АNALIZË: Qeveria e ndryshon kursin tatimor – a do të zvogëlohet varfëria?

Po ngushtohet rrethi për të “pasurit”, por edhe për evazionin tatimor. Me qëllim që t’i rrisë të hyrat buxhetore që të sigurohen mjete plotësuese për zvogëlimin e varfërisë, qeveria vendosi ta aplikojë reformën e paralajmëruar tatimore – tatimin progresiv. Ideja fillestare për futjen e tatimit progresiv ishte që kjo të bëhet në kufirin prej 1.000 eurosh, por tani ajo u zhvendos në 1.500 euro. Një pjesë e ekonomistëve për “Portalb”-in i komentojnë efektet e modelit të ri tatimor.

Fitim më i madh – tatim më i madh!

Të ardhurat nga kontratat në vepër, të ardhurat e larta mujore, profitet në bursë, të ardhurat nga qiratë dhe nga lojërat e fatit– të gjitha këto do të përfshihen në reformën e paralajmëruar tatimore. Nga qeveria janë të bindur se me modelin e ri do të sigurohet drejtësi në shoqëri, apo siç thotë ministri i financave, Dragan Tevdovski, ata që fitojnë më shumë nga shteti duhet më shumë edhe të japin, shkruan analiza javore e Portalb.mk.

“Flasim për një tatim të drejtë i cili do të jetë në favor të gjithë ekonomisë dhe të gjithë qytetarëve. Përqindja plotësuese prej 8% do të llogaritet për të ardhurat mujore në vit që e tejkalojnë vlerën prej 90.000 denarësh, ose konkretisht përqindja prej 18% do të llogaritet vetëm për pjesën që e tejkalon vlerën prej 90.000 denarësh, ndërsa shuma deri në 90.000 denarë do të tatimohet me përqindjen aktuale prej 10%, që do të thotë se për shumicën e qytetarëve përqindja do të mbetet e njëjtë” – deklaroi ministri i Financave, Tevdovski.

Për një pjesë të ekonomistëve, qeveria nuk do arrijë efekt të konsiderueshëm për shkak se përqindja e qytetarëve që kanë të ardhura më të larta se 1.500 euro në muaj është e vogël.

“Mendoj se me këtë model nuk do të arrihet ndonjë efekt i konsiderueshëm buxhetor, për shkak se të ardhura mujore, ose në përgjithësi të ardhura më të larta se 1.500 euro, kanë rreth një për qind e popullatës. Në strukturën e këtij 1%, gjysma ose 0,5% janë të huaj që punojnë në Maqedoni dhe ata tatimohen këtu. Me tatimin progresiv nuk do të zvogëlohet dallimi i madh ndërmjet të varfërve dhe të pasurve, kjo do të bëhet vetëm nëse inicohet një cikël investues me pako për punësime të reja” –  thotë konsulenti Goran Rafajllovski.

Sipas të dhënave, gjysma e qytetarëve që kanë të ardhura, ato të ardhura janë në nivel prej 2.660 euro neto. Me të ardhura vjetore prej rreth 8.300 eurosh disponojnë  5% e qytetarëve, ndërsa qytetarët nga grupi me të ardhura më të larta, vitin e kaluar kanë fituar mesatarisht 4.486 euro në muaj. Me tatimin progresiv, përveç qytetarëve me të ardhura më të larta në bazë të rrogës dhe kontratave autoriale, do të përfshihen edhe qytetarët që fitojnë edhe në mënyra të tjera – e këto të ardhura nuk janë tatimuar.

“Me këtë veprim mendoj se synim i qeverisë janë edhe qytetarët që “luajnë” në bursë dhe ata që japin shtëpi dhe banesa me qira, e ky numër i qytetarëve nuk është i vogël. Bëhet fjalë për shuma të mëdha të parave. Mirëpo, nga ana tjetër, me këtë zgjidhje do të goditet edhe një kategori tjetër e të punësuarve – ata me kontrata të përkohshme për punësim dhe ata që fitojnë nëpërmjet kontratave autoriale. Këtu do të paraqitet një kurth, gjegjësisht rrezik për qytetarët, të cilët për t’i shmangur pagesës së tatimit më të lartë, mund të kalojnë në ekonominë “e hirit”. Në atë rast humbës do të jetë buxheti i cili do të mbetet pa paratë që tani derdhen në të si rezultat i tatimit personal” – deklaroi për “Portalb”-in, konsulenti dhe analisti ekonomik, Visar Ademi.

