PD: 93% e ilaçeve të skaduara

Partia Demokratike ka vijuar edhe këtë të shtunë me akuzat në drejtim të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për ilaçet e skaduara.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Bardh Spahia u shpreh se ilaçe të pasigurta dhe të skaduara kanë hyrë në Shqipëri me vendim qeverie për të pasuruar një grup të caktuar klientësh, transmeton Vizion Plus.

 

Në kuadër të këtyre akuzave, deputeti Bardh Spahia i rikërkoi ministres Manastirliu që të mos vijojë të hesht por të tregojë se kush ka përfituar nga depozitimi i ilaçeve të skaduara.

 

“Skandali i 93% të ilaçeve të skaduara në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, është vetëm maja e ajsbergut e kalbëzimit nga korrupsioni i sistemit shëndetësor në vend. E vërteta është se QSUT-ja është kthyer në një kosh plehrash për disa kompani të lidhura me qeverinë, që zbrazin depot e tyre nga ilaçet në prag skadence, duke ia dhuruar gjoja Spitalit, për të kursyer qindra milionë lekë për asgjesimin e tyre. Këtë process të kushtueshëm e ka marrë përsipër Ogerta Manastirliu, Ministrja që hesht dhe nuk tregon se kush ka përfituar nga depozitimi i ilaçeve të skaduara në QSUT dhe sa prej këtyre ilaçeve janë përdorur për pacientët.”

 

Deputeti Spahia theksoi se ministrja se e ka thelluar akoma më shumë skandalin e ilaçeve të skaduara. Ai tha se personin përgjegjës për skadimin e ilaçeve ministrja e ka emëruar Drejtoreshë të Agjencisë së Barnave.

 

“Ogerta Manastirliu e ka thelluar edhe më tej skandalin. Drejtoreshën e Farmacisë së QSUT-së, Narvina Sinani, person direkt përgjegjës për skadimin e ilaçeve, e ka emëruar Drejtoreshë të Agjencisë së Barnave, e cila përgjigjet për sigurinë e ilaçeve në të gjithë vendin. Çfarë sigurie mund të kenë ilaçet kur tek e njëjta Agjenci, personi përgjegjës për kontrollin e farmacive është emëruar një stomatologe, e paliçensuar për të kryer detyrën e garantimit të popullatës për sigurinë e barnave?!”

 

Sipas Spahisë, korrupsioni dhe klientelizmi janë shndërruar në faktorët kryesorë që rrezikojnë jetën e qytetarëve nga ilaçet e skaduara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button