Himn për shtetin e mirë dhe njerëzit e lumtur

Jetoj në shtetin e mirë me shkallë të ulët papunësie; ku rrogat janë solide; ku jetohet qetë dhe pa brenga; ku të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit; ku ka sistem të përsosur juridik, politik, të sigurisë, pensional, arsimor, shëndetësor, ekonomik, bujqësor, sportiv; ku mendimi dhe shprehja e lirë garantohen me kushtetutë; ku respektohet kritika kundër pushtetit dhe nuk ka (vetë)censurë; ku punësimet varen nga aftësia profesionale dhe jo përulësia partiake; ku rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë të rralla.

Në shtetin e mirë nuk ka ndasi kombëtare. Qytetarët, pa dallim përkatësie etnike, janë shtetformues, çdo gjuhë është zyrtare, çdo dokument përkthehet në gjuhë të ndryshme, çdo tabelë është shumëgjuhësore, çdo gjuhë konsiderohet pasuri botërore.

Në shtetin e mirë gjykatat janë të pavarura, gjykatësit janë kompetentë, me dinjitet të lartë moral e profesional. Askush nuk dënohet pa faj. Për ndikime politike as që bisedohet. Burgjet janë me standarde të larta, me kushte të mira higjienike, me shërbime cilësore për risocializimin e të dënuarve.

Në shtetin e mirë policia është profesionale, efektive, mbrojtëse fanatike e ligjit dhe rendit. Shërbimet sekrete i mbrojnë qytetarët nga rreziqet e ndryshme. Përgjimet e paautorizuara ndalohen rreptësisht, sepse e cenojnë privatësinë e qytetarit.

Në shtetin e mirë ekonomia shënon vetëm rritje. Eksportohet shumë, kurse produktet e importuara kontrollohen që të mbrohet konsumatori. Bizneset private i paguajnë shumë mirë punëtorët dhe kujdesen për sigurinë e tyre në punë, ndërkaq për angazhime jashtë orarit të punës paguhen mëditje dyfish më të larta.

Në shtetin e mirë spitalet janë në shërbim të pacientit, kanë kushte të mira higjienike, aparatura moderne, mjekë dhe infermierë që paguhen shumë mirë.

Në shtetin e mirë pensionistët janë të kënaqur, sepse pensionet u mundësojnë jetë të paqme e dinjitoze, kurse shërbimet shëndetësore dhe barnat i kanë falas.

Në shtetin e mirë shkollat janë të bukura, me kabinete të ndryshme, salla sporti dhe mensa. Librat shkollorë janë shkruar me kompetencë shkencore dhe pa gabime gjuhësore.

Në shtetin e mirë, ku jetohet mirë, qytetet kanë ajër të pastër, ujë të kulluar, parqe të shumta, parkingje mbi e nëntokësore,  transport të lirë urban, të shpejtë e të saktë, rrugë të pastra, të rregulluara, të mirëmbajtura. Ndërtimet e reja bëhen sipas planit të detajuar urbanistik dhe arkitektonik. Për fëmijët ka parqe speciale argëtimi, me lodra që nuk e rrezikojnë shëndetin e tyre. Objektet kulturore dhe historike ruhen me xhelozi.

Në shtetin e mirë komunat janë në shërbim të qytetarëve dhe e marrin në konsideratë çdo kërkesë dhe ankesë të tyre. Administrata është profesionale. Nuk ka punësime partiake. Qytetari për gjithçka informohet me shkrim. Për çdo padrejtësi atij i kompensohet dëmi i shkaktuar pa dashje.

