Grubi: Nuk kam ambicie për Kryetar të Shkupit

Televizioni “24 lajme” duke u thirrur në burime partiake shkruan se Valon Saraçini, Artan Grubi ose Bujar Osmani do të jenë kandidatë të Bashkimit Demokratik për Integrim për qytetin e Shkupit.

Televizioni duke cituar burimin e tyre thotë se njëri prej këtyre nga dega e Çairit do të kandidohet në Shkup, pasi që i paprekshëm në sytë e Ali Ahmetit për komunën e Çairit sipas tyre mbetet Izet Mexhiti.

Por shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Artan Grubi për Portalb përgënjeshtron këto zëra duke thënë se nuk ka asgjë konkrete rreth kandidaturave të BDI-së për zgjedhjet lokale.

“Të gjitha kandidaturat në media për momentin janë vetëm spekulime ose profilizime personale për arsye se Bashkimi Demokratik për Integrim as që ka diskutuar dhe as që ka vendosur rreth kandidatëve eventual për zgjedhjet lokale. Unë nuk kam asfare ambicie për të garuar për Kryetar të qytetit të Shkupit, kjo nuk paraqet ndonjë sfidë të veçantë për mua dhe as që ka qenë temë diskutimi në parti”- thotë Grubi.

Ai shton se kandidaturat e BDI-së do të vijnë pak para zgjedhjeve lokale, ndoshta në dhjetor të këtij viti.

Deri më tani oponenti i BDI-së, Partia Demokratike Shqiptare ka shpallur kandidaturat për disa komuna, ndërsa jozyrtarisht disa mediume zbulojnë se në kombinim për kandidat për qytetin e Shkupit nga ana e koalicionit opozitar LSDM – PDSH mund të jetë publicisti Kim Mehmeti./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button