Kosovë, Ministri Tahiri takon Prokurorin e Specializuar, Jack Smith

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim Prokurorin e Specializuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga Ministria e Drejtësisë thuhet se gjatë këtij ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha obligimet e saja ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, ministri Tahiri ka kërkuar nga Prokurori Smith që qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe të bazuara në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare.

Pas takimit të veçantë mes ministrit Tahiri dhe Prokurorit Smith, është mbajtur edhe një takim i përbashkët me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, si dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Kujtojmë se prokurori i Specializuar Jack Smith viziton Kosovën për herë të parë për takime me zyrtarë ndërkombëtarë dhe kosovarë. Smith u përzgjodh në postin e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga Bashkimi Evropian dhe u emërua në këtë post nga shefja e Misionit të EULEX-it, Aleksandra Papadopulu (Alexandra Papadopoulou). Ai filloi detyrën më 11 shtator. Smith është prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të nivelit të lartë dhe në hetime penale ndërkombëtare.

Zyra e Prokurorit të Specializuar po heton krimet e pretenduara në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 “Trajtimi ҫnjerёzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore nё Kosovë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button