Maqedoni, reagime të shumta ndaj deklaratës së Zaevit për amendamentet shqiptare

Amendamentet kushtetuese për çështjen shqiptare të propozuara nga opozita shqiptare në Maqedoni, të cilat u karakterizuan me “Kutinë e Pandorës”, solli përplasje mes kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe partive opozitare, Aleanca për Shqiptare, Lëvizja BESA dhe VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.

Mile Boshnjakovski

Sot zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski në lidhje me procedurën e përpilimit të amendamenteve kushtetuese të cilat duhet të dorëzohen në Kuvendin e Maqedonisë më së voni deri të premten, tha se është duke vazhduar koordinimi.

“Koordinimi ende vazhdon, kur do t’i verifikojmë amendamentet do të caktojmë seancë dhe do ti dorëzojmë në kuadër të afatit të paraparë”, tha Boshnjakovski.

LEXO: Lëvizja BESA me kryetar Kasamin dorëzoi 4 amendamente kushtetuese
LEXO: Taravari: Nuk i kushtëzojmë votat e deputetëve tanë për mbështetje të Marrëveshjes së Prespës

Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare kanë kërkuar që në procesin e përpilimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat nisën me arritjen e marrëveshjes së Prespës, të futen edhe amendamentet për çështjen shqiptare, të cilat për kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev janë të pranueshme, për siç tha ai, “që të mos zgjerohet Kutia e Pandorës”.

Flakron Bexheti
Flakron Bexheti

Mospranimin e kërkesave të opozitës shqiptare, Aleanca për Shqiptarët e sheh si nxjerrje në pah të pjesës së errët të kryeministri Zaev, nga ku shtojnë se ai “padashje vlerësoi se kërkesat shqiptare janë gjëra të këqija”.

“Kryeministri Zaev është duke e nxjerrë pjesën e errët të partisë së tij, unë nuk e di se a e di ai këtë çështjen etimologjike të Kutisë së Pandorës, ku thuhet se hapen për të dalë gjërat e këqija, dhe padashje vlerësoi se kërkesat shqiptare janë gjëra të këqija. Është tendencioze, madje edhe cinike, pasi që vlerësojmë se Kushtetuta e Maqedonisë nuk përmbush kërkesat e shqiptarëve, dhe prandaj kryeministri Zaev nuk duhet ti sheh kërkesa e shqiptarëve si të këqija”, tha zëdhënësi i ASH-së, Flakron Bexheti.

Ka reaguar edhe kryetari i njërit fraksion të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili tha se vetë deklarata e kryeministrit Zaev është hapje e Kutisë së Pandorës.

Bilall Kasami
Bilall Kasami

“Kjo nuk është kohë për mbyllje, por për hapjen e problemeve të së kaluarës. Nëse Zaev mendon se këto çështje janë hapje e Kutisë së Pandorës, atëherë pikërisht këto komente do ta hapin Kutinë e Pandorës të cilat patjetër duhet të zgjidhen tash. Ky është vendim ideal që ato çështje të zgjidhen”, tha Kasami, i cili ditë më parë tha se “nëse kërkesat e partisë së tij nuk pranohet, Qeveria e Maqedonisë do ta mbajë përgjegjësi për dështimin e miratimit të Marrëveshjes së Prespës”, transmeton Portalb.mk.

Lideri i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski “Kutinë e Pandorës së Zaevit” e krahasoi me drejtësinë absolute dhe selektive.

“Pasi që Zaev tashmë po përdor terma që rrjedhin nga artefaktet e lidhura me mitologjinë greke, duhet të dijë se kutia e Pandorës nuk zgjerohet, por hapet. Është e thjeshtë. Njësoj siç ka dallim mes drejtësisë absolute dhe selektive, ose mes të shantazhuarve dhe të pashantazhuarve”, shkroi Mickoski në Twitter.

Përpilimi i amendamenteve vjen pas miratimit të procedurës për hapjen e kushtetutës së Maqedonisë, më 19 tetor të 2018-s në Kuvendin e Maqedonisë. Miratimi u mundësua me votën “për” të 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, përfshirë edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së, për të cilët në Kuvendin e Maqedonisë do të formohet Komision për Pajtim Nacional dhe grup parlamentar, pasi që u përjashtuan nga partia.

Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar:

  • Trajtim të barabartë të gjuhës shqipe dhe maqedonase në kuadër të Kushtetutës së Maqedonisë dhe
  • Vendosjen e marrëveshjes së Ohrit në preambulën e Maqedonisë, e cila u kërkua edhe nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

“Marrëveshja e Ohrit duhet të përfshihet në preambulën e Kushtetutës”, tha Osmani ditë më parë, për të cilën kryeministri Zaev tha se Marrëveshja e Ohrit është mbyllur në vitin 2001.

Lëvizja BESA ka kërkuar: 

  • Në pjesën e Preambulës të rikthehet propozimi që u miratua nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001, ku Maqedonia e definonte si shtet të barabartë të gjithë qytetarët e saj.
  • Në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuha zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi cirilik dhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj.
  • Maqedonia përkujdeset për të gjithë qytetarët e saj që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë dhe jo vetëm për popullatën maqedonase në veçanti, ndërsa etnitë e tjera të përgjithësuara në qytetarë të tjerë.
  • Që të mos lejojnë kryetarin e shtetit të bllokojë ligjet e miratuara për herë të dytë në Kuvend, duke mundësuar që pas votimit të dytë dhe mos dekretimit nga kryetari i Republikës në afat kohor të përcaktuar, ligji i aprovuar të publikohet vetëm me nënshkrimin e Kryetarit të Kuvendit.

Krahas “amendamenteve për çështjen shqiptare”, nisja e procedurës për ndryshim kushtetuese sjellë me vete edhe formimin e Komisionit për Pajtim Nacional dhe formimin e grupit paralamentar.

LEXO: Amendamentet kushtetuese të hënën në Kuvend, sfidohen me tre procese të reja

Çfarë pas përpilimit të amendamenteve?

Pas përpilimit të amendamenteve, të njëjtat dorëzohen në Kuvenin e Maqedonisë, dhe çdo amendament nëpërmjet së cilëve do të intervenohet në kushtetutë, do të duhet që të kalojë nëpërmjet kontrollit në Komisionin Juridik-Ligjvënës dhe në Komisionin për Çështje Kushtetuese.

Pasi që Kuvendi me shumicë absolute, gjegjësisht me përkrahjen e 61 deputetëve do të deklarohet për çdo amendament të amendamenteve kushtetuese, do të caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës për të cilën është e nevojshme shumicë prej dy të tretave dhe me këtë bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

Deri në ndryshimin e Kushtetutës është e nevojshme që të votohet edhe dy herë, njëherë me shumicë absolute gjegjësisht 61 vota nga numri i përgjithshëm dhe një herë me shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht me 80 vota.

LEXO: Pesë kaluan, kanë ngelur edhe 10 hapa deri në ndryshimin e Kushtetutës

Ndryshimet kushtetuese parashihen me marrëveshjen e Prespës e cila është kusht për nisjen e procesit integrues të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Zaev nuk i pranon kërkesat e opozitës shqiptare për ndryshimet kushtetuese

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button