ANALIZË: Mobilizohen komunat – priten para nga buxheti për kthimin e borxheve!

Edhe revizioni i gjashtë me radhë në komunën e Ohrit zbulon probleme të thella financiare dhe paqëndrueshmëri, lëshime gjatë ndarjes së subvencioneve, poashtu edhe në menaxhimin me pronën komunale. Komuna e Ohrit, e cila aktualisht ka borxh prej rreth 20 milionë eurosh, është në pritje të injeksionit buxhetor nga qeveria qendrore për ta paguar një pjesë të borxheve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Por, kjo komunë nuk është e vetmja që është e zhytur në borxhe. Si do t’u ndahen 50 milionë euro nga buxheti qendror autoriteteve lokale, por edhe si do të parandalohet që kryetarët e komunave të mos krijojnë borxhe të reja?

Të gjithë shpresojnë të marrin injeksion financiar – a do të ketë kritere?

Në fund të vitit 2017, në evidencën e komunës së Ohrit janë shënuar detyrime (borxhe) të papaguara në vlerë prej 470,000 eurosh, për të cilat ka pasur procedura gjyqësore, por ende nuk ka vendime ekzekutive. Por, përveç kësaj, në bazë të vendimeve ekzekutive, komuna ka detyrime të papaguara në vlerë prej 8.8 milionë eurosh. Këto shuma që janë paraqitur në raportin e ri të revizionit, konfirmojnë se kjo komunë është në krye të listës së komunave të ngarkuara me borxhe dhe se situata më nuk është e qëndrueshme. Nga komuna për “Portalb”-in thonë se në operacionin për kthimin e borxheve e rëndësishme është se çfarë qëndrimi do të kenë kreditorët dhe se përparësi do të kenë ata që do të heqin dorë nga kamata.

“Borxhi i përgjithshëm i komunës së Ohrit, edhe në bazë të kamatës dhe në bazë të kryegjësë, është rreth 20 milionë euro. Nga këto, rreth 13 milionë euro janë për kamata, por kjo shumë nuk mund të llogaritet në kontabilitet për shkak se ndryshon vazhdimisht, madje edhe në bazë ditore për shkak të llogaritjes së kamatës. Me paratë e buxhetit kemi në plan të vazhdojmë me praktikën aktuale – kthimin e borxheve ndaj kreditorëve, duke u dhënë përparësi atyre që do të vendosin të heqin dorë nga kamatat. Për shembull, nëse kemi një kreditor që do të heqë dorë tërësisht nga kamatat, ai do të ketë përparësi gjatë kthimit të borxhit. Natyrisht, rastet janë të ndryshme, për shembull, kamata në borxhin prej 1 milion eurosh ndryshon nga kamata në borxhin prej 100.000 eurosh, kështu që do të vendosen kritere në bazë të të cilave do të paguhen borxhet” – thotë Igor Bezhoski, sekretar në komunën e Ohrit.

Llogaria e komunës së Ohrit është e bllokuar për më shumë se gjashtë muaj, në vazhdimësi, që nga viti 2002 e deri tani, ndërsa shuma e përgjithshme e borxheve të papaguara mbi 60 ditë tejkalon 80% të të ardhurave të realizuara të buxhetit themelor, por në këtë rast bllokada është më e madhe se sa të ardhurat e përgjithshme të vitit të kaluar.

“Gjatë vitit 2017, vazhdojnë kushtet që krijojnë paqëndrueshmëri financiare, ndërsa gjatë kësaj periudhe, sikurse edhe gjatë viteve të mëparshme nuk janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për ta kapërcyer paqëndrueshmërinë financiare të komunës. Buxheti për vitin 2017 nuk përmban pjesë zhvillimore sipas programeve dhe nënprogrameve buxhetore, e as vitet gjatë të cilave do të realizohen ato dhe burimet e financimit” – thekson revizori.

Nga komuna e Gostivarit, e cila në bilancet e saj tregon borxh në vlerë prej 1 milion eurosh në bazë të detyrimeve të papaguara, për “Portalb”-in thonë se për momentin nuk kanë informatë se a janë në listën e komunave që do të marrin para nga buxheti.

