Mesazhet universale të një Odiseu poetik

Vëllimi me poezi Troja e kalit, i poetit të mirënjohur  Shaip Emërllahut, përmban 52 poezi. Përmbledhja përfundon me një poezi që ia dedikon atij, poeti francez Athanas De Thraki. Ky vëllim hapet me një vështrim të thuktë të poetit amerikan Xhorxh Vallas. Autori ka përmbledhur në libër krijime poetike të shkruara në periudha të ndryshme, duke e filluar nga viti 1987 e këndej.

Krijimet e përmbledhjes janë fryt i frymëzimit të autorit në hapësira dhe në kohë të ndryshme. Kjo të lë të kuptosh se, autori krijon kryesisht kur është i shqetësuar, i brengosur, shpirtërisht i trazuar apo edhe i zemëruar. Me fjalë të tjera, inspirimi i këtij poeti lind spontanisht dhe aty për aty. Ai nuk ri në një vend, por bredh nëpër meridiane të ndryshme. Ai krijon art dhe e shpreh artin e fjalës, si në fshatin e tij të lindjes, ashtu edhe në kryeqendrën gjermane – në Berlin, si në Tetovën e Sharrit, ashtu edhe në kalanë e Krujës, si në Uskanën e “Flakës së janarit”, ashtu edhe në Prishtinë, si në Dibrën e ndarë më dysh, ashtu edhe në Tiranë, si në Strugën e Drinit të Zi dhe të mjellmave të liqenit, ashtu edhe në Madridin e luftës së demave.

Duke qenë poet modern, ai krijon poezi moderne. Si shumë poetë modernë që nuk janë të kapshëm nga lexuesi i rëndomtë, edhe autori i këtij vëllimi poetik me titull metaforik, Shaip Emërllahu, nuk është i kapshëm prej tyre. Edhe pse krijues modern që bredh nëpër meridianët e rruzullit tokësor, ai jeton me rrënjët – thellë në tokën e të parëve të vet.

Në krijimet e tij shtrihet gjerë e gjatë gjeografia e Arbërisë, Oaneumi i lashtësisë, Kruja me kalanë legjendare të kryezotit të mesjetës, Gjergj Kastriotit, Drenica e qëndresës heroike, kryeqyteti i sotëm i Dardanisë së Ilirisë – Prishtina, Tetova e fëmijërisë së poetit me Shkumbinin që gurgullon përmes Sharrit plak, Tirana dhe Shqipëria, kryeqendra e vilajetit të dikurshëm të Kosovës – Shkupi.

Poeti jeton në hapësirat stërgjyshore, në hapësirat e të parëve të tij, por edhe në historinë e lavdishme të tyre, që nga koha e ilirëve dhe Moti i Madh i Kastriotit, deri më ditët tona. Tërë kësaj shtrirjeje në hapësirë dhe në kohë, poeti i qaset në mënyrë artistike, saqë lexuesi i rëndomtë e ka vështirë t’i bie në gjurmë. Një shtrirje hapësinore dhe kohore përmasash të këtilla ka vetëm poeti dhe romancieri i famshëm Ismail Kadare.

Sidoqoftë, krijimet poetike të poetit Shaip Emërllahu nuk janë aq të mbyllura apo misterioze. Megjithëkëtë, ky poet ka edhe vargje hermetike, gjë që është karakteristikë e një pjesë të madhe të letërsisë moderne. Hermetizmi i Shaip Emërllahut të përkujton poezinë lirike të parnasistëve, të dekadentëve dhe të simbolistëve të shekullit XIX, siç janë Artur Rembo, Stefan Malarme, Pol Verleni. Poeti duket sikur është njohës i mirë i poetëve italianë të hermetizmit siç janë Massimo Bontempeli, Eugjenio Montale, Gjyzepe Ungareti dhe laureati i çmimit Nobel – Salvatore Kuazimodo, të cilët krijojnë vargje me shkallë të ulët të komunikimit, mesazhin e të cilave, lexuesi i rëndomtë nuk mund ta dekodojë aq lehtë, për të mos thënë fare. Duket sikur poeti Shaip Emërllahu ia lë lexuesit vendimin për ta dekoduar vargun e tij poetik.

Poezitë e këtij vëllimi poetik, duke qenë krijime artistike moderne, përmbajnë fjali të caktuara, që në pikëpamje logjike nuk janë të ndërlidhura. Poeti i thyen strukturat gramatikore, nuk e përfill korrektësinë gramatikore, krijon shprehje gjuhësore misterioze, i ndërthur në mënyrë të ngjeshur tropet që i ndërlidhin sferat, midis të cilave nuk ekziston një lidhje logjike, krijon vargje me renditje të palidhur të fjalive apo me strukturë të braktisur të fjalisë. Kësisoj kanë krijuar pothuajse të gjithë poetët e mëdhenj modernë, duke përfshirë edhe poetin e famshëm francez, me prejardhje polake –  Gijom Apolinerin.

