Standardet evropiane për ajrin do të shpëtojnë së paku 800 jetë në vit (Infografik-Video)

Më shumë se 3,000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të ajrit të ndotur në Maqedoni, paralajmëroi të hënën Agjencia Evropiane e Mjedisit jetësor (EEA) në raportin evropian për cilësinë e ajrit për vitin  2018, që u publikua të hënën. Maqedonia është shpallur vendi me ajrin më të ndotur dhe është në krye të listës për numrin e vdekjeve për kokë banori, krahas Kosovës, Serbisë, Hungarisë dhe Bullgarisë. Sipas Organizatës botërore të shëndetësisë, vdekshmëria nga ndotja e ajrit në Maqedoni është mbi 125 persona në 100,000 banorë, më shumë se dyfishi i mesatares evropiane, e cila është 60 vdekje të parakohshme në vit për 100,000 banorë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të paktën 800 jetë njerëzish do të shpëtohen çdo vit, nëse Maqedonia e sjell nivelin e ndotjes së ajrit në kufijtë maksimal të përcaktuar me direktivat e BE-së, tregojnë të dhënat e disa sondazheve. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, që për herë të parë janë bërë në vitin 2011, e që tradicionalisht përsëriten, në Maqedoni në nivel viti humben nga 1,350 jetë njerëzish për shkak të ndotjes me grimcat PM10 dhe PM2,5. Ndërsa të dhënat e fundit të Organizatës botërore të shëndetësisë, për vitin 2016, vlerësojnë se ndotja e ajrit shkakton rreth 2,500 vdekje në vit.

Pavarësisht vlerësimet e ndryshme, që janë për shkak, ndër tjerash, edhe nga mbulimi i ndryshëm kohor dhe gjeografik, të gjitha vlerësimet janë unike në pohimin se së paku gjysma e viktimave do të shmangeshin nëse ndotja e ajrit do të sillej në vlerat kufitare evropiane, ndërsa rreth 80 për qind nëse përshtaten me rekomandimet e Organizatës botërore të shëndetësisë.

“Në qoftë se emetimi ulet deri në standardet evropiane, Maqedonia do të shmangë më tepër se 800 vdekje, mijëra ditë produktiviteti të humbur dhe rreth 151 milionë euro në vit do të ishin kursimet për shërim”,  thekson Banka Botërore në vlerësimin e vitit 2012.

Edhe ekspertët maqedonas i vlerësimet e tyre. Gjithsej 1.903 vdekje të parakohshme në vit, për shkak të ndotjes me grimca PM 2.5 janë llogaritur në punimin shkencor të Mirjana Dimovska nga Instituti për shëndet publik dhe Dragan Gjorgjev nga Fakultetin e Mjekësisë i  Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” nga Shkupi, që më 15 tetor është botuar në Revistën Biomedicinale për hulumtime shkencore dhe teknike (BJSTR). Studimi e përfshin ndotjen me grimcat PM 2.5 në shtatë qytete në Maqedoni në periudhën 2012-2016. Autorët vlerësojnë se ndotja shkakton 22.3 përqind të vdekshmërisë totale, përveç shkaqeve të jashtme.

Në qoftë se ndotja reduktohet për një mikrogram për metër kub do të shpëtohen 195 jetën … Nëse vlerat kufitare harmonizohen me ato të BE-së, do të shpëtohen 908 jetë, ndërsa 1547 nëse arrihet niveli maksimal i rekomanduar nga OBSH-ja thuhet në punimin e Dimovska dhe Gjorgjev.

Jetët e humbura para kohe për shkak të ndotjes së ajrit janë temë edhe e dhjetëra hulumtimesh shkencore. Një nga hulumtimet më të cituara është “Ndikimi mbi shëndetin dhe kostoja ekonomike e ndotjes së ajrit në Shkup “ nga një ekip shkencëtarësh ndërkombëtar, duke përfshirë dy maqedonas. Punimi është botuar disa herë në revista profesionale dhe konferenca, ndërsa herën e fundit në prill të këtij viti në Revistën ndërkombëtare për hulumtime të mjedisit jetësor dhe shëndetit. Sondazhi, i realizua në vitin 2012, vlerëson se në vitin 2012, vetëm në Shkup, ndotja e ajrit ka shkaktuar vdekjen e parakohshme të 1,199 njerëzve, 547 trajtime spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 937 nga sëmundjet e frymëmarrjes, që shoqërisë i kanë kushtuar mes 570 dhe 1,470 milionë euro.

“Në qoftë se ndotja reduktohet në vlerat kufitare evropiane, do të shpëtohen 545 jetë, ose 45 për qind, ndërsa në qoftë se reduktohet në kufijtë e përcaktuar nga Organizata botërore e shëndetësisë, do të shpëtohen 926 jetë, ose 77 për qind”,  ka vlerësuar ekipi ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button