E gëzofsh Bajramin e madh! E gëzofsh Bajramin e vogël!

U ktheva vonë. Sa hëngra pak bukë, e hapa e-mailin. U gëzova shumë që një mik ma uronte bajramin. Më shkruante: e gëzofsh bajramin! Kështu uronim atëherë: E GËZOFSH BAJRAMIN!

Ky urim më ktheu prapa, në fëmijëri, kur bajrami ishte festë me shumë ngjyra të bukura të cilat njeriu i gjen vetëm në ëndrra e të cilat përnjëherë, me të thërritur të ezanit në mëngjes, e mbulonin mjerimin e atëhershëm. Në skenën që dilte në dritë kësaj dite mbretëronte drita që na kishte munguar gajtë vitit, gëzimi, ndjehej era e mirë e mollëve renditur në raftet e dhomave, ndjehej kënaqësia.  Perëndia e detyronte atëherë harresën t’i përveshë krahët e t’i hedhë pas dere për disa ditë hallet e shumta, që na vinin nga varfëria dhe pushteti i asaj kohe.

E kishte bajrami edhe komunikimin më solemn se sot. E kishte atë ngrohtësinë e festës popullore. Jo si sot që është ngarkuar me peshën e tepruar të religjiozes dhe që është vënë nën kontrollin e fortë institucional të bashkësisë fetare. Më kujtohet kur ktheheshim në mëngjes nga varret (ku shkonim t’i “vizitojmë” e t’i nderojmë rahmetlitë tonë) si përjetoheshin ato rrezet e padukshme të dashurisë që ruanim për njerëzit tonë të dashur që kishin shkuar në amshim. Pastaj vinte silla festive e përgëzimet familjare: e gëzofsh bajramin! Kofsh shëndosh edhe ti e gëzofsh! Të veçanta ishin edhe vizitat që u bënim bijave të martuara, hallave, tezeve. Në farefisni e gjetiu, rrugës, gjithkund kah shiheshim me njerëz, e uronim njëri-tjetrin:
– E gëzofsh bajramin!
– Kofsh shëndosh, edhe ti e gëzofsh!
Ishte një urim i popullor. I dalë nga gurra e shqipes. Festa asokohe u falte muzikë të papërshkrueshme fjalëve, kurse sytë u shkëlqenin njerëzve kur i shqiptonin ato: e gëzofsh! Kofsh shëndosh, edhe ti e gëzofsh! Se, ishin urime me peshë këto: të jeni të gëzuar në këto ditë feste. Përgjigjja edhe më e madhe: qofsh shëndosh, vëlla (mik, shok, kushëri) , edhe ti e gëzofsh! A ka urim më të mirë se t’i urosh festën dashamirit e bashkë me të t’i urosh shëndet. Pra t’i shprehësh dëshirë për pasurinë më të madhe të kësobotshme – të jesh shëndosh? E gjithë kjo përmes leksikut dhe gramatikës së mrekullueshme shqipe. Përmes gjuhës sonë të dashur shqipe. E vërtetë, ka orientalizma edhe në urime, aty-këtu, mirëpo ato populli i ka renditur bukur në harmoninë e gjuhës, sikur tullat në një ngrehinë që e bën dora e mjeshtrit të rangut të ndërtuesit të Taxh Mëhallës dhe nuk ndjehen si barrë e madhe.

Një e dy – unë te gjuha. Nuk janë vetëm orientalizmat (të cilat duhet t’i tëharrim sa më shumë). Janë edhe do gjëra që nuk më pëlqejnë tash në leksikun e urimeve. E di se fjala “urime” është shqipe, por nuk e di pse nuk më rri në murin e gjuhës kur urojmë, kur e rendis, por më rrëshqet duarsh vazhdimisht, më bie poshtë e nuk zë vend e nuk palohet si guri në murin mjeshtëror të gjuhës. Ndërsa “e gëzofsh” dhe “gëzuar” palohet aty mirë dhe shndrit si ndonjë xixëllonjë.

T’i kthehemi bajramit. E evokoj hoxhën plak të katundit ku kam le, më kumbojnë ende sintagmat që lidhen me bajramin. Bajrami i madh; për bajram të madh; mas bajramit të madh, e kështu me radhë. Në fëmijërinë time kishte bajram të madh e bajram të vogël. Dhe, nuk i thoshin bajram i madh pse ishte më i madh për nga përmbajtja, por pse ishte i pari brenda vitit që e festonim, ndërsa i vogël ishte bajrami që vjen pas tij. Ne i themi më i madh vëllait që është i lindur para të tjerëve. Ai me shtat mund të jetë më i vogël se të gjithë vëllezërit tjerë, por është më i madh ngase ka lindur para të tjerëve. Është punë rendi këtu. I madhi ka kuptimin e të parit me radhë. I vogli që vjen pas të parit, pra i dyti, i treti e kështu me radhë. Dhe, këta mbiemra nuk kanë ngjyrime semantike të cilat do ta preknin përmbajtjen fetare. Prandaj pse të heqim dorë nga bajrami i madh dhe nga bajrami i vogël. Ne kurrë nuk e kemi pasur në fjalorin e komunikimit tonë të përditshëm fitër bajramin ose kurban bajramin. Këto sintagma janë import i vonë. Dhe, ato duken si “zbukurimet” prej plastike përballë ftonjve e mollëve me të cilat dikur nënat tona i zbukuronin raftet për ta mbushur botën tonë me erën e mirë të pemëve vendore. Nuk më duken sintagma që do të mund të rehatohen në kështjellën e bukur të gjuhës shqipe

Prandaj:
E GËZOFSH BAJRAMIN E MADH! E GËZOFSH BAJRAMIN E VOGËL!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button