Me botimin “Kultura e gjuhës për të gjithë”, Asllan Hamiti porositë ta ruajmë gjuhën të pastër, siç e ruajmë trupin

Për të arritur një shkallë të lartë të kulturës së gjuhës, njeriu duhet të kujdeset jo vetëm në shkollimin parauniversitar e universitar, por duhet të punojë gjatë gjithë jetës. Gjuha është një oqean i pafund me pasuri e mundësi të pashtershme, mirëpo aftësia dhe mënyra e shfrytëzimit të kësaj pasurie te njerëzit është e shumëllojshme.

Kështu shkruan profesori universitar, Asllan Hamiti, në botimin e tij shkencor më të ri “Kultura e gjuhës për të gjithë”, me të cilin, i nxit dhe u bën thirrje të gjithë studiuesve të gjuhës shqipe, intelektualëve, pedagogëve, shkrimtarëve, gazetarëve, nxënësve, studentëve dhe gjithë folësve e shkruesve të shqipes që në veprimtarinë e tyre ta përdorin drejt shqipen standarde, transmeton Portalb.mk.

“Këtë shqipe të fituar me gjak e me djersë duhet ta ruajmë edhe ne, si dhe t’ua lëmë trashëgim pasardhësve tanë, si elementin më të rëndësishëm të qenies sonë kombëtare. Po të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi ndaj paraardhësve tanë si dhe obligimin që kemi ndaj brezave që vijnë, do të dimë çfarë qëndrimi duhet të kemi e çfarë duhet të bëjmë për gjuhën shqipe. Nëse nuk mund të bëjmë më shumë për shqipen, atëherë së paku të mos e harrojmë, shpërfillim, përziejmë, shtrembërojmë, ndotim e prishim. Rëndom, ashtu siç duhet të kujdesemi gjithnjë për pastërtinë e trupit tonë, mjedisin dhe përgjithësisht për natyrën; ashtu duhet të kujdesemi edhe për pastërtinë e ligjërimit tonë (kur flasim e kur shkruajmë)”, thotë profesori Hamiti.

Recensentja e librit dhe profesoresha universitare, Ajten Hajdari-Qamili, vlerëson se libri në fjalë ka vlera të veçanta pasi që do t’u ndihmojë shumë shqiptarëve të të gjitha profileve për të përmirësuar kulturën gjuhësore.

“Libri Kultura e gjuhës për të gjithë, i cili ka gjashtë kapituj I. Çështje të përgjithshme të kulturës së gjuhës, II. Stilet funksionale në gjuhën shqipe, III. Drejtshkrim e drejtshqiptim, IV. Zbatim i normave morfologjike, V. Leksiku i shqipes dhe përdorimi i tij dhe VI. Shqipja në Maqedoni, është një libër shumë me vlerë, i cili u dedikohet të gjithë lexuesve dhe ka për qëllim të përmirësojë kulturën e gjuhës te nxënësit, studentët, arsimtarët, përkthyesit, shitësit, administratorët, farmacistët, afaristët, avokatët, gazetarët, politikanët, mjekët etj., sepse është përqendruar në disa gabime më të shpeshta drejtshkrimore që hasen në praktikën tonë të përditshme”, thotë për Portalb.mk, profesoresha Hajdari-Qamili.

Kultura e gjuhës, siç shpjegon profesori, është tashmë një prej degëve të mirënjohura të gjuhësisë, që merret me studimin dhe përcaktimin e normës letrare në të gjitha rrafshet e sistemit të gjuhës, me zbulimin e prirjeve të zhvillimit të gjuhës letrare për të ndikuar mbi të në pajtim me këto prirje, si dhe me rrugët për përvetësimin e zbatimin e normës letrare. Kultura e gjuhës kuptohet, gjithashtu, si kujdesi për të shkruar e për të folur gjuhën letrare sipas rregullave përkatëse e sipas modeleve më të mira të pranuara nga shoqëria në një periudhë të caktuar.

Libri ka për qëllim ngritjen e vetëdijes sonë se ruajtja e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës, zbatimi i saj në praktikë është jo vetëm detyrë individuale e çdo shqiptari, por edhe detyrë kombëtare, sepse pastërtia e gjuhës është treguesi më i mirë i ruajtjes së pastërtisë së kombit. Parashikohet se me globalizimin e botës, në dy shekujt e ardhshëm do të vdesin gjysma e gjuhëve të popujve të vegjël.

“Epoka jonë është epokë e ngritjes historike, e pasurimit dhe e forcimit të identitetit gjuhësor e kombëtar. Ta duam, ta ruajmë, ta mësojmë e ta studiojmë gjuhën amtare, sepse ashtu do të ta ruajmë qenien tonë kombëtare”, thekson profesori Hamiti.

Të interesuarit, librin mund ta gjejnë në bibliotekën e Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqiptare në Shkup.

