“Jashtë bie borë”, mbi doza e morfinës që ua mori jetën lakmitarëve të pasurisë (FOTO/VIDEO)

Nën luftën se kush do ta marrë pasurinë, dhe dyshimit se si mund të kishte vdekur nëna e tre vëllezërve që vdiqën nga mbi doza e morfinës, në Teatrin e Tetovës u dha premiera e shfaqjes “Jashtë bie borë”, transmeton Portalb.mk. Do të shfaqet edhe sot, në Teatrin e Tetovës me fillim prej orës 19:00.

“Jashtë bie borë” e autorit Vicenzo Salemme, erdhi e realizuar nën regjinë e Qëndrim Rijanit, asistent regjie Fitim Selimi, me lojën e aktorëve Trimosh Ramadani, Blerim Ismani, Petrit Neziri dhe Muzafer Etemi. Për muzikën është përkujdesur – Fatos Lumani, skenografinë – Petrit Bakalli, kostumografinë – Edlira Qyshka, kurse vepra është përkthyer nga Hervin Çuli. 

Premiera “Jashtë bie borë”

Me një skenë modeste, ku tërë vëmendjen e merrte dyshemeja, ajo simbolizonte rënien e borës, të cilën Çiçoja e shihte kur ishte në gjendje të lumtur, dhe nuk e perceptonte kur ishte në gjendje të trishtueshme. E trishtimi i tij shkaktohej nga frika e braktisjes nga vëllezërit dhe të shkuarit në spital psikiatrik.

Premiera “Jashtë bie borë”

Lufta për pasuri, nisi kur nga rrugëtimi aventurier u kthye Enzoja, dhe në shtëpi gjeti dy vëllezërit Stefanin dhe Çiçon. Ardhja e Enzos, nxorri në pah të metat e ditës së sotme, kur njeriu si synim jetësor ka aspektin material, dhe kujtoi proverbat se “Njeriu për njeriun është ujk” dhe veprën e lartë “Vëllazëri e interes”. Vërtetë Çiçoja u bë ujk, sepse ai hëngri (mbyti) në fund vëllezërit, ashtu siç dyshohet se kishte bërë me nënën e tij, dhe për të mos mbetur vetë, ai u vetëvra.

Megjithëse trishtuese, loja e artistëve humbiste fokusin nga duartrokitjet dhe të qeshurat me zë që e kaplonin publikun.

E reagimi i publikut, për publicistin Bardhyl Zaimin nënkupton lartësi të receptimit të shfaqjes nga shikuesit.

“Një shfaqje që e vendosë pranë e pranë normalen dhe anormalen. Një gërshetim kreativ i tragjikes me fragmente të komikes që i prodhon rastësia e anormales. Një testament i lidh bashkë ambicien, një përgjërim gati shtirak dhe lojën fatale fëmijërore që vjen nëpërmjet personazhit Çiço të përhumbur në botën e tij. Gjetje të shkëlqyera regjisoriale dhe lojë gjithashtu e shkëlqyer aktoriale. Publiku në lartësinë e receptimit të shfaqjes”, u shpreh për Portalb.mk, Zaimi.

Trimosh Ramadani

Premiera “Jashtë bie borë” erdhi si rezultat i një pune pothuajse tremujore. Megjithëse një proces i gjatë, për realizuesit nuk ka qenë i lodhshëm.

“Sa i përket procesit të të them të drejtën nuk ishte aspak i lodhshëm, duke pasur parasysh regjisorin, Qendrim Rijani, a.s regjisorin Fitim Selimi dhe tre partnerët e mi Blerim Ismani, Petrit Neziri dhe Muzafer Etemi. Të cilët me shumë familjaritet dhe energji pozitive ma lehtësuan të gjithë procesin”, tha aktori Trimosh Ramadani i cili e luajti rolin e Çiços.

“Nuk është e lehtë, sepse kemi punuar gati dy muaj me këtë shfaqje. Kemi pasur mjaftë prova, por edhe pse ka qenë hera e parë për mua, kjo ka qenë e lehtë, për vetë faktin se të gjithë janë sjellë shumë mirë me mua”, tha Fitim Selimi, i cili në shfaqje mori pjesë nën funksionin e asistentit të regjisë.

Shfaqja “Jashtë bie borë” – shkollë në vete

Për Trimosh Ramadanin dhe Fitim Selimin, shfaqja “Jashtë bie borë” ka qenë shkollë në vete, pasi që ishte hera e parë që ata angazhohen profesionalisht në një shfaqje.

“Sa i përket premierës, për mua ishte një gjë shumë e veçantë ose e thënë ndryshe një udhëtim në një bote tjetër plot dritë. Dalja ime e parë para publikut të vendlindjes sime si aktor profesionist. Po them dhe një gjë të fundit: Goditja me e madhe emocionale që e pëson aktori në skenë, është duartrokitja e publikut. Këtë pësova unë mbrëmë”, tha Trimosh Ramadani.

“Kjo ka qenë një shkollë verore për mua. Kam mësuar shumë gjëra që nuk do t’i mësoja në fakultet”, tha Fitim Selimi.

Shfaqja do të tregojë se si vazhduan rrethanat në jetën e tre personazheve tragjik-komikë: A do të vazhdojnë të jetojnë në një shtëpi? A do shkojë gjithsecili në punën e vetë? A do t’i japin fund jetës apo do jetojnë të lumtur bashkë?

Sekuenca nga premiera:



Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button