ata fillimisht kanë vizituar Shqipërinë dhe më pas kanë ardhur në Maqedoni. Dy të rinjtë, nevojat e tyre ditore i mbulojnë duke performuar pjesë muzikore dhe duke shitur gjësende të bëra në mënyrë artizanale.

Duke rrëfyer për Anadolu Agency (AA) dashurinë për muzikën, Yıldız thotë se nuk kanë asnjë “telash” në rrugëtimin e tyre dhe se përpiqet që ta kontrollojë kohën e tij.

“Më parë, kur njerëzit kanë pyetur dikë për sasinë e pasurisë, e kanë pyetur me fjalët: ‘E ke në rregull hallin dhe kohën?’. Andaj, edhe unë u nisa në rrugëtim për ta pasur në rregull hallin dhe kohën”, shprehet Yıldız.

Nëntë vite më parë, Yıldız është regjistruar në universitet për të studiuar gazetarinë, por më pas ka vendosur të mos jetë gazetar, por, siç thotë ai, të gjejë veten dhe të ndjekë muzikën dhe tingujt.

Ai nuk ka marrë asnjë shkollë të muzikës, ndërsa thotë se kjo është hera e dytë që udhëton jashtë vendit.

“Herën e parë shkova në Arabinë Saudite, ndërsa tani gjendemi në Ballkan. Fillimisht shkuam në Shqipëri, kurse tani erdha në Maqedoni. Është shumë bukur. Pyes veten se pse nuk kam ardhur më herët në Ballkan, se pse ‘kjo hartë ishte e errët’. Do të vij edhe një herë këtu, sepse është vend shumë i bukur”, thotë Yıldız.

Yıldız thekson se dëshiron të shohë gjithë botën duke udhëtuar dhe se synimi i tij i ardhshëm është Irani, e më pas edhe India.

“Shqiptarët janë njerëz shumë të mirë”

Yıldız, i shoqëruar nga Mehmet Gür në turneun ballkanik, rikujton njohjen me bashkudhëtarin e tij gjatë një udhëtimi në Turqi, ndërsa thekson se qëllimi i tyre është “të gjejnë veten” në saje të rrugëtimit.

Ai e cilëson si “tejet zbavitës” udhëtimin e tyre me autostop dhe thotë se problemin e sigurisë e kanë tejkaluar përmes “kontaktit mes zemrave”.

Yıldız nga Turqia ka udhëtuar drejtpërdrejt me avion në Tiranë, pasi, siç tha, është dashur të pajiset me vizë nga Greqia dhe Bullgaria për të udhëtuar përmes rrugëve tokësore.

“Rrofshin shqiptarët! Janë njerëz shumë të mirë. Na mësuan shumë gjëra të mira. Çdo gjë e kanë të mirë, djathin, mishin”, shprehet ai, duke treguar përvojat e tij atje.

I riu nga Turqia e cilëson si shpresëdhënës për unitetin praninë e dyqaneve me pronarë shqiptarë, turq dhe maqedonas në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Duke folur për llojin e muzikës që luan, Yıldız thotë se më së shumti merren me muzikë etnike dhe se në çdo vend që vizitojnë përpiqen të mësojnë pjesë të ndryshme muzikore në gjuhë të ndryshme.

Synojnë të takohen sërish në Iran

Nga ana tjetër, Mehmet Gür, thotë se shokët e tij me të cilët ka bërë udhëtime i ka njohur gjatë studimeve në degën e Historisë së Arteve në Izmir, me ç’rast ka vendosur të nisë aventurën e udhëtimeve.

Ai ndien dashuri për profesionin e tij, por thotë se nuk dëshiron të qëndrojë në një vend.

“E gjithë bota është një shkollë shumë e madhe, andaj unë zgjodha të avancoj në këtë mënyrë”, thekson ai.

Gür thotë se ka qëndruar në Shqipëri një muaj dhe se do të ngelet në Maqedoni deri në mes të muajit nëntor, ndërsa shton se përpiqet maksimalisht të mësojë muzikën e rajoneve që viziton.

Ai thotë se gjatë qëndrimit në Shqipëri, ka vizituar vende ku është e pranishme kultura sufiste dhe është përpjekur të mësojë këngë në gjuhën shqipe.

“Prioritet i imi është muzika dhe të përfitoj përvoja aq sa mundem. Synoj fillimisht të kem një instrument, pasi aktualisht vetëm këndoj së bashku me shokët. Mendoj se nëse arrij të kem një instrument, atëherë do të mund të shprehem edhe më mirë në këtë aspekt”, thotë Mehmet Gür.

Gür më tej tregon se destinacioni i radhës pas Maqedonisë do të jetë Irani dhe se dëshiron të blejë instrumentin iranian me tre tela të quajtur “setar” dhe të mësojë gjëra të reja.

Yıldız dhe Gür, të cilët do të ndahen pas qëndrimit në Maqedoni, shpresojnë të takohen sërish në Iran.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button