Qeveria e Maqedonisë do ta luftojë gjuhën e urrejtjes përmes konceptit “Një shoqëri” dhe me kallëzime penale

Qeveria e Maqedonisë nëpërmjet strategjisë kombëtare për zhvillimin e konceptit “Një shoqëri” dhe interkulturalizmit në Maqedoni, do ta luftojë gjuhën e urrejtjes e cila në shtet ka marrë përmasa shqetësuese, sidomos në dekadën e fundit. Nga Qeveria paralajmërojnë edhe padi të reja nëpërmjet MPB-së për personat që kanë shpërndarë dhe shpërndajnë gjuhë të urrejtjes nëpër rrjetet sociale dhe gjithandej, njofton Portalb.mk.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë, nuk do ta tolerojë zhvillimin dhe rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe do të punojnë me përkushtim në shkatërrimin e të njëjtës. Ministria e Punëve të Brendshme në dy javët e kaluara ka dorëzuar 5 padi penale deri në Prokurorinë Themelore Publike, ndërkaq vijojnë edhe paditë nga ana e MPB-së në Prokurorinë Themelore Publike për gjuhën e urrejtjes të cilat janë shpërndarë nëpër media dhe rrjetet sociale. Pas gjatë kohe, në Republikën e Maqedonisë institucionet po veprojnë në kohë për parandalimin e gjuhës së urrejtjes”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë në lidhje me gjuhën e urrejtjes, si dukuri në shoqërinë tonë, e cila në periudhën që lamë pas, sipas analizës së Portalb.mk, fare nuk është sanksionuar.

Sipas planit të Qeverisë, planifikohet hartimi i një dokumenti i cili do të ketë synim përmirësimin e kornizës ligjore për parandalimin dhe sanksionimin e gjuhës së urrejtjes, ndërmarrje të masave për të zvogëluar nivelin e urrejtjes ndërmjet të rinjve nga komunitetet e ndryshme, punë me grupet e tifozëve për të zhdukur urrejtjen ndëretnike dhe manifestimin e racizmit, ndërtimin e politikave dhe organizimin e një numri më të madh të ngjarjeve dhe manifestimeve, me përmbajtjen e të cilave aktorët dhe porositë do të synojnë rritjen e tolerancës ndërkulturore.

“Vijon thirrja publike për paraqitjen e përfaqësuesve të organizatave civile dhe personat e interesuar për pjesëmarrje në grupet punuese për përgatitjen e Strategjisë Nacionale për zhvillim të konceptit një shoqëri dhe interkulturalizëm në Republikën e Maqedonisë. Strategjia do të përgatitet në periudhë prej gjashtë muajve në shtatë grupe pune, në mesin e të cilave parashihen masa për zvogëlimin e urrejtjes mes të rinjve nga komunitetet e ndryshme, punë me tifo grupet për shkatërrimin e urrejtjes ndëretnike dhe manifestimit të racizmit. Ndërtim të politikave dhe organizimeve të një numri më të madh të ngjarjeve dhe manifestimeve, të cilat në përmbajtjet e tyre, aktorët dhe porositë do të jenë në funksion të ndërtimit të tolerancës inter-kulturore”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë për Portalb.mk.

Shtatë pikat e straegjisë, ku do të punojnë grupet punuese:

  1. Korniza ligjore: Analiza dhe përmirësimi i kornizës ligjore për zhvillimin afirmativ të konceptit të një shoqërie dhe interkulturalizmit, veçanërisht në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE dhe hapjes së kapitullit 23. Përmirësimi i kornizës ligjore për parandalimin dhe sanksionimin e gjuhës së urrejtjes është një nga më të mëdhenjtë si kërcënim më i madh për lirinë e shprehjes.
  2. Arsim: Përmirësimi i politikave në arsimin formal dhe joformal për zhvillimin e konceptit të një shoqërie dhe interkulturalizmit.
  3. Kultura: Në kuadër të Strategjisë për kulturë do të përfshihen masa strategjike për  promovimin e tolerancës ndërkulturore dhe mirëkuptimit.
  4. Media: Përmirësimi i programit të shërbimit publik dhe mbështetja e mediave private për të promovuar konceptin e një shoqërie dhe të tolerancës ndërkulturore.
  5. Vetëqeverisja lokale: Ndërtimi i politikave dhe masave për zhvillimin e interkulturalizmit në nivel lokal.
  6. Të rinjtë: Masa për të zvogëluar nivelin e urrejtjes ndërmjet të rinjve nga komunitetet e ndryshme, punë me grupet e tifozëve për të zhdukur urrejtjen ndëretnike dhe manifestimin e racizmit. Ndërtimi i politikave dhe organizimi i një numri më të madh të ngjarjeve dhe manifestimeve, me përmbajtjen e të cilave aktorët dhe mesazhet do të synojnë rritjen e tolerancës ndërkulturore.
  7. Kohezioni social dhe integrimi: Masa për të zvogëluar distancën ndërkulturore, politikat e integrimit të pjesëtarëve të bashkësive më të vogla në jetën publike, pjesëmarrje efektive në jetën shoqërore dhe ekonomike të të gjitha komuniteteve.

Strategjia do të hartohet në periudhë prej gjashtë muajve në formë të dokumentit, dhe sipas pushtetit është i rëndësishëm duke pasur parasysh ndarjen e shoqërisë në baza të ndryshme. Thirrja për organizatat civile dhe të interesuarit zgjatë deri më 7 nëntor dhe mund të paraqiten: KËTU.

LEXO: Maqedonia “vlon” nga gjuha e urrejtjes, por rastet rrallë procesuohen në Gjykatë (Infografik)
LEXO: Policia dhe Prokuroria në ofensivë me padi penale kundër kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes
LEXO: Rastet më eklatante të gjuhës së urrejtjes në vitet 2013 – 2018

Ndryshe, prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes. Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste.

Në dy muajt e fundit, MPB ka dorëzuar disa padi penale kundër personave që kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe kanë kërcënuar deputetët që kanë votuar për ndryshimet kushtetuese. Padi penale është dorëzuar edhe kundër gazetarit Milenko Nedellkovski dhe aktorit Toni Mihajllovski, të dy të afërt të ish pushteti të VMRO-DPMNE-së. Nedellkovski akuzohet për “Rrezikim të sigurisë” dhe “Shpërndarje të materialit racist dhe ksenofobik”, ndërkaq Mihajllovski akuzohet se e ka kërcënuar gazetarin Branko Triçkovski.

 

Qytetarët kërkojnë:
Qeveria të ndërmerr masa për luftimin dhe shkatërrimin e gjuhës së urrejtjes nëpërmjet mekanizmave institucionale.

Prej shkurtit të vitit 2014 në Republikën e Maqedonisë kanë hyrë në fuqi dispozitat e reja ligjore me të cilat ndalohet dhe ndëshkohet gjuha e urrejtjes dhe përhapja e materialeve nëpërmjet internetit, me të cilat promovohet ose nxitet urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo qoftë njeri ose grupi, në çfarëdo baze të diskriminimit. Me ndryshimet e Kodit penal të cilat i miratoi Kuvendi me procedurë urgjente në fillim të vitit 2014 dhe hynë në fuqi në mes të shkurtit (tetë ditë pas publikimit të tyre në Gazetën zyrtare të R. të Maqedonisë, nr. 27 të datës 05.02.2014), për shkelësit parashihet dënim me të holla dhe dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button