Me modelin e ri të ardhurat ndahen në dy grupe. Në grupi i parë bëjnë pjesë të ardhurat nga puna ku hyjnë: rrogat, pensionet, kontratat në vepër, të ardhurat nga të drejtat autoriale, të ardhurat nga veprimtaria e pavarur, ndërsa në grupin e dytë hyjnë të ardhurat nga kapitali që përfshin dhënien me qira, dividendët, fitimet kapitale, fitimet nga lojërat e fatit, ndërsa tatimi nga fitimet kapitale prej letrave me vlerë dhe depozitat e afatizuara me përqindje prej 15% do të shtyhet për vitin 2020.

Efekt buxhetor me vlerë prej 25 milionë eurosh…

Sipas vlerësimeve të Ministrisë për Financa, me këtë model të ri të tatimit do të përfshihen një për qind e qytetarëve që realizojnë të ardhura. Mirëpo, kësaj radhe do të përfshihen edhe ata që marrin qira – ata sipas modelit të paralajmëruar ligjor do të paguajnë 15%, një herë. Kjo përqindje do të llogaritet në të ardhurat kapitale në përgjithësi, me  qëllim që të mos përfshihen me tatimin progresiv. Qëllimi kryesor i reformës së re janë të ardhurat më të larta nga burime të ndryshme.

“Në Maqedoni të hyrat buxhetore përbëjnë 28% të PBB-së, që është njëra nga përqindjet më të ulëta në Evropë. Me konceptin e ri priten të hyra plotësuese në buxhet prej 25 milionë eurosh, para të cilat rreptësishtë do të përfundojnë në mbështetje të kategorisë sociale të qytetarëve, gjegjësisht do të dedikohen për luftë kundër varfërisë. Ai që ka më shumë do të duhet t’i japë atij që nuk ka” – thotë ministri Tevdovski për Portalb.mk.

Në pakon e kësaj reforme është edhe risia për rritjen e shumës së liruar nga tatimi, në 8.000 denarë. Shpenzimet mesatare vjetore të punëdhënësve për një punëtor janë 6.475 euro ose 539 euro në muaj, ku janë përfshirë rroga bruto, gjegjësisht shpenzimet e përgjithshme të kompanisë për rrogën bazë, taksat ndaj shtetit, kontributet, trajnimi profesional. Kjo shumë praktikisht e pasqyron edhe çmimin e punës në vend. Maqedonia, pas më shumë se një dekade, e braktis modelin e tatimit të sheshtë. Formuluesi i konceptit aktual, ish-ministri i financave, Trajko Sllaveski thotë se me modelin e ri të tatimit më të lartë, do të rritet edhe evazioni fiskal.

“Jo vetëm që do të goditet sektori i biznesit, gjegjësisht ndërmarrjet në Republikën e Maqedonisë, rritja e tatimit do të ndikojë në rrogat e punonjësve, pra ata do të preken nga kjo masë, sepse në sistemin në të cilin paguhet rrogë bruto, punëdhënësit nuk do të jenë të gatshëm t’i rrisin rrogat për shkak të tatimit të rritur, e kjo do të thotë zvogëlim i rrogave të të punësuarve” – thotë ish-ministri dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Trajko Sllaveski.

Gjatë viteve të fundit, disa nga ekonomitë rajonale dhe në përgjithësi ato evropiane e kthyen tatimin progresiv. Kështu, Republika Çeke, Sllovakia dhe Mali i Zi këtë e bënë në vitin 2013, Shqipëria në vitin 2014, ndërsa në vitin 2018 madje edhe Letonia, e cila konsiderohet si vend, një nga karakteristikat kryesore ekonomike të të cilit ishte tatimi i sheshtë. Përveç kësaj, edhe Bosnja dhe Hercegovina është duke u përgatitur për t’u larguar prej tij.

Zgjidhjet ligjore për tatimin progresiv, por edhe për reformën e pensioneve duhet të miratohen deri në fund të vitit. Reforma e paralajmëruar do të hyjë në fuqi më 1 janar 2019, ndërsa llogaritja do të futet në fletëparaqitje tatimore në vitin 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button