Shkup, filloi projekti për avancimin e kapitalit njerëzor

Doemos duhet t’i mbrojmë fëmijët. Ata janë investimi dhe kapitali ynë i ardhmërisë, tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev duke u adresuar në konferencën për “Nxitjen e rritjes ekonomike përmes investimit në kapitalin njerëzor”, raporton Anadolu Agency (AA).

Sot filloi realizimi i projektit në vlerë prej 30 milionë euro nga Banka Botërore për avancimin e kapitalit njerëzor. Bëhet fjalë për Projektin për përmirësimin e shërbimeve sociale, që do të mbështesë një përfshirje më të madhe të fëmijëve në kopshtet si dhe shërbime më të mira sociale.

Zaev në jubileun e rëndësishëm 25 vjeçar të bashkëpunimit me Bankën Botërore tha se arsimi doemos duhet të reformohet dhe të sigurojë kushte dinjitoze për jetë të atyre fëmijëve që nuk i kanë.

“Doemos duhet t’i mbrojmë fëmijët. Ata janë investimi dhe kapitali ynë i së ardhmes. Doemos duhet t’u sigurojmë kushte dinjitoze për jetë për ata që nuk kanë dhe t’u mundësojmë kushte bazë të barabarta për sukses në jetë. Arsimi patjetër të reformohet dhe të ofrojë program cilësor arsimor”, tha Zaev.

Nënkryetari i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, Siril Muler theksoi se me rëndësi është që të investohet në fëmijët që në moshën parashkollore.

“Prosperiteti i ardhshëm i rajonit do të varet nga aftësia e këtij rajoni të ketë kapital njerëzor në nivel botëror. Më pas ne fuqishëm besojmë se popullata e arsimuar në mënyrë të shëndoshë është me rëndësi themelore për uljen e varfërisë dhe arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe prosperitetit”, deklaroi Muler.

Ministri i Financave të Maqedonisë, Dragan Tevdovski tha se vitet e kaluara investimet në kapitalin njerëzor në vend nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Sigurisht se faktori kyç për zhvillimin ekonomik dhe për luftën kundër varfërisë është kapitali njerëzor. Njohuritë dhe shkathtësitë që i fitojnë njerëzit gjatë jetës së tyre janë resursi më i rëndësishëm për arritjen e këtyre qëllimeve, rritja praktike e standardit jetësor për shumicën e qytetarëve”, deklaroi Tevdovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button