Usain Bolt i paarritshëm, kampion i 100-metrave

Usain Bolt konfirmohet në podiumin më të lartë të disiplinës më të ndjekur të atletikës, garën e 100 metrave. Xhamajkiani nuk zhgënjeu, duke u konfirmuar mbreti i olimpiadës pas triumfit në Pekin.

Bashkëkombasi i tij, Yohan Blake nuk e vuri aspak në vështirësi shokun e tij në garën e 100 metrave, sepse “njeriu i erës” vendosi rekord olimpik me kohën 9:63.

Ky ishte konfirmimi se Bolt është ende në formë, pavarësisht humbjes kokë më kokë ndaj rivalit Blake në garën e Xhamajkës. Vendi më i ulët i podiumit shkon për një njohje të vjetër.

Justin Gatlin rishfaqet pas pezullimit për doping, duke i siguruar SHBA-së të vetmen medalje. Zhgënjim për Asafa Powell që e mbylli finalen në vendin e fundit, ndërsa Tyson Gay regjistroi vetëm kohën e katërt.

Ndërkohë, amerikania Richards-Ross respektoi gjithë parashikimet në 400 m për femra, duke “djegur” rivalet me kohën 49 sekonda e 55 të qindtat. Vendi i dytë shkoi për britaniken Ohuruogu, e ndjekur nga amerikania Trotter. Zhgënjim për favoriten ruse Antonina Krivoshapka që e mbylli garën me kohën 50:17.

Në trehapësh, ari shkoi për kazaken Olga Rypakova me 14:98 metra, argjendi për kolumbianen Caterine Ibarguen dhe vendi më i ulët i podiumit për ukrainasen Olha Saladuha. Respektohen parashikimet në 3.000 metra me dominimin e etiopianit Ezekiel Kenboi që la pas francezin Mekhissi dhe bashkëkombasin Mutai.

Lajme të ngjashme

Back to top button