Përkundër odiseadës dhe bredhjeve nëpër kohët e trazuara të popullit të vet, Shaip Emërllahu jeton në kohën e vet. Ai u thur vargje elegjiake figurave dhe personaliteteve të ndryshme që kanë lënë gjurmë në këto hapësira, heronjve dhe flakadanëve të lirisë. Poeti i përjetëson në vargje, sakrificat e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës, i ngre monument artistik qëndresës titanike të Jasharajve, e bën të pavdekshëm e të përjetshëm, të burgosurin mitik Sadudin Gjurën.

Vajtjen në amshim të dy poetëve të mëdhenj – të Azem Shkrelit, e sidomos të Ali Podrimjës i cili u nis në kërkim të Lumit të tij, Shaip Emërllahu e përjeton dhimbshëm.

Poetin e kësaj përmbledhjeje me poezi, e gjen kudo në dheun e stërgjyshërve. Megjithatë, krijimet e tij artistike kanë karakter të thellë universal, të pakufizuar në hapësirë dhe në kohë.

Poezia e poetit tonë është kundër mureve dhe ndarjeve. Ai shpreson me të madhe se pas rënies së murit të Berlinit, një ditë do të shemben të gjitha gardhet dhe muret ndarëse. Do të bashkohen shpirtrat dhe zemrat, do të ribashkohen ata që jetojnë të ndarë me dekada e shekuj. Poeti ynë ka një ëndërr të madhe dhe shpreson edhe në shembjen e gardheve e të mureve të Berlinit, të kohës së Bizmarkut.

Poeti, kufijtë i përjeton me dhimbje. Poezia e tij, mu si zogjtë shtegtarë, nuk njeh kufij, si këta që ndajnë dy Dibrat e së njëjtës gjuhë, kulturë dhe traditë, dy Dibrat e dibranëve, të cilët ceremonitë mortore dhe dasmat i bëjnë sipas traditave të njëjta, të vjetra sa Korabi.

Pjesa më e madhe e poezive të këtij autori shpreh botën e brendshme të njeriut, vuajtjet e tij dhe ëndrrat për një botë të re. Poeti kërkon lirinë e shpirtit, lirinë e pafund të individit. Në vargjet e tij përplasen stuhishëm urtësia me vrazhdësinë, e bukura me të shëmtuarën, e vërteta me të pavërtetën. Herë pas here, ai krijon vargje që paraqesin protestë ndaj zërave që vijnë nga ferri. Ai krijon vargje që përplasen me Mefistofelin dhe Luciferin.

Poeti shpesh është pesimist. Megjithatë, shpresat e tij nuk shuhen kurrë. Ai e di se terri i natës, sado i dendur të jetë, dielli do të lindë. Të krijohet përshtypja se në vargje të caktuara poeti Shaip Emërllahu bën pjesë në grupin e poetëve të nëmur (poetes maudits), ku bënin pjesë Korbie, Verlen, Renbo dhe Malarme. Madje ka raste kur poeti Shaip Emërllahu duket sikur bën pjesë në grupin e poetëve të brezit të humbur (Beat generation) të viteve ‘50 të shekullit XX, të njohur ndryshe si bitistë. Në poezinë Brezi im, ai pyet dëshpërueshëm: Ç’fat paske o brezi im ?!

Poeti, të keqën dhe të shëmtuarën e kundërshton me ironi. Kudo rreth njeriut sillet si murtajë e zezë – ligësia. Por, poeti nuk jepet. I patundur qëndron para saj.

Poeti përdor një shqipe të kulluar dhe të rrjedhshme. Ka një stil poetik të përkryer. Arti i tij i fjalës është i një niveli të lartë. Një të tillë art të fjalës jemi mësuar ta shijojmë te krijimet e poetëve të mëdhenj të kombit siç janë Lasgush Pogradeci, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Xhevair Spahiu, Visar Zhiti etj.

Ky poet shpesh krijon edhe fjalë të reja, siç vepronte dikur edhe Naimi me poetët e tjerë të periudhës së Rilindjes. Shaip Emërllahu shquhet sidomos për krijimin e kompozitave

Në çdo varg të tij hasim një gjuhë të figurshme. Vargu i tij është i kursyer nga fjalët e tepërta. Çdo fjalë që përdor ky poet është një figurë stilistike – simbol, metaforë, epitet, personifikim etj. Te përdorimi i gjuhës së figurshme apo i gjuhës poetike ai është i pakursyer.

Në këtë vëllim ka krijime ku vërehen përsiatjet e thella të poetit, ide filozofike të paraqitura artistikisht dhe kjo e bën krijimtarinë e këtij poeti – të paarritshme dhe të pa përsëritshme.

Edhe pse Shaip Emërllahu trajton tema dhe motive të ndryshme, lirika e tij moderne ngërthen në vete mesazhe humane. Shaip Emërllahu është poet humanist i përmasave të mëdha. Krijimi letrar i tij nuk di për urrejtjen, vargu i tij ndërkaq, nuk di dot për smirën. Thelbin e poezisë së tij e përbën njerëzorja dhe dashuria. Duket sikur poeti u thotë të tjerëve që urrejtjen që e kanë në vete, ta nxjerrin nga brenda dhe ta vënë mbi akull. Më pas të luten që të lindë një diell me rreze të kuqërremta, për ta shkrirë këtë akull dhe bashkë me të, edhe urrejtjen njerëzore. Mbase kështu do të na ledhatojnë duart e njoma të dashurisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button