Greqia do t’i dorëzojë notë proteste Shqipërisë

Ministria e Jashtme e Greqisë do t’i dorëzojë notë proteste ambasadores së Shqipërisë në Athinë, Adriana Hobdari, në lidhje me vrasjen gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës të shtetasit Kostandinos Kaçifa, i cili ishte banor i minoritetit grek, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve nga burimet e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, mësohet se ambasadores së Shqipërisë në Athinë, Adriana Hobdari, do t’i dorëzohet notë proteste pasi të thirret në MPJ-në e Greqisë.

Ditën e djeshme shtetasi Kostandinos Kaçifa, i cili ishte banor i minoritetit grek u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë shqiptare në Qarkun e Gjirokastrës.

Ndërsa në Greqi pas ngjarjes për të cilën ka patur reagime nga shtresa të ndryshme u zhvilluan protesta nga grupet e ekstremit të djathë para Ambasadës së Shqipërisë në Athinë.

Në një deklaratë të bërë dje nga Ministria e jashtme e Greqisë duke vënë theksin se janë në kontakt me autoritetet shqiptare për vdekjen e Kaçifa u theksua se “Sidoqoftë, është e papranueshme që operacioni të rezultojë në humbjen e jetës së një personi. Ne presim që autoritetet shqiptare të japin një pasqyrë të plotë të rrethanave nën të cilat vdiq shtetasi grek”.

Ndërkohë në një njoftimin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, u shpreh keqardhje për ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër, si dhe për politizimin, sipas njoftimit, të pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj, të Greqisë.

– “Qëlloi kundër forcave të policisë”

Sipas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, në fshatin Bularat, Kaçifa ka qëlluar fillimisht me armë zjarri në ajër e më pas mbi punonjësit e policisë.

Policia njoftoi se forcat policore ishin vendosur në qendër të fshatit pasi do zhvillohej një aktivitet për një festë të Greqisë. Gjithashtu thuhet se Kaçifa, 35 vjeç, ishte banues në Bularat, por kohët e fundit jetonte më shumë në Greqi.

Gjatë operacionit për arrestimin e tij, forcat e policisë janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi në fjalë.

 

Policia e Shqipërisë sqaroi vrasjen e minoritarit grek, qëlloi kundër forcave speciale

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button