Mattis: Vrasja e Khashoggit minon stabilitetin e Lindjes së Mesme

Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi minon stabilitetin në rajonin e Lindjes së Mesme, deklaroi sot Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me interesat tona kolektive për paqen dhe respektin e palëkundur për të drejtat e njeriut, vrasja e Jamal Khashoggit në një objekt diplomatik duhet të na shqetësojë të gjithëve”, tha Mattis në adresimin e tij në konferencën vjetore të sigurisë në Manama të Bahreinit.

“Dështimi i një kombi që t’i përmbahet normave ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit minon stabilitetin rajonal në një kohë kur nevojitet më së shumti”, tha Mattis.

Policia turke po heton vrasjen e Khashoggit. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se 18 të dyshuarıt e arrestuar në Arabinë Saudite për vrasjen duhet të ekstradohen në Turqi për t’u përballur me drejtësinë.

Mattis tha se ai do të vazhdojë të konsultohet me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për të shqyrtuar implikimet e çështjes Khashoggi.

Ai gjithashtu tha se Departamenti Amerikan i Shtetit planifikon të ndërmarrë “veprime të mëtejshme lidhur me vrasjen”.

Sa u përket marrëdhënieve me Arabinë Saudite, Mattis tha se respekti i SHBA-së për popullin saudit nuk është zvogëluar, duke theksuar se respektimi “duhet të jetë në bazë të transparencës dhe besimit”.

Gazetari dhe kolumnisti i “Washington Post”, Jamal Khashoggi, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Burimet turke të sigurisë më herët konfirmuan se Khashoggi nuk është larguar nga konsullata dhe se gjatë kësaj periudhe në konsullatë kishin mbërritur 15 shtetas dhe oficerë sauditë të cilët kanë mbërritur në Turqi me avion special dhe pastaj u larguan nga Turqia.

Pas pretendimeve disa ditore se nuk dinë asgjë për fatin e Khashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite të shtunën e kaluar në mëngjes thanë se Khashoggi u vra gjatë një grindjeje të pretenduar në konsullatë.

Hetimet për vrasjen ende vazhdojnë ndërsa detyra kryesore e hetuesve është gjetja e mbetjeve të Khashoggit dhe gjetja e përgjegjësve për vrasjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button