Amnistia nuk është pajtim

Më në fund e pamë Propozim-ligjin për amnisti të përpiluar dhe të prezantuar nga VMRO-DPMNE. Paturpësisht kërkuan amnisti për të gjithë të involvuarit në ngjarjet e 27 Prillit 2017. Në emër të bashkëjetesës dhe të pajtimit. Për pajtim dhe rikonsilim u deklarua edhe kryeministri, por pajtimi nuk do të thotë amnisti dhe nga bartja e përgjegjësisë nuk mund të iket. Sundimi i së drejtës dhe bartja e përgjegjësisë veçanërisht për ngjarjet e 27 prillit u përcaktua si njëri ndër kushtet kryesore për hapjen e negociatave për aderim në Unionin Evropian që pritet të ndodhë në verën e vitit 2019.

E lexova me vëmendje Propozim-ligjin e VMRO-DPMNE-së. Me këtë propozim-ligj synohet të ndërpritet procedura penale dhe të lirohen nga dënimi të gjithë që me 27 Prill 2017 kanë kryer vepra penale: pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale, pjesëmarrje në turmë që do ta pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, dhunë, terrorizëm dhe vepra të tjera penale. Në mënyrë taksative janë numëruar vetëm katër veprat e lartpërmendura penale. Çuditërisht brenda tyre nuk e kemi veprën penale vrasje (në kuptimin e tentativës për vrasje). Duke marrë parasysh që sulmuesit e Zijadin Selës pikërisht për këtë vepër penale akuzohen, sqarimi mund të jetë i dyanshëm: një mundësi është që kjo vepër me qëllim nuk është numëruar si vepër për të cilën kërkohet amnisti në mënyrë që të mos rriten edhe më tej tensionet ndëretnike që dalin nga ky propozim-ligj, dhe mundësia e dytë është që kjo vepër të përfshihet brenda shprehjes “dhe për vepra tjera penale” duke hezituar që të njëjtës t’i përmendet emri i saktë.

Fakti i dytë që vërehet tek Propozim-ligji për amnisti është përfshirja këtu e veprës penale Rrezikim terrorist i rrëndit kushtetues. Pra bëhet fjalë vepër penale kundër shtetit, e cila involvon në vete akt terrorist, që në raste normale edhe kur kryhet jashtë shtetit nga persona që në ndonjë shtet tjetër janë dënuar për te njëjtën vepër e megjithatë kapen në Maqedoni ose i ekstradohen Maqedonisë mundet të dënohen sërish për të njëjtën vepër edhe këtu. Për këto vepra nuk vlen njëri nga parimet themelore të së drejtës penale “ne bis in idem” apo “nuk mund të gjykohet një person dy herë për të njëjtën gjë”, sepse vlen parimi real apo mbrojtës sipas të cilit shteti ka të drejtë të mbrohet nga rreziqet që i kanosen përmes këtyre veprave penale pa marrë parasysh ku ndodhin ato. 27 prilli ishte dita kur me akt terrorist të sulmit në parlament u synua të përmbyset rendi kushtetues që parasheh transfer të qetë të pushtetit pas zgjedhjeve të lira demokratike dhe krijimit të shumicës parlamentare. Sikur ky akt të kryhej nga nacionalistë shqiptarë ose nga radikalistë islamik, të njëjtit automatikisht do dënoheshin me burgim të përjetshëm, pa asnjë hezitim. Por pasi ky akt është kryer nga nacionalistë maqedonas në emër të “patriotizmit” VMRO-DPMNE e sheh të udhës të kërkojë paturpësisht amnisti për të njëjtit.

Shtrohet pyetja a mund të kërkohet amnisti për disa dhe jo për të gjithë kryerësit e kësaj vepre, a ekziston një prag i tolerancës për këtë vepër. E si mund të ekzistojë prag tolerance për vepër që involvon terrorizëm? Terrorizëm ose ka ose nuk ka. Kur ka atëherë tolerancë për atë akt nuk ka. Sepse sikur të ketë prag tolerance në këtë rast, duhet të ketë prag tolerance edhe tek rasti i Kumanovës, ku të akuzuarit morën dënime serioze, dënime të tilla si që duhet të merren edhe në rastin e 27 prillit. Por tani ka kërkesa që të amnistohen kryerësit ndërsa të dënohen porositësit. Porositës kishte edhe në rastin e Kumanovës, por të njëjtit as nuk u akuzuan e as nuk u gjykuan. U gjykuan dhe u dënuan vetëm kryerësit direkt të aktit. Kështu që porositësit sigurisht që duhet të përfshihen në aktakuzë dhe në dënim, por kjo nuk i amneston kryerësit direkt, sepse në këto vepra penale dënohet si urdhërdhënësi ashtu edhe urdhër zbatuesi.

Nga literaturë e gjerë që kam lexuar në drejtim të drejtësisë pas konflikteve, amnistisë dhe pajtimit e rekonsiliimit kam vërejtur një gjë. Në vendet afrikane të cilat nuk janë konsoliduar si shtete demokratike me gjyqësor të pavarur dhe me sistem efikas të drejtësisë penale, janë krijuar komisione të ndryshme të pajtimit dhe gjetjes së të vërtetës. Në ato komisione kryerësit e veprave të rënda penale kanë pranuar fajin, kanë treguar të gjitha detajet e kryerjes së veprës penale dhe vetëm pas kësaj kanë aplikuar për amnisti ose falje. Por një gjë është shumë e qartë, që në vendet evropiane dhe të Amerikës veriore, ku neve duam të integrohemi përmes NATO-s dhe BE-së, për vepra penale që nivelojnë terrorizëm amnisti nuk jepet, por të njëjtat gjykohen para një gjykate fer dhe të paanshme dhe marrin dënime serioze.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button