Qeveria i ka miratuar propozim-amendamentet, Marrëveshja e Ohrit do të vendoset në Preambulë

Qeveria e Maqedonisë i ka miratuar draft-amendamentet për ndryshimet kushtetuese, pasi që paraprakisht të njëjtat i ka harmonizuar me kërkesat e grupit të deputetëve të përjashtuar nga VMRO-DPMNE për shkak votimit “për” ndryshimet kushtetuese, ndërkaq si risi do të jetë futja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë, njofton Portalb.mk.

“Amendamenti i parë ka të bëjë me ndryshimin emrit të Maqedonisë me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut në tërë Kushtetutën. Amendamenti i dytë ka të bëjë me futjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe mendoj se ky vendim është korrekt, ndërkaq amendamenti i tretë thotë se Republika e Maqedonisë do ta respektojë integritetin territorial të shteteve tjera. Me amendamentin e katërt mbrohet popullata e Maqedonisë që jeton jashtë vendit, pa u përzier në punët e brendshme të shteteve”, tha Zaev.

Në pyetjen gazetareske se pse e kanë vendosur Marrëveshjen e Ohrit në Preambulë, kryeministri tha se në debat me deputetët kanë vendosur që tanimë kur hapet Kushtetuta, duhet të shtohet edhe ky dokument i rëndësishëm, i cili edhe ashtu është i përfshirë në tërë Kushtetutën.

Me ndryshimet e reja parashihet që Marrëveshja e Ohrit dhe vendimet e KAÇKM-së të futen në Preambulë.

Portalb.mk ju sjell propozim-amendamentet të cilat do të dërgohen në Kuvend.

Propozim amendamenti XXXIII

Në Kushtetutë, fjalët “Republika e Maqedonisë” ndërrohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërkaq fjala “Maqedoni”, ndërrohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç në nenin 36.

Propozim amendamenti XXXIV

Në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë fjalët “vendimet e KAKÇM-së” ndërrohen me fjalët“ Shpallja nga mbledhja e parë e KAÇKM-së deri te populli maqedonas për mbajtjen e mbledhjes së KAKÇM-së”, pa fjalës “vit”, shtohen fjalët “dhe të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, ndërkaq fshihen fjalët “kanë vendosur të”.

Amendamenti XXXV

  1. Republika e Maqedonisë e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje.
  2. Me pikën e parë të këtij amendamenti plotësohet neni 3

Propozim amendamenti XXXVI

  1. Republika e mbron, garanton dhe kujdeset për trashëgiminë kulturore dhe historike të popullit maqedonas.
  2. Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të cilët jetojnë dhe qëndrojnë jashtë vendit dhe i avancon lidhjet e tyre me atdheun.
  3. Republika nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve e tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
  4. Me këtë amendament ndërrohet neni 49 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

LEXO: Maqedoni, reagime të shumta ndaj deklaratës së Zaevit për amendamentet shqiptare

Ndryshe, amendamentet kushtetuese për çështjen shqiptare të propozuara nga opozita shqiptare në Maqedoni, të cilat u karakterizuan me “Kutinë e Pandorës”, solli përplasje mes kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe partive opozitare, Aleanca për Shqiptare, Lëvizja BESA dhe VMRO-DPMNE-së.

Përpilimi i amendamenteve vjen pas miratimit të procedurës për hapjen e kushtetutës së Maqedonisë, më 19 tetor të 2018-s në Kuvendin e Maqedonisë. Miratimi u mundësua me votën “për” të 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, përfshirë edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së, për të cilët në Kuvendin e Maqedonisë do të formohet Komision për Pajtim Nacional dhe u formuar grup parlamentar, pasi që u përjashtuan nga partia.

Çfarë pas përpilimit të amendamenteve?

Pas përpilimit të amendamenteve, të njëjtat dorëzohen në Kuvenin e Maqedonisë, dhe çdo amendament nëpërmjet së cilëve do të intervenohet në kushtetutë, do të duhet që të kalojë nëpërmjet kontrollit në Komisionin Juridik-Ligjvënës dhe në Komisionin për Çështje Kushtetuese.

Pasi që Kuvendi me shumicë absolute, gjegjësisht me përkrahjen e 61 deputetëve do të deklarohet për çdo amendament të amendamenteve kushtetuese, do të caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës për të cilën është e nevojshme shumicë prej dy të tretave dhe me këtë bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

Deri në ndryshimin e Kushtetutës është e nevojshme që të votohet edhe dy herë, njëherë me shumicë absolute gjegjësisht 61 vota nga numri i përgjithshëm dhe një herë me shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht me 80 vota.

LEXO: Pesë kaluan, kanë ngelur edhe 10 hapa deri në ndryshimin e Kushtetutës

Ndryshimet kushtetuese parashihen me marrëveshjen e Prespës e cila është kusht për nisjen e procesit integrues të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button