SPORTI, RINIA, ARDHMËRIA

“Peshën që ka biblioteka për shëndetin mendor, e ka fusha e sportit për shëndetin fizik!”

(anonime)

E shtunë, ditë vjeshte me plot diell. Lagjja “Aerodorom” e Shkupit, stadiumet me standarde europiane të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (së Veriut). Pionierët e shkollës së futbollit “Saraj” zhvillojnë lojë me një ekip me renome për kushtet tona, “Rabotniçki”, me emër qysh nga koha e ish-Jugosllavisë. Mbi njëzet fëmijë të gjeneratës 2006 dalin në terren dhe, të zgjedhurit nga mesi i tyre, në mënyrë mbresëlënëse, me frymë, kreativitet dhe shkathtësi të pasqyruara në fushë, fitojnë, 5:0. Kjo s’është edhe aq me rëndësi se edhe disfata është pjesë e lojës. Këtë e vërteton edhe një nga basketbollistët më të mëdhenj të historisë Karim Abdulxhabbar: “Nuk mund të ngadhënjesh përderisa nuk mëson të humbësh”. Kurse themeluesi i lojërave olimpike moderne, baroni Pierre de Coubertin (1863-1937) ka thënë se “nuk është me rëndësi të fitosh, me rëndësi është të marrësh pjesë.” Me rëndësi është diçka tjetër, në këtë kohë të krizës së përgjithshme, të tkurrjes tonë si pasojë e ikjeve të rinisë jashtë vendit: Në çdo fushë të këtij kompleksi zëra e komunikime shqip mes lojtarëve të vegjël, të këtyre engjëjve që na e ngjallin dhe forcojnë besimin për të nesërmen. Nga lista e emrave të ekipeve, më tepër se gjysma shqiptare. E njëjtë  gjendja edhe në aspekt të prindërve të ulur në shkallare. Distancimi apo margjinalizimi e kanë fajin që dikur s’kemi qenë pjesë e këtyre veprimtarive, ndoshta vonë jemi zgjuar nga gjumi, por s’ka dert. Zhvillimi kulturor e ekonomik e bëjnë të veten. Shyqyr Zotit, sot kemi bukë e akces në çdo pore të jetës, dhe mund të merremi edhe me veprimtari rekreative.

Vetëm në Saraj janë mbi njëqind filizë të futbollit që stërviten në mënyrë sistematike, që paraqesin pasqyrën tonë demografike, vitalitetin si komunitet, perspektivën tonë si shqiptarë. Parku çdo ditë vlon nga vrapet dhe hareja e këtyre djelmoshave që të japin shpresë për të ardhmen, jo vetëm në aspektin sportiv por edhe më gjerë, që të bëjnë të ndjehesh ndryshe, të nuhasësh se topi dalëngadalë po kalon tek ne. “Vetëm Jabollçishta ime ka fëmijë sa 20 katunde etnike maqedonase” – rrëfen një gjysh në moshë që me kujdes e ndjek nipin e vet . Një popull që ka rini ka ardhmëri. Kjo është një sintagmë, një aksiomë e jetës, normë e pakontestueshme. Këtë e verifikoi edhe legjenda, ish-futbollisti i Vardarit, K. Dimitrovski, i cili atë ditë na u afrua dhe në bisedë, mes tjerash tha: “Keni ekip shumë të mirë, fëmijë shumë të talentuar. Keni ardhmëri. Vetëm duhet që të ushtrojnë ditë për ditë, 7 ditë në javë. Unë në moshën 14-vjeçare kam trokitur në derën e ekipit të parë.” Pra, vlerat i çmon çdokush, andaj duhet punë, durim, ngulmim, vetëbesim, përpjekje, tipare këto që i kanë trainerët tanë. Sherifi, Valdeti, Sedati e Leka janë heronjtë që sakrifikojnë edhe veten që t’i kultivojnë këta të rinj, që synojnë të nxjerrin emra që do të na bëjnë krenarë të gjithëve. Me punë, edhe ajo që duket ëndërr bëhet zhgjëndërr. Shembujt më të freskët i kemi te Levante (Bardhi), te Fenerbahçe (Elmas).

S’do mend se shumica e fëmijëve nuk do të bëhen futbollistë. Por, përmes stërvitjeve, disiplinës sportive ata fitojnë një kulturë tjetërfare, ndërtohen fizikisht dhe ngjeshen shpirtërisht, ballafaqohen me punën e grupit, ekipit, mësojnë të japin dhe të marrin, të bashkëpunojnë, e rrokin konceptin e elanit, të besimit deri në fund, të respektimit të prijësit, të dëgjimit aktiv të sugjerimeve të liderit, mësojnë “ritin” e festimit kolektiv. Sporti sipas Ken Doherty kultivon te fëmijët pesë S-të: stamina (qëndrueshmëri), speed (shpejtësi), strength (forcë), skill (shkathtësi), dhe spirit (shpirt). Ai ka funksion integrues, ngjall energjinë, trimërinë, vullnetin, iu ofron fëmijve një ndryshim nga monotonia e jetës së tyre të përditshme.  Kultura sportive i largon ata nga kultura e rrugës, e bredhjes, e “vrasjes së kohës”, nga letargjia, nga mënyrat inaktive të jetës, nga shkarjet sociale, madje i largon edhe nga kontakti i tepërt me mjetet e teknologjisë informative, i mban ata në jetën reale, i mëson se në jetë ka termine, minuta, orë. Ua mëson të vërtetën se jodisiplina të eliminon, të nxjerr jashtë loje, edhe nga ajo e jetës. Psikologët thonë se sporti e zhvillon kreativitetin, përgjegjësinë, disiplinën, kapacitetin e memories dhe të të mësuarit. Sipas Dr. Glyn Robertsit “sporti është fusha më e mirë e mësimit për fëmijët, e zhvillon tek ata vetëbesimin, i kultivon vlerat”.   I mbron fëmijët nga letargjia, stresi, nga njëra prej sëmundjeve të kohës: obeziteti. Ky ritëm edhe neve prindërve na ndërgjegjëson më shumë, na bën që t’i pyesim, t’i motivojmë, të prindërojmë nga më për së afërmi, madje na ka bërë që të krijojmë një familje më të gjerë. Me një fjalë, sporti i fëmijëve na ka socializuar mes vete.

Parku i Sarajit është perla e vendit tonë, s’ka të ngjashëm, mes dy lumenjve, me drurishte e gjelbërim, do vetëm investime. Sporti do mbështetje. Falë Zotit kemi rini dhe entuziastë që punojnë me të, edhe donatorë bujarë.  Sportin nuk duhet kuptuar vetëm si performnacë fizike, por si një dukuri shoqërore që përjetohet emocionalisht dhe mendërisht nga njerëzit në një mjedis social dhe kulturor. Ai është pasion, argëtim, është kënaqësi për veten dhe shoqërinë. Përderisa kemi fëmijë, do kemi familje, përderisa punojmë me fëmijët, përderisa i edukojmë në të dyja dimensionet, edhe fizikisht edhe shpirtërisht, do kemi dhe ardhmëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button