fbpx

Zv/kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s u takua me shefin e ARM-së

Zv/kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Steven Shepro, pas takimit me shefin e Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), Vasko Gjurçinovski, ka vlerësuar punën e pjesëtarëve të ARM-së në misionet ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjeneral-lejtënant Steven Shepro kryeson përfaqësuesit ushtarakë të vendeve anëtare të Komitetit Ushtarak të NATO-s, të cilët gjatë këtyre dy ditëve qëndrojnë për vizitë në Maqedoni. Ata më herët u pritën nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ku u njohën me arritjet, gatishmërinë dhe planet e ardhshme të Maqedonisë dhe forcave të armatosura të saj për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.

Shepro theksoi se Maqedonia është një partner i NATO-s për më shumë se një dekadë, vend me të cilin, siç tha ai, bashkëpunojnë dhe po afrohen më shumë.

“Shumë nga ne në Komitetin Ushtarak jemi të njohur me ushtarët tuaj dhe me profesionalizmin e tyre. Me vite kemi parë si ato punojnë së bashku në vende si Afganistani, ku për momentin japin mbrojtje të paçmueshme në misionin e trajnimit, këshillimit dhe udhëzimit të forcave afgane”, deklaroi Sherpo.

Ndërkaq, shefi i ARM-së theksoi se vizita e përfaqësuesve ushtarak të Komitetit Ushtarak të NATO-s në Maqedoni tregon qasjen e hapur dhe të sinqertë, si dhe gatishmërinë e të gjithave vendeve anëtare të NATO-s për mbështetje të Maqedonisë për t’u anëtarësuar në këtë Aleancë.

Duke theksuar se ARM-ja është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s, Gjurçinovski tha se, “Pjesëmarrja e tyre prej shumë vitesh në misionet e udhëhequra nga NATO dhe mësimet e mësuara nga pjesëmarrja në shumë trajnime ndërkombëtare janë dëshmi se oficerët, nënoficerët dhe ushtarët profesional të armatës janë plotësisht të ndërveprueshëm me kolegët e tyre të vendeve të Aleancës. Me anëtarësimin tonë NATO do të ketë edhe një aleat tjetër ku ashtu si deri më tani do të mund të mbështetet”.

Gjatë ditës së nesërme, në kazermën “Ilinden” në Shkup është planifikuar edhe stërvitje për demonstrim të aftësive operative të pajisjeve dhe teknikës së një pjese të njësiteve të deklaruara nga Komanda e Bashkuar Operative.

Komiteti Ushtarak është trup më i lartë ushtarak konsultativ i NATO-s, i formuar disa muaj pas formimit të Aleancës, ndërsa e përbëjnë shefat e Shtatmadhorive të Armatave të vendeve-anëtare të NATO-s. Komiteti Ushtarak në nivel të shefave takohet tre herë në vit, derisa përfaqësuesit ushtarakë të vendeve të NATO-s të paktën një herë në javë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button