Komisioni e miratoi kërkesën e Gjykatës për marrjen e mandatit të Gruevskit, votimi vazhdon në seancë plenare

Edhe pse Komisioni për Çështjen e Mandatit dhe Imunitetit sot në Parlamentin e Maqedonisë me pesë vota ‘për’ nga nëntë gjithsejt e ka miratuar kërkesën e Gjykatës për marrjen e mandatit të deputetit Nikolla Gruevski, kërkesa pritet të hidhet poshtë kur të del në votim përfundimtar, në seancë plenare që pritet të mbahet të premten, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Komisionit, Pavle Bogoevski tha se në këtë komision e diskutojnë kërkesën e Gjykatës, të nënshkruar nga gjykatësja Dobrilla Kacarska, dërguar deri te Kuvendi i Maqedonisë për marrje të mandatit të ish kryeministrit Nikolla Gruevski sepse ai nuk është i denjë për kryerjen e funksionit prej deputeti për arsye se është i dënuar për vepër penale.

Ai shtoi se pajtohet me konstatimin e Gjykatës se “Nikolla Gruevski nuk është i denjë për kryerjen e funksionit prej deputeti” sepse, siç tha ai, e ka tradhtuar popullatën.

“Po, Gruevski nuk është i denjë ta kryejë funksionin deputet. Ai është i dënuar për keqpërdorim të funksionit, keqpërdorim të pushtetit dhe keqpërdorim të besimit të qytetarëve. Për këtë Gruevski nuk është i denjë për të marrë pagë si deputet”, tha Bogoevski.

Nga ana tjetër, deputeti nga VMRO-DPMNE, Trajko Veljanovski e quajti këtë “proces të montuar politik” dhe se, sipas tij, bëhet fjalë për veturë me të cilën janë vozitur dhe voziten mysafirë të huaj, prandaj deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit janë kundër marrjes së mandatit.

“I gjithë opinioni maqedonas dhe opinioni ndërkombëtar është i vetëdijshëm se në Republikën e Maqedonisë kryhet presion politik ndaj popullit dhe institucioneve, ndërsa procesi kundër Nikolla Gruevskit është politik. Me veturën, që është lëndë e veprës penale janë vozitur dhe po vozitën të gjithë mysafirët e huaj. Këto janë politika të këtij pushteti me të cilat shkelet populli maqedonas, prandaj deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni do të votojnë kundër marrjes së mandatit të Nikolla Gruevskit”, tha deputeti  Veljanovski.

Pas fjalimit të tij, gjithë deputetët e opozitares VMRO-DPMNE-së u larguan nga salla dhe u votua për marrjen e mandatit.

Më pas, grupi i pavarur i deputetëve, tani më të ish VMRO-DPMNE-së që votuan për ndryshimet kushtetuese edhe pse nuk janë anëtarë të këtij komisioni erdhën në sallë për të dhënë mesazhin e tyre se NUK do të votojnë për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit në seancën plenare.

“Do të votojmë kundër marrjes së mandatit të Nikolla Gruevskit” tha deputeti Krste Mukovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button