Administrata për dhjetë vjet nuk mësoi se si hartohen ligjet

Administrata e Maqedonisë për një dekadë të tërë nuk mësoi të përgatitë ligje të reja në mënyrë adekuate ashtu që qytetarët do të kishin një pasqyrë se çfarë ndikimi do të ketë ndonjë rregullore e re në jetën e përditshme, gjegjësisht cilat do të jenë kostot e zbatimit të dispozitave të reja ligjore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Gati dhjetë vjet pas instalimit të veglës “Vlerësimi i ndikimit rregullator” (VNR), vendi nuk mund të konfirmojë rezultatet relevante. Kjo rezulton nga Analiza e cilësisë së formularëve për vlerësim të ndikimit të rregulloreve, që e ka lëshuar Instituti për demokraci “Societas Civilis” – Shkup.

“Draft-raportet për  vlerësim të ndikimit të rregulloreve (VNR) nuk përmbajnë të dhëna të mjaftueshme që t’u mundësonin politik-bërësve të formojnë zgjidhje të bazuar në prova, ndërsa qytetarëve do t’u mundësonte pasqyrë të plotë në problemet, zgjidhjet e mundshme dhe kostot e zbatimit të tyre” , thotë Natalia Shikova, autore e analizës.

Analiza nxjerr në pah se ekziston një hendek i dukshëm në mes të kërkesave  ekzistuese në dokumente për të vlerësuar ndikimin e rregulloreve dhe praktikës aktuale.

“Është më se e qartë se VNR-ja dhe veglat saj (analiza, përfshirja e palëve të interesuara, etj) përdoren në mënyrë krejtësisht sipërfaqësore dhe vetëm pasi politikat dhe vendimet rregullatore veçse janë marrë. Pavarësisht superioritetit teorike është e qartë se në praktikë VNR-ja shihet vetëm si një ushtrim për të “shënuar kutitë” (checking the boxes) dhe neglizhohen të gjitha aspektet tjera relevante që ndërlidhen me analizën e një politike të caktuar. Kjo konstatim nuk vlen vetëm për ndikimet që vështirë vlerësohen, prandaj edhe më së shpeshti nuk merren parasysh, por vlen pothuajse për të gjitha ndikimet e mundura. Prandaj, duket se VNR-ja më tepër përdoret vetëm formalisht, gjegjësisht shërben për të legjitimuar ndonjë veprim ose hap të përcaktuar prej më parë, se sa për të siguruar vërtetë dëshmi të balancuar si mbështetje ose kundër politikës së propozuar”, thuhet në analizë.

Analiza tregon se përkushtimi politik është thelbësor gjatë zbatimit e procesit, por mbase nuk ekziston përkushtim i plotë dhe kuptim i rëndësisë së vlerësimit të ndikimit të rregulloreve.

“Kjo reflektohet në cilësinë e dobët të plotësimit të raporteve për vlerësim të ndikimit të rregulloreve, të nënshkruar nga zyrtarët më të lartë të institucioneve. Prandaj, është e qartë se në vend të sigurohen vendime të informuara dhe të merren vendime në bazë të provave, në shumicën e rasteve VNR-ja zbatohet për të justifikuar interesa të ndryshme institucionale ose politike “, thuhet në analizën.

Në analizë konstatohet se faktorët ekonomikë injorohen plotësisht ose nuk zbatohet as analiza standarde përfitim-kosto as analiza më shumë kritereve.

Si zgjidhje të këtyre problemeve rekomandohet që politik-bërësit t’i vlerësojnë dhe masin veglat që i kanë në dispozicion, dhe të përcaktojnë mënyrën më të mirë për t’i përdorë dhe për t’i kombinuar për të arritur rezultate konkrete. Gjithashtu, theksohet se administrata duhet t’i nënshtrohet trajnimit të vazhdueshëm për të fituar aftësi analitike dhe të jetë në gjendje që kryejë analizë të qëndrueshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button