Xhafaj: Ika nga ministër që t’i përkushtohem rolit të ligjvënësit

Ministri në ikje Fatmir Xhafaj ka dalë në një konferencë për shtyp pasditen e kësaj të hëne, ku bëri një ryzeme të punës së bërë gjatë kohës që ai ishte në krye të kësaj ministrie. “Histori suksesi” i quan, Xhafaj aksion e bëra së fundi në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, duke thënë se përpara ligjit janë të gjithë të vërtetë. Xhafaj ka treguar edhe arsyet e largimit. “Kam vendosur të shkëputem nga pesha e përditshme e përgjegjësive ekzekutive për t’ju përkushtuar rolit të respektuar të ligjvënësit duke ju bashkuar angazhimit të kolegëve të mi për implementimin e Reformës në Drejtësi, ngritjen e institucioneve drejtuese të sistemit dhe veçanërisht përshpejtimit të procesit për ngritjen e BKH dhe SPAK”, tha ai, transmeton Gazeta Shqip.

Një pjesë e fjalës së Xhafajt

Sikurse jeni informuar, Kryeministri Rama ka pranuar dorëheqjen time nga detyra e ministrit të Brendshëm. Sot, jam krenar se në këto muaj kemi mundur të bëjmë disa suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend.

  1. Lufta kundër kultivimit e trafikimit të kanabisit – ishte një ndër prioritetet tona kryesore dhe ndër të parat premtime publike që ne e kemi përmbushur plotësisht.

Kemi përmbyllur operacionin e madh të anti-kanabisit të këtij viti. Po pres me padurim të shoh rezultatet e certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen.

  1. Menaxhimi më i mirë kufijve, me objektiv kryesor frenimin e fenomenit të azil kërkimit dhe migracionit ilegal ishte një tjetër prioritet i rëndësishëm dhe i konsideruar i suksesshëm për ne në këtë vit të parë të këtij mandati. Me një punë të mirë organizuar, ne mundëm që brenda 12 muajve t’i kthejmë shifrat e azil kërkimit nga një histori dështimi në një histori suksesi.
  2. Lufta kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit” padyshim që ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kyç.

Në afro 11 muaj janë zhvilluar rreth 22 operacione policore, janë goditur dhë ndëshkuar 11 grupe të strukturuara kriminale të skeduara nga TFSQ, me mbi 175 persona të arrestuar drejtues dhe anëtarë të këtyre grupeve kriminale, si dhe janë sekuestruar vetëm prej tyre rreth 20 milionë euro pasuri. Disa procese hetimore janë në fazën e finalizimit të tyre dhe shpresoj që shumë shpejt të ketë rezultate të tjera në kuadrin e këtij operacioni.

  1. Reforma e filluar për një marrëdhënie të re me qytetarët, përmes Policimit në Komunitet – ka qenë një tjetër prioritet i rëndësishëm i angazhimit tonë. Projekti ynë i ‘Policimit në Komunitet’ ka synuar ta thellojë dhe të konsolidojë atë kredibilitet të pamohueshëm që ka arritur ajo në sytë e qytetarëve.
  2. Kemi mundur që të konsolidojmë një bashkëpunim të shkëlqyer ndërkombëtar me agjencitë ligj zbatuese më të njohura ndërkombëtare të shprehura në një marrëdhënie besimi si kurrë ndonjëherë më parë. Policia shqiptare është për ta sot një partner jo vetëm i besueshëm, por edhe një partner serioz dhe profesional në angazhime të përbashkëta në luftën kundër krimit, veçanërisht atij të organizuar.
  3. Reformimi i strukturave të policisë i shoqëruar me një afirmim të dukshëm të integritetit të ekipit të ri drejtues në Policinë e Shtetit – ka qenë prioriteti tjetër i rëndësishëm në fokusin e angazhimit tonë.

