Shkupjanët shajnë Qeverinë për shtrenjtimin e rrymës

Përpos tetovarëve, edhe shkupjanët shprehen të revoltuar me shtrenjtimin e energjisë elektrike. 

Në një anketë që realizoi Portalb, ata akuzojnë qeverinë se po merret me ndërtimin e përmendoreve dhe në vend se të ul çmimet ajo po vazhdon me shtrenjtime ndërsa nuk ka parasysh gjendjen e vështirë të qytetarëve.

“Në këtë gjendje ekonomike që jemi sot, çdo shtrenjtim është shumë i madh. Kjo është ekonomi e gabueshme e kryeministrit aktual dhe e kësaj qeverie që nuk shohin asgjë përveç ndërtimit të përmendoreve, merren me ndërtimin e objekteve jo rentabile ndërsa nuk mendojnë se gjitha punët tjera bien në kurrizin e qytetarëve.  Partitë tona të cilat gjenden në pushtet duhet shumë të mendojnë para se të bëjnë koalicione të tilla se popullata shqiptare është ajo popullatë e cila është ma e varfër në Maqedoni dhe pasojat i ka më të mëdha kundra popullatës maqedonase. Nëse vazhdon me këtë ritëm shtrenjtimi i energjisë elektrike atëherë ajo do të sjell edhe shtrenjtimin e gardërobës dhe të produkteve tjera ushqimore’’tha një shitës në Çarshinë e vjetër të Shkupit.

Revolta ka kapluar qytetarët të cilët mendojnë se në vend që atyre tu mundësohet një jetë normale,  dita-ditës u vështirësohet jeta në këtë vend.

‘’ Kam këtë shitore me të cilën po bohemi idare, tash po e rrisin rrymën unë 400 euro vetëm për rrym me pagu, kjo nuk është normale’’ tha një shkupjan.

‘’Mendoj se nuk o normal me kto çmime kemi me dalë n’fund, me këto çmime që po i bëjnë nuk e di se qysh do të funksionojmë” tha një banor.

‘’Kam dy nuse në shtëpi, njëra lartë e tjetra poshtë, djegin rrymë ndërsa jemi me nji ndihmë sociale e nuk mundemi me pagu, e sa për rritje nëse vazhdon kështu nuk e pagjumë hiq’’ tha një plakë e revoltuar.

Me çmimin e ri të energjisë elektrike, 1 kilovat orë energji elektrike do të kushtojë 5.56 denarë. Rritje të fundit të energjisë elektrike në Maqedoni kishte vitin e kaluar, kur energjia u shtrenjtua për 6.95 %. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button