Sobotka për Marrëveshjen e Prespës: Besoj se Greqia do të jetë përgjegjëse në zgjerimin e BE-së

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, duke folur për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës nëse ajo kalon në palën maqedonase dhe pengohet në palën greke, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) gjithmonë ishte partner i mirë për Greqinë në periudhat e vështira të saj dhe beson se edhe Greqia do të jetë partner i mirë në politikat e zgjerimit të BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Sobotka u prit me ceremoni zyrtare nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, pas së cilës realizuan një takim dhe u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Në pyetjen nëse procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, midis Maqedonisë dhe Greqisë, kalon me sukses në Maqedoni, por në Greqi dështon, Sobotka tha se strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor ka procedura të qarta për veprim dhe theksoi se Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm do të ndihmojë që të mund të fillohet me zgjerimin e BE-së, respektivisht me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Bashkimi Evropian gjithmonë ishte partner përgjegjës për Greqinë në periudhat e vështira që i përjetoi, jo vetëm gjatë krizës financiare, por edhe gjatë asaj që përjetuan me fluksin e refugjatëve. Bashkimi Evropian gjithmonë ishte partner i mirë dhe besoj se edhe Greqia do të jetë një partner i mirë dhe përgjegjës i Bashkimit Evropian me atë që ka të bëjë me këtë temë”, deklaroi Sobotka.

Ndërkaq, kryeparlamentari Xhaferi, nga ana e tij, theksoi se është fakt i pakontestueshëm se Austria gjatë viteve ka vërtetuar se është mike e sinqertë e Maqedonisë, me atë që siç tha ai, ka dhënë mbështetje pa rezervë, proaktive dhe të zëshme për proceset eurointegruese të vendit.

“Ajo mbështetje është edhe më e fuqishme tani derisa zgjat kryesimi i Austrisë me BE-në nën moton ‘Evropa që mbron’, me ç’rast një nga prioritetet është integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, edhe pse vetë BE-ja aktualisht ballafaqohet me shumë sfida”, deklaroi Xhaferi, duke iu referuar kryesimit gjashtëmujor të Austrisë me BE-në, e cila filloi nga muaji qershor.

Sobotka po ashtu u nënshkrua në Librin e Përshtypjeve në Kuvendin e Maqedonisë, ku takoi kryetarin e Komisionit parlamentar për politika të jashtme, Antonio Milloshovski dhe anëtarët e Komisionit ndërsa u adresua me fjalim para deputetëve të Shtëpisë ligjvënëse.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë javën e kaluar miratoi draft-amendamentet e Kushtetutës së Maqedonisë, me anë të të cilave synojnë ndryshime dhe plotësime në Kushtetutë, që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, e nënshkruar në qershor nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, ndërsa zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim të vendit në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Më 19 tetor, Kuvendi i Maqedonisë me dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvend, respektivisht me 80 vota kundër 39, miratoi propozimin për qasje drejt ndryshmeve kushtetuese, pas së cilës u parashtruan draft-amendamentet kushtetuese në Kuvend që komisioni t’i shqyrtojë dhe më pas të miratohen me votimin e shumicës së thjeshtë. Pasi ky hap të kalohet, nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretën e votave në Kuvendin e Maqedonisë, që më pas t’i hapet rrugë Parlamentit të Greqisë që të ratifikojë Marrëveshjen e Prespës.

Zbatimi i marrëveshjës, ndër disa pika kërkon edhe ndryshimin e emrit të vendit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button