Po largohem nga kjo detyrë, rrjedhojë e një vendimi të pa imponuar nga ndonjë rrethanë objektive, apo subjektive, por si një vendim i marrë besoj në kohën e duhur, pasi përmbusha, besoj, më së miri objektivat kryesore që i vura vetes në ditën kur vendosa ta pranoja dhe ri-pranoja këtë sfidë.

Ndjej keqardhje, për atë pjesë të politikës Shqiptare, e cila në debatin për mua si person, apo në diskutimet mbi Policinë e Shtetit, është sjellë, pak të thuash diletante dhe e papërgjegjshme. Në jo pak raste edhe jo humane. Në një kohë që do të duhej që politika të sillej ndryshe, që edhe atëherë kur ka vend për të thënë diçka, ka disa mënyra për ta thënë atë pa dëmtuar interesat e qytetarëve.

Por, natyra dhe edukimi im familjar, eksperienca ime politike dhe ajo jetësore më ka bërë që deri në fund të qëndroj në respekt të ligjit dhe të jem sa më institucional dhe i përgjegjshëm në gjithë konfliktin politik, që opozita krijoi me mua dhe për mua. Duke përfshirë këtu edhe manipulimin komplet kriminal të bërë në çështjen e audio- përgjimit me një qëllim final: shantazhin ndaj meje në funksionin e ministrit. E për fat të keq në këtë orkestrim duket se janë përfshirë edhe segmente të disa agjencive ligj zbatuese vendase. Dua të nënvizoj edhe faktin se ky sulm jo vetëm ka në themel diletantizmin politik të opozitës, por ai edhe për këtë shkak, ka pas tij interesat e botës së krimit.

Kam qenë shumë i bindur se angazhimi im thelbësor për Reformën në Drejtësi, si dhe angazhimi impenjativ në fushën e rendit dhe sigurisë publike e specifikisht në luftën kundër krimit të organizuar ishte më së pari në kundërshtim me interesat e botës së krimit dhe njerëzve në keqpërdorim apo abuzim të pushtetit. Ndaj e kam pritur një kundër reagim të tillë nga të gjitha krahët.

Përballë këtij realiteti jam përpjekur të sillem si shtetar serioz edhe pse përpara kisha llumin e politikës.

Përvoja relativisht e gjatë në politikë më ka mësuar se nuk është e rëndësishme të jesh një nga ministrat, por rëndësi ka ajo çfarë bën si i tillë, gjurmët që lë, mënyrën se si e përdorë pushtetin dhe si i shërben kauzës për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe vetëm në interes të shoqërisë. Nuk ka rëndësi se sa kohë rri ulur në një karrige pushteti, po se çfarë bën e se si sillesh me të, nuk ka rëndësi se çfarë funksioni publik mban, por se si e ushtron atë, kush je dhe sa vlen, çfarë përfaqëson në raport me ligjin dhe interesat e qytetarëve.

Të shërbej, të lë gjurmë me rezultate konkrete, ky ka qenë i vetmi qëllim imi në këtë funksion. Shpresoj t’ia kem arritur. Koha do ta provojë për mua në radhë të parë, por edhe për ata që mund të më kenë paragjykuar, apo edhe për ata që fort janë përpjekur e kanë dëshiruar për të më penguar në këtë mision.

Kam vendosur të shkëputem nga pesha e përditshme e përgjegjësive ekzekutive për t’ju përkushtuar rolit të respektuar të ligjvënësit duke ju bashkuar angazhimit të kolegëve të mi për implementimin e Reformës në Drejtësi, ngritjen e institucioneve drejtuese të sistemit dhe veçanërisht përshpejtimit të procesit për ngritjen e BKH dhe SPAK.

Gjej rastin t’i uroj pasardhësit tim, ministrit të ri të Brendshëm shumë sukses në detyrën që shumë shpejt do të marrë, duke qenë i bindur se me eksperiencën dhe formimin që posedon, ai do t’ju qëndrojë, mbrojë dhe promovojë më tej vlerat e Policisë së Shtetit. Ai është tashmë në bordin e një treni të nisur, tren i cili uroj të eci edhe me më shumë shpejtësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button