“Deri më sot nuk kemi informacion të saktë se a është përfshirë komuna jonë në procesin e ndarjes së mjeteve buxhetore nga pushteti qendror. Gjithsesi, kjo do të ishte e dobishme, gjegjësisht do të rritej likuiditeti i komunës, do të realizoheshin pagesat ndaj kreditorëve dhe do të ndihmohej gjendja financiare e shfrytëzuesve, konkretisht e shkollave dhe çerdheve, si dhe e ndërmarrjeve publike që veprojnë në territorin e komunës” – thonë nga vetëqeverisja lokale e Gostivarit.

Sipas të dhënave që i ka në dispozicion “Portalb”-i, por edhe sipas informatave zyrtare nga pushteti lokal, kjo komunë ka arritur të sigurojë stabilitet financiar dhe realizimi i buxhetit gjatë këtij viti është 70% nga ajo që është planifikuar.

“Në procedurë e sipër janë dy procese gjyqësore me dy kreditorë, borxhet e të cilëve, sipas të dhënave, kapin vlerën 1.2 milionë euro ndaj një kompanie që ka kërkesë për pagesë të shërbimit “rrënim i objekteve” dhe në këtë shumë është përfshirë edhe kryegjëja edhe kamatat, dhe shumën prej 813.000 eurosh ndaj një kompanie për shërbim të kryer për ndërtim të rrugëve dhe udhëve” – sqarojnë nga komuna.

Në listën e komunave me nivel më të madh të borxhit janë edhe Tetova, Kumanova dhe Karposhi.

Qeveria do t’u ndihmojë, por edhe do t’i disiplinojë autoritetet lokale…

Operacioni për kthimin e borxhit të komunave do të fillojë zyrtarisht me miratimin e rebalancit të buxhetit. Sipas llogaritjeve të publikuara, do të ndahen pothuajse 50 milionë euro, të cilat duhet t’i mbulojnë 51% të borxheve të komunave. Borxhi i përgjithshëm që e kanë raportuar autoritetet lokale, deri në fund të shtatorit, arrin në 81.3 milionë euro.

“Ndihma financiare prej 51 për qind të shumës së përgjithshme është një ndihmë serioze. Krijojmë në mënyrë të qartë një mekanizëm për ta parandaluar grumbullimin e borxheve në të ardhmen dhe themi në mënyrë të qartë se për herë të dytë nuk kemi ndërmend të bëjmë një gjë të tillë dhe kjo nuk do të ndodhë. Tani ka hapësirë ​​për t’u ndihmuar, në këtë moment e zgjidhim problemin e borxhit” – deklaroi ministri i financave, Dragan Tevdovski.

Paratë nga buxheti qendror që do të përfundojnë në llogaritë komunale do të jenë rreptësishtë të dedikuara dhe të pakthyeshme. Komunat presin që qeveria të japë udhëzime për veprim.

“Kjo do të jetë një mundësi për zhbllokimin e mundshëm të llogarisë së komunës së Ohrit. Qeveria do të ndihmojë, por gjithashtu do të ketë nevojë për mirëkuptim edhe nga kreditorët. Procesin do ta realizojmë me kujdes, me kritere të caktuara rreptësishtë dhe garantojmë se nuk do të ketë selektivitet apo favorizim. Në të njëjtën kohë, duhet të jenë aktive edhe mekanizmat për parandalimin e grumbullimit të mëtejshëm të borxheve. Një nga këto mekanizma është kufizimi ligjor sipas të cilit komunat nuk duhet ta rrisin buxhetin më shumë se 10% në krahasim me vitin paraprak. Sigurisht, priten edhe udhëzime nga qeveria për veprimet që duhet të ndërmerren në lidhje me operacionin e kthimit të borxhit” – thotë Bezhoski nga komuna e Ohrit.

Nga qeveria paralajmërojnë mekanizma plotësues për kontrollin e financave në nivel lokal.

“Si zgjidhje sistemore, komunat nuk duhet futen në borxhe të reja, është paraparë një mekanizëm kontrollues në nenin 2 të Ligjit për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale. Në fakt, komunat mund t’i planifikojnë të ardhurat e tyre më së shumti deri në 10 për qind të të ardhurave mesatare në tre vitet e fundit” – deklaroi Suhejl Fazliu, ministër i vetëqeverisjes lokale.

Debati parlamentar për rebalancin e buxhetit fillon këtë javë, dhe pas përfundimit të debatit në komision, do të pasojë edhe debati në seancë plenare para votimit përfundimtar për ndryshimet në arkën e buxhetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button