Washington Post: 45 princa dhe biznesmenë ende nën arrest në Arabinë Saudite

Dyzet e pesë princa dhe biznesmenë sauditë ende gjenden nën arrest në Riad pas fushatës së gjerë të arrestimeve të vitit të kaluar me akuzën e korrupsionit, gjatë së cilës dhjetra princa dhe njerëz nga bota e biznesit ishin arrestuar dhe mbaheshin në hotelin me pesë yje Ritz Carlton, ka pohuar një artikull në gazetën amerikane Washington Post, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në hyrje të artikullit të nënshkruar me emrat Kevin Sullivan dhe Kerim Fehim, është përmendur princi saudit 47-vjeçar Turki al-Faisal i cili mbahet i arrestuar pa ndonjë akuzë zyrtare.

Ndërkaq, thuhet në artikull, shefi i shtabit të princit Truki al-Faisal, i cili thuhet të jetë arrestuar me akuzën për korrupsion në ndërtimin e metrosë në Riad, gjenerali Ali al-Qahtani, gjithashtu është arrestuar dhe ka vdekur në paraburgim në rrethana të cilat kurrë nuk janë shpjeguar plotësisht.

Në artikull po ashtu theksohet se në fillim të këtij viti, kryeprokurori i Arabisë Saudite ka thënë se 56 njerëz ngelen të mbyllur, se disa janë subjekt i hetimeve penale dhe se me më shumë se 106 miliardë dollarë në para të gatshme, pasuri të patundshme, biznese, letra me vlerë dhe asete të tjera janë konfiskuar në operacionin kundër korrupsionit.

Sipas njoftimeve të shumta të mediumeve, thuhet më tej, disa prej të ndaluarve janë duke u mbajtur në burgun e sigurisë së lartë al-Hair në jug të Riadit, ndërsa të tjerët thuhet se janë mbyllur në shtëpi private dhe mbajnë pranga elektronike vëzgjuese.

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe analistë të tjerë kanë thënë se princi i kurorës Mohammed bin Salman mund të jetë duke u përgatitur për lirimin e më shumë të burgosurve për të zbutur zemërimin ndërkombëtar pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi më 2 tetor, me ç’rast javën e kaluar u lirua princi 56-vjeçar Khaled bin Talal, theksohet në artikull.

“Ata nuk duan të bëjnë një gjë të tillë, por janë nën presion, dhe e bëjnë këtë për ta reduktuar presionin”, është cituar Yahya Assiri, aktivist saudit i të drejtave të njeriut i cili jeton në Londër.

Ndërkaq, Adam Coogle, eksperti i Human Rights Watch për Lindjen e Mesme, e ka cilësuar lirimin e Khaled bin Talalit si “përpjekje për të treguar unitet familjar”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button