Në shtetin e mirë mediat janë profesionale, të lira, të pavarura nga ndikimet politike, klanore, ekonomike apo informale. Dezinformata është e rrallë dhe ndodh për shkak të ndonjë gabimi të paqëllimshëm. Gazetarët, para se t’i botojnë artikujt gazetareskë, disa herë i verifikojnë të dhënat. Ata bazohen në burime të pavarura, e dëgjojnë palën tjetër dhe nuk korruptohen. I shërbejnë publikut dhe jo politikës. I mbrojnë të drejtat autoriale. Tekstet e tyre kontrollohen nga redaktorët me përvojë, nga lektorët e aftë dhe nga korrektorët, kurse para se të botohen lexohen edhe nga avokatët e redaksisë, që të shmangen cenimet eventuale të nderit apo dinjitetit personal të ndonjë qytetari. Për gazetarët gjuha e urrejtjes është e panjohur. Mediat publike informojnë saktë, shpejtë, me ndershmëri, përgjegjësi e profesionalizëm, ashtu siç e parashohin normat e gazetarisë.

Në shtetin e mirë lulëzon arti, kurse artistët janë të respektuar. Muzika që krijohet është mahnitëse, tekstet e këngëve janë mbresëlënëse dhe me vlera të larta artistike. Çdo qytet e ka teatrin profesionist, galerinë kombëtare, muzeun historik e modern apo arkivat e ndryshme.

Në shtetin e mirë elita intelektuale është truri i kombit dhe ka qëndrim kritik ndaj çdo fenomeni negativ në shoqëri. Ajo është e organizuar, mbipartiake, në shërbim të së vërtetës dhe me mjaft ndikim në shoqëri. Në shtetin e mirë pedagogët dhe studentët e ngrenë zërin kundër çdo padrejtësie. Për studentët janë ndërtuar konvikte me kushte të mira banimi e mensa studentore me ushqim cilësor e të lirë.

Në shtetin e mirë sektori joqeveritar nuk e njeh formulën: rruga deri tek qeveria kalon nëpërmjet organizatave joqeveritare.

Në shtetin e mirë çdo katund ka klube sporti, ka fusha e salla sportive. Për fëmijët e talentuar organizohen gara speciale, kurse për më të talentuarit sigurohen bursa të veçanta.

Në shtetin e mirë qytetarët janë të kënaqur me përfaqësuesit e tyre, sepse i kanë zgjedhur më të mirët. I kanë zgjedhur me vullnet të lirë, në zgjedhje të lira dhe demokratike, pa presion partiak e shtetëror. Listat zgjedhore janë të sakta dhe pa votues fiktivë. Të vdekurve u ndalohet votimi.

Në shtetin e mirë opozita është e heshtur, sepse nuk ka çfarë të kritikojë. Ajo aktron opozitën, sepse, tërthorazi, është pjesë e pushtetit.

Në shtetin e mirë qytetarët përfaqësohen nga ministrat më të aftë, me integritet të lartë moral e profesional, të cilët nuk e keqpërdorin paranë publike. Deputetët janë të përkushtuar, të dinjitetshëm, të urtë, me kulturë leximi, të hapur me votuesit. Ata shpesh organizojnë takime me votuesit, ku i dëgjojnë kërkesat dhe ankesat e tyre. Deputetët japin llogari për çdo vonesë në realizimin e premtimeve parazgjedhore. Drejtorët e institucioneve publike janë kompetentë, të përkushtuar, menaxhues të ndershëm dhe respektues të ligjeve.

Pasi partitë në pushtet i realizojnë premtimet parazgjedhore, ato votohen në çdo cikël zgjedhor. Qytetarët i votojnë sepse e çmojnë punën e tyre. I votojnë sepse u besojnë. I votojnë sepse u pëlqen projekti dhe vizioni i tyre. Asnjë politikan nuk jep dorëheqje, sepse nuk ka ndodhur ndonjë shkelje ligjore nga ana e tyre.

Në shtetin e mirë jetohet bukur, njerëzit janë të lumtur dhe i respektojnë të zgjedhurit e tyre, që i votojnë me vite.

Është mirë të jetosh në shtetin e mirë, qoftë edhe në ëndërr.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button