Aleanca për Shqiptarët: Me gjykatës partiak si Subhi Jakupi, nuk reformohet gjyqësori

Aleanca për Shqiptarët akuzon pushtetin se po ndërhyn në punën e Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e gjykatësve, duke emëruar kandidatët e deleguar nga zyrat partiake të LSDM-së dhe BDI-së, njofton Portalb.mk.

Ata kundërshtojnë zgjedhjen e Subhi Jakupit për gjykatës në Gjykatën e Lartë Administrative duke theksuar se personi në fjalë është nga radhët e BDI-së dhe i njëjti dha dorëheqje nga posti për shkak të kryerjes së detyrës në mënyrë jo-transparente.

“Subhi Jakupi i cili u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Lartë Administrative, kuadër i BDI, ish anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili u detyrua të japë dorëheqje së bashku me kolegët tjerë të KQZ , për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, që në mënyre jo-transparente, krahas pagës së rregullt kishin ndarë edhe disa paga plotësuese për veten e tyre, dhe të holla të majme për udhëtim, në kundërshtim me të gjitha normat e kriteret ekzistuese për këto qëllime. Shtrohet pyetja, çfarë kredibiliteti moral, dhe integriteti personal do ketë Subhi Jakupi për ta ushtruar detyrën e Gjykatësit? Çfarë drejtësie do t’u ndajnë qytetarëve gjykatësit partiakë të llojit të Subhi Jakupi ose nga Xhelal Bajrami, prokuror i lartë republikan, ish zv. Ministër i BDI-së në Ministrinë e Punëve të Brendshme, apo ndonjë tjetër, që në poste me aq rëndësi, ku do të ndahet drejtësia, vjen përmes nepotizmit. Çfarë sistemi Juridik, dhe shtet të së drejtës mund të ketë në Maqedoni, kur gjykatës dhe prokurorë delegohen nga po ato parti politike, zyrtarët politik të të cilëve tyre janë pjesë e hetimeve dhe procedurave për krim dhe korrupsion?”, tha zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

Nga Aleanca për Shqiptarët e pyesin kryeministrin Zoran Zaev, tani edhe si njeri që udhëheq me organin për reforma në sistemin e drejtësisë se ku mbeti reforma në Këshillin Gjyqësor republikan, i cili, sipas tyre është me plotë anëtar të afërt të LSDM, të VMRO dhe BDI-së dhe po zgjedhin gjykatës të afërt me partitë në pushtet, duke pamundësuar zgjedhjen e gjykatësve tjerë profesionist.

“A është i vetëdijshëm kryeministri Zaev, se me zgjedhjen e gjykatësve partiakë, dhe kryetarëve partiak të gjykatave në Maqedoni që dikur zgjidheshin nga zyrat partiake të VMRO-BDI, sot që zgjidhen sërish nga zyrat e BDI-së dhe LSDM. Kjo mënyrë e emërimeve partiake në poste me aq rëndësi në sistemin gjyqësor, nuk e reformojnë sistemin e drejtësisë, përkundrazi këto zgjedhje joprofesionale dhe partiake i minojnë dhe seriozisht i pengojnë proceset euro-integruese, pikërisht në këto momente, kur reformat në gjyqësi, dhe gjyqësia e pavarur nga partitë dhe qeveria, janë parakusht që Maqedonia të inkuadrohet në BE dhe NATO”, tha Bexheti.
Ata kërkojnë që të ndërmerren masa për, siç thonë ata reformim dhe depolitizim të Këshillit Gjyqësor.

“Kërkojmë që ky Këshill të krijohet njëjtë si ne vendet e shteteve te BE-se, dhe jo anëtarët e saj ti zgjedh dhe ti propozoj kuvendi I RM, dhe Kryetari i shtetit siç ka qene rasti deri tani. Kërkojmë nga ambasada e SHBA në Shkup, dhe nga Zyra e BE, që seriozisht t’i marrin parasysh vërejtjet tona për zgjedhjen e gjykatësve partiakë, si dhe nepotizmin familjar, në të kundërtën, qytetarët e Maqedonisë, me të drejtë nuk do t’i besojnë sistemit të drejtësisë në këtë shtet”, tha Bexheti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button