BIOGRAFIA E AUTORIT

Asllan Hamiti është profesor universiteti, hartues tekstesh mësimore dhe studiues i shqipes. Ai lindi më 20. 05. 1960 në fshatin Goden të Gjilanit, Republika e Kosovës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e mbaroi në Shkup me sukses të shkëlqyeshëm. Fakultetin e Filologjisë, Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare në Shkup e kreu më vitin 1985 me notë mesatare mbi nëntë.

Magjistroi dy herë: në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë (1992) dhe në Fakultetin e Filologjisë në Shkup (1994). Doktoroi në Universitetin e Shkupit në temë “E folmja shqipe e Karadakut të Shkupit” më vitin 1999.

Prof. dr. Asllan Hamiti
Prof. dr. Asllan Hamiti

Që nga viti 1986 punon në universitet, përkatësisht në Katedrën e Gjuhë dhe të Letërsisë Shqiptare në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” të Shkupit, duke u zgjedhur në vijimësi praktikant (1986) e më pas u zgjodh asistent i ri (1988), asistent (1994), docent (1999), profesor inordinar (2004) dhe në titullin e përhershëm, profesor i rregullt (2009).

Në punën pedagogjike tani më mbi tridhjetëvjeçare ka mbajtur e mban mësim në studimet themelore, të magjistraturës e të doktoraturës. Ka qenë ose është titullar i disa lëndëve në fushën e gjuhësisë: Fonetikë e gjuhës shqipe, Gramatikë e gjuhës shqipe, Dialektologji shqiptare, Histori e gjuhës shqipe, Drejtshkrim, Drejtshqiptim, Praktikum i gjuhës shqipe, Gjuhësi indoevropiane, Shkrim akademik, Metodat e kërkimit shkencor, Kulturë gjuhe, Histori e shqipes standarde, Filologji shqiptare etj.

Është mentor i licencuar (akredituar) në fushën e Gjuhësisë Shqiptare për udhëheqjen shkencore të kandidatëve për studimet e masterit e të doktoraturës. Ka qenë e është udhëheqës shkencor i dhjetëra kandidatëve me prejardhje jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Kosova e Shqipëria për magjistraturë (tani master) dhe doktoraturë në Universitetin e Shkupit.

Krahas punës së frytshme pedagogjike dhe arsimore, ka dhënë ndihmesë të madhe edhe në organizimin dhe mbarëvajtjen e punës së Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare të Fakultetit të Filologjisë si dhe përgjithësisht të arsimit të lartë në Maqedoni. Katër vjet rresht, 2008-2011 kreu detyrën e përgjegjësit të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqiptare, ndërsa nga viti 2011-2014 ushtroi detyrën e përgjegjësit të studimeve të shkallës së tretë – studimeve të doktoraturës në Shkencën e gjuhësisë në Universitetin “Shën Qirili e Metodi” në Shkup. Ka mbajtur e mban mësim edhe në disa universitete në Kosovë.

Prof. dr. Asllan Hamiti ka marrë pjesë edhe në disa projekte kërkimore-shkencore: si anëtar “Të folmet shqipe në Maqedoni” (1995-1997) dhe si bartës i projektit “Vëzhgime krahasuese fonetike-fonologjike ndërmjet shqipes dhe maqedonishtes” (2000-2003). Në detyrën e ekspertit vendor gjatë viteve 2005/2006 qe angazhuar në projektin ndërkombëtar “Pace-2” të udhëhequr nga Britich Cancil.

Përgatitja e tij e shkëlqyeshme profesionale e pedagogjike dëshmohet edhe me botimin e teksteve mësimore për arsimin parauniversitar e universitar. Si autor ose bashkautor deri më tani ka hartuar dymbëdhjetë libra shkollorë: tetë libra mësimorë me fletore pune për arsimin fillor, një për arsimin e mesëm, tri tekste universitare dhe mbi 100 punime kërkimore, me pjesëmarrje në shumë konferenca shkencore.

Përgjithësisht, shkrimet e tij i përshkon profesionalizmi, mbështetja në literaturë të gjerë, serioziteti, përkushtimi, saktësia, objektiviteti, korrektësia, qartësia si dhe njohja e thellë dhe zbatimi i mundësive shprehëse të shqipes. Kur lexon tekstet e tij mësimore e kërkimore- hulumtuese del në pah se ai ka përgatitje solide profesionale, njeh metodologjinë e punës shkencore dhe mbarështron e shtjellon materien në shqyrtim me stil shkencor e gjuhë të rrjedhshme, të thurur për lakmi.

Prof. Asllani është laureat i çmimit shtetëror “Goce Dellçev” i dhënë si mirënjohje shoqërore për arritje të vazhdueshme në fushën e shkencës, që kanë vlerë të madhe për afirmimin e shkencës brenda shtetit dhe në arenën ndërkombëtare për vitin 2014. Po kështu, më vitin 2016 fitoi çmimin “13 Nëntori”, Dita e çlirimit të Shkupit, për ndihmesë të veçantë shumëvjeçare në fushën e shkencës e të arsimit, që kontribuojnë për afirmimin e qytetit të Shkupit e më gjerë. Ai është anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button